Shkup, 23 nëntor 2020
„Duke përfaqësuar Konstituencën të cilës i përket Maqedonia e Veriut, do të angazhohem që FMN-ja të vazhdojë të mbështesë fuqishëm vendin tuaj në zbatimin e reformave dhe aktiviteteve për tejkalimin e krizës aktuale e cila është një sfidë globale.“ - theksoi drejtori i ri ekzekutiv në FMN, Pol Hilbers - anëtar i Bordit Ekzekutiv të FMN-së dhe përgjegjës për vendin tonë, në takimin e parë me udhëheqësinë e Bankës Popullore, pas fillimit të mandatit të tij.
Në takim, i cili u mbajt nëpërmjet një video konference, Hilbers shprehu besimin se Banka Popullore do të vazhdojë të kontribuojë për një bashkëpunim dhe komunikim të suksesshëm midis Maqedonisë së Veriut dhe FMN-së, dhe në këtë pikëpamje edhe për realizimin e angazhimeve të Konstituencës.
„Pavarësia, profesionalizmi dhe standardet e larta në punën e bankës qendrore janë thelbësore për FMN-në, veçanërisht për vlerësimin e ekonomisë. Prej tyre, në masë të madhe, varet edhe mbështetja që FMN-ja ia jep çdo vendi-anëtar. Në muajt e fundit, banka juaj qendrore ka provuar se ajo është në gjendje të punojë në pajtim me standardet e larta ndërkombëtare dhe përvojat e mira globale, dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë në rrugën e duhur.“ - theksoi drejtori ekzekutiv në FMN.
Ai, duke komentuar rrethanat aktuale me kovid krizën, theksoi se është e rëndësishme që gjatë tërë kohës të ruhet stabiliteti financiar në vend, dhe në të njëjtën kohë të zbatohet një politikë monetare e përshtatshme.
„Një bankë e pavarur qendrore është garanci për stabilitetin financiar dhe makroekonomike, dhe pikërisht kjo është me rëndësi thelbësore për vlerësimin e FMN-së.“ - theksoi Hilbers.
Guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska iu referua rëndësisë së bashkëpunimit me FMN-në për ekonominë në tërësi dhe se në atë kontekst, angazhimet e Konstituencës të cilës i përket vendi ynë janë me rëndësi të veçantë.
„Si në të kaluarën, Banka Popullore, në kuadër të mandatit të saj do të jap maksimumin. Vazhdimisht i përcjellim tendencat dhe rreziqet e mundshme nga pikëpamja e krizës aktuale globale, me qëllim reagimin e duhur, nëse është e nevojshme për të zbutur efektet mbi ekonominë. Kjo, edhe më tej e rrit nevojën për komunikim dhe bashkëpunim me FMN-në, me ç’rast roli i Konstituencës është me rëndësi të veçantë.“ - theksoi ndër të tjera Angelovska-Bezhoska.
Në takim u bisedua edhe për pikëpamjet e fundit të FMN-së për ekonominë maqedonase. FMN-ja pret që aktiviteti ekonomik të rimëkëmbet gjatë vitit të ardhshëm, mirëpo vala e dytë e pandemisë paraqet një rrezik për intensitetin e rimëkëmbjes.