Shkup, 22 dhjetor 2023
Në Bankën Popullore u mbajt sesioni i 49-të i Klubit të Hulumtuesve, ku u prezantua punimi shkencor “Rishikimi i modelit të ri të kalibruar të DSGE për ekonominë maqedonase” nga autorët Tibor Hledik, Jan Vlçek, Joana Maxhoska dhe Mite Miteski. Ky model është zhvilluar në Bankën Popullore në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Popullore Çeke (BPÇ) në kuadër të projektit për asistencë teknike. Në emër të autorëve, gjetjet dhe konkluzionet e hulumtimit i prezantoi Mite Miteski nga Banka Popullore.
Sesionin e hapi drejtoresha e Sektorit për politikë monetare, hulumtime dhe statistika, Sulltanija Bojçeva-Terzian, e cila theksoi se përfitimet nga puna janë domethënëse për shkak të zgjerimit të mjeteve të modelimit dhe analizës së Bankës Popullore, të cilat do kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit të vendimmarrjes. Ajo përfundoi se me vendosjen e këtij modeli, Banka Popullore është në hap me bankat qendrore të vendeve të zhvilluara, të cilat përdorin rregullisht modele të tilla në sistemet e tyre të parashikimit dhe analizës së politikave.
Në fillim u theksua se në kuadër të këtij projekti është vendosur një model i ri i kalibruar i DSGE-së që pasqyron karakteristikat e ekonomisë maqedonase, si një ekonomi e vogël dhe e hapur me kurs valutor të fiksuar, e cila ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore në vitet e kaluara. Zhvillimi i këtij modeli zgjeron instrumentin për modelim, hulumtim dhe analizë të politikave brenda Bankës Popullore, gjë që do të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit të vendimmarrjes. Në kuadër të prezantimit, në mënyrë të detajuar u prezantua struktura teorike e modelit, lidhjet mikroekonomike, parametrat e kalibruara që përcaktojnë vetitë ciklike të modelit, si dhe metodat për vlerësimin e modelit (funksionet impuls-reagim, zbërthimi historik i goditjeve dhe projeksionet në kampion). Siç u theksua, rezultatet e modelit janë solide dhe mund të përdoren rregullisht për simulime të ndryshme përmes të cilave mund të monitorohet reagimi i variablave të ndryshëm ndaj goditjeve të veçanta, kontributi i tyre, si dhe transmetimi i tyre në sektorë të tjerë të ekonomisë. Në fund të prezantimit, u theksua se kërkimi i bazuar në këtë model është i rëndësishëm për bartësit e politkave, pasiqë mundëson vështrime më të mira të shtytësve bazë të ekonomisë vendase, të parë nga një prizëm i ri, duke pasur parasysh vendosjen e tij në baza mikroekonomike.
Pas prezantimit u zhvillua një diskutim ndërmjet pjesëmarrësve dhe prezantuesit, që u nxit nga prezantimi i punimit dhe përfundimet e paraqitura. Me mbajtjen e sesionit të 49-të, me sukses përfunduan aktivitetet e Klubit, që ishin të planifikuara për këtë vit kalendarik. Sesioni i radhës është planifikuar për në mars të vitit të ardhshëm.