Shkup, 22 nëntor 2024
"Pritjet inflacioniste janë të favorshme, ndësa presionet nga çmimet globale të ushqimeve dhe energjisë elektrike janë ulur, kështu që për vitin e ardhshëm Banka Popullore pret një ngadalësim të mëtejshëm të inflacionit mesatar, duke u ulur në 2,5% dhe në terma afatmesëm në mesataren historike prej 2%". Këtë e theksoi viceguvernatorja Ana Mitreska, e ftuar në emisionin "Brifingu i mëngjesit" në televizionin "Sloboden Peçat".
"Përllogaritja jonë e fundit për inflacionin për vitin e ardhshëm është rreth 2,5 % dhe bazohet mbi supozimet për një rënie të moderuar të çmimit të naftës vitin e ardhshëm, rritje të moderuar të çmimeve globale të ushqimeve pas rënies së tyre vitin e kaluar, si dhe sipas disa faktorëve të brendshëm që ne i marrim parasysh", tha Mitreska.
Sinjal i mirë është gjithashtu edhe ajo që pritjet inflacioniste janë të favorshme, pra konsumatorët presin prej kohësh ulje çmimesh. Në gjithë këtë rol të rëndësishëm luajtën edhe masat e zbatuara nga Banka Popullore. Megjithatë, viceguvernatorja Mitreska theksoi se rreziqet që dalin si nga ngjarjet globale, ritja e pagave, dhe rritja e çmimeve të shërbimeve ende ekzistojnë.
"Në periudhën e kaluar, gjatë krizave të njëpasnjëshme, ajo që shohim në të gjithë Europën dhe në vendin tonë është ruajtja e marzheve pozitive dhe relativisht solide të fitimit, me rritje të moderuar pas disa vitesh dhe kjo është ndoshta një nga arsyet pse disa kategori çmimesh ende nuk janë përshtatur në rënie, madje edhe në një pjesë të çmimeve të ushqimeve", theksoi viceuvernatorja Mitreska dhe përmendi se fitimi pozitiv përveç që ndikon në nivelin e çmimeve, mund të zbusë edhe rritjen e deritanishme të pagave por edhe goditjet e mundshme me të cilat mund të përballemi në periudhën e ardhshme.
Viceguvernatorja Mitreska theksoi se Banka Popullore do të vazhdojë të udhëheqë me kujdes politikën monetare duke zbatuar masa makroprudenciale, të cilat do ta forcojnë edhe më shumë stabilitetin financiar.
"Gjatë krizave jo vetëm u ruajt, por edhe u forcua elasticiteti i sistemit bankar, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe ofron vazhdimisht mbështetje kreditore për ekonominë. Parametri kryesor përmes të cilit përcaktohet qëndrueshmëria e sistemit sigurisht që është kapitalizimi , i cili aktualisht është rreth 19% dhe është më i lartë në krahasim me nivelin para pandemisë, por edhe likuiditeti i qëndrueshëm dhe solid si dhe cilësia e mirë e kredisë portofol", theksoi viceguvernatorja Mitreska.