Shkup, 23 nëntor 2022
Këshilli i Bankës Popullore ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar Raporti i fundit tremujor, i cili përfshin projeksionet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore. Pas miratimit të Raportit, guvernatorja prezantoi projeksionet makroekonomike në konferencë për shtyp.
Mjedisi i jashtëm për ekonominë e brendshme është më pak i favorshëm, në krahasim me periudhën e përgatitjes së projeksioneve pranverore. Tensionet e mëtejshme gjeopolitike nga pushtimi ushtarak rus i Ukrainës, si dhe pandemia Kovid-19 e cila vazhdon, po përkeqësojnë mjedisin global, duke ndikuar negativisht në perspektivën ekonomike dhe duke krijuar presione shtesë mbi çmimet e tregut global të mallrave dhe mbi inflacionin global. E gjithë kjo rezultoi në rimëkëmbjen më të ngadaltë pas pandemisë dhe në thellimin e krizës energjetike, e cila reflektohet në shpenzimet jetësore. Faktor i cili do të kufizojë rritjen do të jetë shtrëngimi edhe më i fortë i kushteve të financimit global, duke marrë parasysh rritjen e intensifikuar dhe afatgjatë të inflacionit në mbarë botën.
Duke pasur parasysh këtë mjedis, perspektivat e rritjes së ekonomisë vendase janë rishikuar në rënie. Në kushtet e ndryshueshmërisë jashtëzakonisht të lartë të supozimeve dhe pasigurisë së lartë, janë përgatitur dy skenarë. Sipas skenarit bazë, ritmet e rritjes janë përkatësisht 2,3% dhe 2,6% për vitin 2022 dhe 2023, të mbështetur nga faktorë vendas që lidhen me investimet e paralajmëruara në infrastrukturë dhe investimet për zgjerimin e kapaciteteve në një pjesë të sektorit të eksportit. Nëse kjo mbështetje është më e dobët se pritshmëritë, duke marrë parasysh edhe mjedisin e jashtëm më pak të favorshëm, në skenarin e dytë perspektiva ekonomike do të jetë 2% dhe 1,8% për këtë dhe vitin e ardhshëm. Në afat të mesëm, rritja e PBB-së parashikohet të rritet në 3,6% në vitin 2024 dhe në 4% në vitin 2025. Rreziqet rreth rrugës së parashikuar të rritjes janë në rënie dhe do të varen kryesisht nga mjedisi i jashtëm.
Inflacioni në projeksionet e tetorit është rishikuar në rritje, në kushtet e rishikimeve kryesisht në rritje të vlerësimeve të çmimeve të importit. Për vitin 2022 parashikohet inflacion mesatar vjetor prej 14,3%. Për vitin e ardhshëm pritet ulje e çmimeve të importit (sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare), gjë që do të ulte edhe presionin mbi inflacionin e brendshëm. Me pritshmëri të tilla, si dhe vlerësime të mungesës së presioneve më të mëdha nga kërkesa, për vitin 2023 pritet që norma mesatare e inflacionit të jetë më e moderuar dhe do të jetë 8 - 9%, në varësi të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregun rregullator. Pritet që ndikim në lëvizjen e inflacionit të kenë edhe masat për subvencionim të çmimit të energjisë elektrike të industrisë ushqimore nga ana e shtetit, si dhe shtrëngimi gradual i politikës monetare. Për vitin 2024, inflacioni pritet të ngadalësohet ndjeshëm, duke u ulur në 2,4% dhe të kthehet në mesataren historike prej 2% në vitin 2025.
Përkeqësimi i kushteve të këmbimit, dhe veçanërisht rritja e çmimeve të energjisë elektrike, shkaktojnë zgjerimin e deficitit në llogarinë rrjedhëse të bilancit pagesor. Në krahasim me parashikimet e mëparshme, nuk ka ndryshime të mëdha në këtë segment. Sipas vlerësimeve të fundit, për vitin 2022 pritet që deficiti në llogarinë rrjedhëse të bilancit pagesor do të jetë 7,4% e PBB-së, kundrejt 3,1% në vitin 2021. Përkeqësimi është kryesisht reflektim i zgjerimit të ndjeshëm të deficitit energjetik, ndërsa për të gjithë komponentët e tjerë priten zhvendosje në kah pozitiv, veçanërisht te transfertat private, të cilat në gjysmën e parë të vitit shënuan rritje prej rreth 30%. Në vlerësimin e mjedisit të jashtëm më pak të favorshëm në vitin 2023, por edhe presioni më i moderuar i çmimeve, parashikohet që deficiti i llogarisë rrjedhëse të ulet në 5,6% të PBB-së, kryesisht për shkak të ngushtimit të bilancit negativ në shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Për periudhën e vitit 2024 - 2025 pritet deficit i ulët i llogarisë rrjedhëse prej 1,7% të PBB-së, i ngjashëm me mesataren e para pandemisë. Financimi i deficitit rrjedhës, si deri më tani, do të mundësohej nga flukset hyrëse nëpërmjet investimeve direkte dhe huamarrjes nga shteti, prej ku rezervat valutore mbahen në nivelin e duhur gjatë gjithë periudhës së projeksioneve, si garancion për qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit të monedhës vendase.
Projeksionet e fundit të tregut të kredisë tregojnë për ngadalësim të moderuar të rritjes së aktivitetit kreditor deri në fund të vitit 2022, i cili do të vazhdojë edhe në vitin 2023. Rritja e kredive në vitin 2022 do të kishte qenë 9,2% në bazë vjetore, ndërsa në vitin 2023, do të ishte 7,1%. Në periudhën e ardhshme pritet stabilizim i aktivitetit kreditor, me rritje mesatare prej 7,5% në periudhën e vitit 2024 - 2025, në kushtet e rritjes së ekonomisë vendase, stabilizimit të pritjeve dhe rritjes së kërkesës për kreditë e amvisërive dhe sektori i korporatave. Pavarësisht luftës në Ukrainë, masat e ndërmarra nga Banka Popullore mundësuan rritjen e mëtejshme të depozitave me dinamikë të ngjashme, kështu që sipas parashikimeve vijuese pritet që në fund të vitit 2022 të arrijë në 3,9%. Me stabilizimin e flukseve dhe me veprimin e masave të Bankës Popullore për nxitjen e kursimeve në denarë, pritet rritje e depozitave prej 6,5% në vitin 2023 dhe 8%, mesatarisht, për periudhën e vitit 2024 - 2025.
Në përgjithësi, vlerësimet e fundit për rritjen e ekonomisë maqedonase janë më pak të favorshme në krahasim me ciklin e projeksioneve të prillit për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm, nën ndikimin e luftës në Ukrainë, e cila vazhdon, duke thelluar kështu krizën energjetike, e cila, nga ana tjetër, ka ndikim më të fortë në perspektivat e rritjes dhe inflacionit. Vlerësimet janë të shoqëruara nga pasiguria e lartë, dhe rreziqet janë dukshëm në rënie dhe lidhen me ngjarjet gjeopolitike që ndikojnë negativisht si mbi çmimet ashtu edhe në aktivitetin ekonomik në kuadër global. Banka Popullore mbikëqyr me kujdes të dhënat dhe rreziqet makroekonomike dhe, si deri më tani, do të marrë me vendosmëri të gjitha masat e nevojshme, duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin afatmesëm të çmimeve.