Shkup, 23 maj 2023
Në kuadër të vizitës në Universitetin “Goce Dellçev” – Shtip guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, u takua me rektorin e universitetit, Prof. Dr. Dejan Mirakovski, dhe Prof. Dr. Darko Llazarov, ku u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Popullore dhe Universitetit në fushën e punës kërkimore dhe modelimit makroekonomik. Në kuadër të praktikës së rregullt të ndarjes së të dhënave makroekonomike me grupe të ndryshme të synuara në publik guvernatorja mbajti ligjeratë para studentëve të Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit, ku morën fjalën edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Olivera Gjorgieva Trajkovska dhe Prof. Dr. Darko Llazarov. “Sipas ciklit të fundit të projeksioneve makroekonomike të Bankës Popullore, këtë vit pritet ngushtim i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si rezultat i përmirësimit të mjedisit të jashtëm përmes uljes së presioneve nga shkëmbimet tregtare, dhe mbi të gjitha në burimet e energjisë. Flukset hyrëse financiare edhe më tej do të ishin solide dhe do të mbulonin deficitin e llogarisë rrjedhëse, por në të njëjtën kohë do të mjaftonin për rritjen e rezervave valutore. Megjithatë, pasiguria vazhdon dhe nevojitet monitorim i kujdesshëm”, u theksua në ligjëratën e guvernatores.
Lëvizjet në sektorin e jashtëm janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Bankën Popullore, duke pasur parasysh strategjinë tonë monetare për ruajtjen stabile të kursit të këmbimit të denarit. Deficiti i llogarisë rrjedhëse u zgjerua ndjeshëm vitin e kaluar, kryesisht si rezultat i krizës energjetike, gjegjësisht importit të energjisë me çmime jashtëzakonisht të larta. Disa nga këto presione u zbutën nga rritja e lartë e dërgesave nga jashtë. Dërgesat, të cilat u prekën ndjeshëm gjatë periudhës së pandemisë, në periudhën e kaluar janë rritur me norma të larta rritjeje prej 30 deri në 40% , kështu që në vitin 2022 arritën në 2,4 miliardë euro, që historikisht është niveli më i lartë. Në periudhën afatmesme pritet që ato të vazhdojnë të rriten, por dukshëm më të moderuara me rritje vjetore prej 3 deri në 4%. Pritjet për uljen e presioneve ndaj burimeve të energjisë, dhe rrjedhimisht edhe mbi deficitin tregtar, do të kontribuojnë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse në vitin 2023 për 2,4 p.p. të PBB-së në bazë vjetore, pra do të arrijë në 3,6% të PBB-së. Tendencë e tillë pritet edhe në periudhën afatmesme, në kushtet e stabilizimit të mëtejshëm gradual të çmimeve të produkteve parësore dhe rikuperimit të mëtejshëm të kërkesës për eksport të huaj.
Flukset hyrëse neto financiare në periudhën 2023 - 2025 do të financonin plotësisht deficitin e llogarisë rrjedhëse dhe do të kontribuonin në rritjen e mëtejshme të rezervave valutore, të cilat do të mbeten në nivelin e duhur për të gjithë periudhën. Investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën në 5,7% të PBB-së, që është deri më tani një nga normat më të larta. Pritshmëritë për periudhën e ardhshme janë se ato do të vazhdojnë të rriten dhe mesatarisht do të shënonin 3,7% të PBB-së në periudhë afatmesme.
Në prezantimin para studentëve, guvernatorja iu referua pritshmërive për rritjen ekonomike këtë vit, por edhe për inflacionin. Duke folur për rritjen ekonomike, guvernatorja theksoi se rritja e ekonomisë së Maqedonisë në vitin 2023 do të ishte 2,1% (e barabartë me atë të vitit paraprak), dhe inflacioni do të ulej në nivel njëshifror prej 8% deri në 9% dhe më pas në periudhën afatmesme do të shënoj ulje dhe reduktim të mëtejshëm nën 3%, siç ishte projeksioni i tetorit.
Trazirat gjeopolitike dhe efektet e saja të mundshme në zinxhirët e furnizimit dhe çmimet botërore, shtrëngimi eventual i kushteve financiare globale, si dhe zhvillimet në sistemet financiare në ekonomitë individuale edhe më tej janë rreziqe negative për projeksionin.