Shkup, 22 dhjetor 2020
Kovid kriza edhe një herë konfirmon se pikërisht aktiviteti kërkimor dhe analitik, pra aktiviteti shkencor po përcakton postulatet kryesore mbi të cilat duhet të merren vendime nga politikëbërësit. Rrethanat e imponuara nga kriza në korniza globale, theksojnë më tej nevojën për bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm midis politikëbërësve dhe bartësve të aktiviteteve shkencore. Banka Popullore dhe Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (AMSHA) janë fuqimisht të përkushtuara për forcimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy institucioneve, dhe në këtë drejtim do të realizohen edhe projekte të përbashkëta në fushën e shkencës ekonomike.
Kjo u theksua në një takim pune të guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe kryetarit të AMSHA-së, akademik Ljupço Kocarev. Në takim morën pjesë edhe akademik, Taki Fiti dhe viceguvernatorja Ana Mitreska. Bashkëbiseduesit theksuan angazhimin e përbashkët se monitorimi i pandërprerë i njohurive, vlerësimeve dhe pikëpamjeve që janë rezultat i veprimtarisë së vazhdueshme kërkimore janë parakusht për zhvillimin dhe drejtimin e duhur të politikave, gjë që është e nevojshme edhe për progresin afatgjatë të ekonomisë. Është një motiv shtesë, në periudhën aktuale dhe të ardhshme, bashkëpunimi midis dy institucioneve të zhvillohet edhe më tej.
Në takim u theksuan çështje që posaçërisht lidhen me kërkimet e ekipit të Banës Popullore në periudhën e kaluar, në pajtim me Programin për veprimtari kërkimore. Në të njëjtën kohë u bisedua edhe për projektet e AMSHA-së që kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme dhe aktuale ekonomike. U identifikuan edhe çështjet ekonomike që priten në periudhën e ardhshme, veçanërisht pas kapërcimit të sfidave aktuale të Kovid krizës, të kenë nevojë për angazhim kërkimor të të dy institucioneve dhe për të cilat, siç u theksua në takim, do të ishte veçanërisht produktive nëse realizohen me komunikim dhe bashkëpunim. Kështu, pritet që parakushtet për vendimmarrje nga të gjithë politikëbërësit në sferën ekonomike të përmirësohen ndjeshëm.
Guvernatorja, Angelovska-Bezhoska dhe kryetari i AMSHA-së, akademik Kocarev shprehën vendosmërinë e përbashkët për realizimin e një sërë aktivitetesh të përbashkëta të të dy institucioneve, në fushën e kërkimeve ekonomike, me një vendosmëri që bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm të shndërrohet në një traditë. Për këtë qëllim, në takim u ra dakord që së shpejti të lidhet një memorandum për bashkëpunim, i cili do të përfshi aktivitetet e iniciuara në takim, si dhe aktivitetet që do të zgjerojnë më tej kornizën e komunikimit të përhershëm të ekspertëve. Përmes një seri aktivitetesh të mëtejshme të përbashkëta, siç u theksua në takim, Banka Popullore dhe AMSHA-ja, përveç kësaj, së bashku, përmes mendimit shkencor, do të investojnë në përparimin e ekonomisë maqedonase.