Shkup, 22 gusht 2022
Lidhur me raportin e porositur privatisht nga ish-aksioneri dhe njëkohësisht kryetari shumëvjeçar i Bordit Mbikëqyrës të Bankës Eurostandard, mbi të cilën për shkak të paaftësisë paguese u hap procedura e falimentimit në gusht të vitit 2020, shprehim shqetësim serioz për lehtësinë me të cilën individë të ndryshëm paraqesin informacione të pasakta në lidhje me sistemin bankar dhe Bankën Popullore. Sjellja e tillë e papërgjegjshme, e nxitur nga interesa personale dhe motive private, mund të sjellë trazira dhe të shkaktojë dëme të panevojshme dhe të pabaza në institucionet financiare të vendit, rrjedhimisht edhe te subjektet ekonomike dhe te qytetarët. Për Bankën Popullore, vlerësimet dhe opinionet, veçanërisht në pjesën e gjendjes në sistemin bankar dhe financiar të vendit tonë dhe mënyrën e funksionimit të Bankës Popullore, të shprehura nga porositësi i këtij raporti, si dhe personat e angazhuar prej tij për ta prodhuar dhe promovuar atë në publik, janë të parëndësishme dhe të pasakta.
Banka Popullore është institucion profesional dhe i pavarur, i cili zbaton standardet dhe praktikat më të larta ndërkombëtare në vendimmarrje, gjë që vërtetohet edhe nga vlerësimet e organizatave ndërkombëtare financiare dhe agjencive kreditore. I fundit në serinë e vlerësimeve të tilla është vendimi i Komisionit Europian në fund të vitit të kaluar, se rregullimi dhe mbikëqyrja bankare e kryer nga Banka Popullore është sipas standardeve të Bashkimit Europian, me të cilat Komisioni Europian e përfshiu vendin tonë në listën e vetëm 26 vendeve në botë të cilat i zbatojnë këto standarde.
Në pajtim me këto standarde, Banka Popullore në baza të rregullta mbikëqyr punën e bankave dhe kursimoreve dhe vlerëson sigurinë, qëndrueshmërinë e tyre, si dhe pajtueshmërinë e veprimeve me Ligjin e Bankave dhe me rregullore të tjera që rregullojnë operimet bankare. Në kuadër të kompetencave të saj, ajo merr masat e duhura në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të sistemit bankar.
Nëse me kontrollin mbikëqyrës konstatohen dyshime ose tregues për veprime të tjera në bankë, Banka Popullore, e cila është organ mbikëqyrës dhe jo hetues, i njofton dhe bashkëpunon me organet kompetente hetuese.
Edhe në rastin që lidhet me Kubusin, i cili i referohet periudhës 2004-2011, mbi të cilin bazohen në fakt shumica e akuzave, Banka Popullore ka bashkëpunuar me institucionet kompetente, duke ofruar të gjitha informatat në dispozicion.
Prandaj, në kushtet e mosrespektimit të masave të dhëna, duke marrë parasysh shkallën e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe gjendjen në Bankë, Banka Popullore, në pajtueshmëri me Ligjin e Bankave, ia hoqi bankës licencën për punë. Në lidhje me punën e Eurostandard Bankës, Banka Popullore duke kryer detyrën e saj si organ mbikëqyrës, ka konstatuar dobësi dhe lëshime të theksuara gjatë operimit. Duke filluar nga viti 2013 deri në vitin 2020, Banka Popullore në lidhje me konstatimin, Eurostandard Bankës SHA Shkup, i shqiptoi gjithsej 30 akte ligjore të cilat përmbanin rreth 120 masa të ndryshme për përmirësimin e gjendjes së bankës. Banka Popullore nuk do të lejojë asnjë bankë të vazhdojë punën pa përmbushur kërkesat minimale ligjore, duke mbrojtur kështu stabilitetin e të gjithë sistemit bankar dhe financiar.
Njëkohësisht, pas konstatimit të situatës, Banka Popullore ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike për veprime të mëtutjeshme kompetente ndaj ish-personave përgjegjës në Eurostandard Bank SHA Shkup nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të falimentimit të bankës. Në të njëjtën kohë, Prokurorisë Publike, Banka Popullore i propozoi masa për mbrojtjen e mëtejshme të interesave të kreditorëve.
Profesionalizmi dhe pavarësia e Bankës Popullore kontribuon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vazhdueshme të sistemit bankar, përfshirë edhe gjatë periudhës së pandemisë. Vërtetim i gjendjes dhe funksionimit të mirë të sektorit bankar janë shumica e raporteve të institucioneve më të rëndësishme, siç është raporti i fundit i agjencisë së kreditit S&P, ku theksohet se sistemi bankar është i mirë kapitalizuar dhe i qëndrueshëm, si dhe se është shtyllë e ekonomisë për të kapërcyer sfidat që i solli pandemia.
Banka Popullore mbetet e përkushtuar në zbatimin e kërkesave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare në kryerjen e mbikëqyrjes bankare dhe me vigjilencë i ndjekim lëvizjet në sistemin bankar, ku në kuadër të ushtrimit të funksionit tonë bashkëpunojmë me institucionet kompetente shtetërore.