Shkup, 22 nëntor 2023
Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor çdo vit humbin rreth 18% të PBB-së, shkaku i hendekut gjinor në tregun e punës, ku dy të tretat e humbjes shpjegohen me shkallën e ulët të aktivitetit të grave, ndërsa pjesa tjetër shkaku i dallimeve në zgjedhjen e profesioneve mes burrave dhe grave, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, në prezantimin e saj në panelin e diskutimit me temë ”Roli dhe pozita e gruas në botën e biznesit, përparësite, sfidat dhe mundësitë”, organizuar nga Ambasada e Sllovenisë në vend. Ajo theksoi se efekti pozitiv i uljes së hendekut gjinor në rritje nuk do të vjen vetëm nga rritja e fuqisë puntore, por edhe nga aftësitë dhe karakteristikat e ndryshme të grave, të cilat mund të japin një dimension të ndryshëm cilësor në tregun e punës, siç janë kujdesshmëria ndaj rreziqeve, pragmatizmi dhe empatia. Me përmirësimet në këtë segment PBB-ja mund të rritet edhe deri në 10% në ekonomitë e zhvilluara dhe deri në 30% në vendet në zhvillim”, theksoi Angellovska-Bezhoska.
Duke përmendur të dhëna për efektet e pandemisë dhe krizave tjera pas saj, guvernatorja theksoi ndikimin joproporcional ndaj segmenteve të ndryshme ekonomike dhe shoqërore të krizave të njëpasnjëshme. Kështu, në fillim të vitit 2021, përkeqësimi i shkallës së punësimit te gratë në krahasim me periudhën para pandemisë është dukshëm më i madh në vendet në zhvillim sesa në ekonomitë e zhvilluara, që e thellon hendekun gjinor edhe më shumë në nivel global. Situata e njejtë është edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku vërehet një rënie më e fortë te shkalla e aktivitetit të grave, e cila mesatarisht është 41,5% për rajonin, në krahasim me 61,8% te burrat. Gjendja në vitin 2022 është duke u përmirësuar, më e shprehur te gratë në krahasim me burrat, por te ne dhe në Kosovë shkallët e aktivitetit të grave janë edhe më tej nën nivelin e para pandemisë. Në rajon ekziston edhe një hendek i dukshëm në pagat, në interval prej 7 deri 16%, i cili në disa vende tregon edhe tendencë të zgjërimit.
Guvernatorja u shpreh se një nga arsyet e ndikimit negativ të pandemisë mbi aktivitetin dhe të ardhurat e grave në krahasim me burrat është se ajo e goditi fuqishëm sektorin e shërbimeve, veçanarisht segmentin që mbështeten në ndërveprimin social, si dhe në ekonominë joformale, ku prezenca e grave është më e madhe. Krahas kësaj, në disa studime tregohet se pandemia edhe më shumë i ka rritur sfidat e gruas në pikëpamje të vendit të punës, ndaj një në katër gra mendon të heqë dorë nga planet e karrierës ose ta lëshojë vendin e punës. Gjithashtu, punësimi më i ulët dhe të ardhurat më të ulëta ndikojnë negativisht edhe në qasjen e grave në financim dhe me atë në mundësitë për zhvillimin e sipërmarrjes së grave. Kjo pjesërisht është pasqyrë edhe e njohurisë më të ulët financiare të grave.
Guvernatorja në prezantimin e saj theksoi se “krizat aktuale theksojnë nevojën për qasje të forcuar dhe gjithëpërfshirëse nga ana e bartësve të politikave për zbulimin e të gjitha burimeve të pabarazisë gjinore në normat institucionale, regullatore, arsimore dhe tradicionale”.