Shkup, 22 korrik 2022
Ndër vite Banka Popullore ka qenë shtyllë e ruajtjes së stabilitetit financiar, që është thelbësore për rritjen ekonomike. Edhe në kushtet aktuale të rreziqeve të theksuara makroekonomike, sistemi bankar vendas është i qëndrueshëm dhe ka kapacitete për mbështetje të përshtatshme kreditore për rritjen ekonomike. Me rregulloren e re e cila do të miratohej në periudhën e ardhshme, e cila po zhvillohet në pajtim me praktikën europiane, forcohet korniza dhe roli udhëheqës i Bankës Popullore në sjelljen dhe zbatimin e politikës makroprudenciale. Kështu u theksua në takimin e ekipit të Bankës Popullore, të udhëhequr nga guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska dhe Jasmin Çakeri, menaxhere e Njësisë së makroekonomisë, tregtisë dhe investimeve për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën dhe Sanja Maxhareviq-Shujster, ekonomiste e lartë.
Në kontekstin e arritjeve të deritanishme, në takim u konstatua se aftësia paguese e sistemit bankar është në nivel të qëndrueshëm dhe solid, me normë të mjaftueshmërisë të kapitalit prej 17 %. Treguesit e likuiditetit janë ende në nivele të kënaqshme dhe tregojnë për menaxhim të përshtatshëm të bankave me rrezikun e likuiditetit. Cilësia e portofolit të kredisë së bankave është ende solide, gjë që konfirmohet nga niveli i ulët i kredive me probleme prej 3,1 % në totalin e kredive të sektorit jofinanciar. Arritjet solide të sistemit bankar sigurisht që janë rezultat i kornizës rregulluese të vendosur nga Banka Popullore. Në të njëjtën kohë, në pajtueshmëri me vendimin e Komisionit Europian, është vlerësuar se rregullimi dhe mbikëqyrja bankare e zbatuar nga Banka Popullore është në pajtim me standardet e BE-së.
Në takim, është biseduar edhe për zgjidhjet e reja ligjore, të cilat janë në mbështetje të forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar, përkatësisht Ligjit për Stabilitet Financiar dhe Ligjit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme. Ekipi i Bankës Botërore theksoi rëndësinë e këtyre zgjidhjeve, të cilat do t’i japin bankës qendrore një mandat më të gjerë për të parandaluar disa rreziqe sistemike në sektorin bankar. Gjithashtu, me Ligjin për Stabilitetin Financiar, i cili është në procedurë parlamentare, rregullohet në mënyrë ligjore Komisioni për Stabilitetit Financiar si organ makroprudencial që do të forcojë koordinimin e rregullatorëve financiarë në përcaktimin e rreziqeve sistematike dhe ndërmarrjen e sinkronizuar të masave makroprudenciale.
U bisedua edhe për situatën aktuale dhe normat e inflacionit që rriten në nivel botëror. Nga Banka Botërore u theksua se është shumë e rëndësishme përshtatja në kohë dhe e duhur e politikave, në pajtim me pritshmëritë aktuale dhe pritshmëritë e ardhshme. Politikëbërësit në këtë moment, kur ka lëvizje në rritje të çmimeve për shkak të konfliktit ushtarak, janë përballur me nevojën për shtrëngim monetar. Në të njëjtën kohë, është veçanërisht e rëndësishme që politika monetare të mos shkaktojë ndikim negativ në rritjen ekonomike kur zgjedh masat për ndalimin e inflacionit. Në këtë kontekst, Banka Popullore u përgjigjet me sukses sfidave aktuale dhe me kujdes zbaton masat për ruajtjen e stabilitetit.