Shkup, 23 dhjetor 2024
Nëpërmjet masave të marra makroprudenciale, si shtresa mbrojtëse kundrëciklike e kapitalit, bankat qendrore ndihmuan sistemin bankar në përballimin e sfidave ekonomike dhe luajtën një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit financiar në një mjedis kompleks global plot pasiguri.
Këto janë një pjesë e mesazheve që u drejtuan nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe guvernatori i Bankës së Sllovenisë, Boshtjan Vasle, në takimin që u realizua në Bankën Popullore.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se gjatë krizave jo vetëm që është ruajtur, por edhe është forcuar qëndrueshmëria e sistemit bankar, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe vazhdimisht ofron mbështetje kreditore për ekonominë.
“Parametri kryesor përmes të cilit përcaktohet stabiliteti i sistemit është mjaftueshmëria e kapitalit, e cila aktualisht është rreth 19% dhe është më e larta në 16 vitet e fundit, por gjithashtu është edhe likuiditeti i qëndrueshëm dhe solid dhe cilësia e mirë e portofolit të kredisë. Kjo tregon se sistemi bankar ka kapacitete për të ofruar mbështetje për rritjen ekonomike, veçanërisht për investimet. Ndryshime pozitive vërehen në strukturën afatshkurtër dhe valutore dhe në depozitat bankare, të dukshme përmes rritjes së theksuar të depozitave afatgjata dhe kursimeve në denarë, të cilat shënojnë rritje dyshifrore. Ky është tregues i besimit të publikut në sistemin bankar dhe në politikat që ndjek banka qendrore”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska.
Në kuadër të vizitës në Bankën Popullore, guvernatori i Bankës së Sllovenisë, Boshtjan Vasle, mbajti një prezantim me temën “Zhvillimet e fundit në sektorin bankar dhe rruga përpara”, para përfaqësuesve të bankave dhe organeve rregullatore në vend.
“Bankat në Eurozonë dhe në Slloveni, kohëve të fundit, punojnë me shumë sukses, me norma të larta përfitimi të ngjashme me ato të bankave në Maqedoninë e Veriut dhe me tregues historikisht të favorshëm për cilësinë e mjeteve. Bankat në përgjithësi janë të mirëkapitalizuara dhe ruajnë likuiditet solid. Pozicioni i favorshëm i tyre është si rezultat i forcimit dhe unifikimit të rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare në Eurozonë, përmirësimeve në kuadrin e politikës makroprudenciale dhe mbështetjes së madhe nga politika monetare dhe fiskale gjatë pandemisë dhe krizës energjetike. Megjithatë, bankat europiane po përballen me sfida afatgjata lidhur me modelet e tyre të biznesit, digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës nga institucionet jobankare”, theksoi guvernatori Vasle.
Guvernatorët Angellovska-Bezhoska dhe Vasle theksuan se pavarësisht nga mjedisi makro më i favorshëm gjatë vitit, ka ende rreziqe dhe pasiguri që lidhen kryesisht me mjedisin e jashtëm dhe ndikimin e trazirave gjeopolitike dhe fragmentimit gjeo-ekonomik, ku bankat qendrore ruajnë vigjilencën në udhëheqjen e politikave makroprudenciale, si mbështetja për forcimin e stabilitetit financiar në periudhën e ardhshme.