Shkup, 22 prill 2025
Këshilli i Bankës Popullore në mbledhjen e fundit e miratoi Raportin vjetor për vitin 2024. Raporti evidentoi arritjen e suksesshme të qëllimeve të bankës qendrore, gjë e cila është konfirmuar nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare ndërsa shihet nëpërmjet ngadalësimit të mëtejshëm të inflacionit, ruajtjes së stabilitetit të kursit valutor dhe forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar. Megjithëse kushtet janë ende të pasigurta, prirjet e mira të inflacionit dhe të rezervave valutore kanë mundësuar normalizim gradual të politikës monetare. Paralelisht me menaxhimin e sfidave makroprudenciale, Banka Popullore ka realizuar edhe projekte të shumta.
Në kontekstin botëror, viti 2024 u shënua nga tensione të forta gjeopolitike dhe transformime në lidhje me digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale, për shkak të të cilave pasiguria u rrit. Megjithatë, ekonomia botërore vazhdon të rimëkëmbet, dhe rritje prej 2,8% shënoi edhe ekonomia maqedonase. Norma mesatare e inflacionit u ngadalësua në 3,5%, nga 9,4% nga viti paraprak, duke reflektuar zhvillime më të qëndrueshme në çmimet e ushqimeve, energjinë dhe inflacionin bazë, si dhe efektet e qëndrimit të përshtatshëm monetar. Në pajtim me prirjet e favorshme të inflacionit dhe të tregut valutor, Banka Popullore filloi me normalizim gradual të politikës monetare. Norma bazë e interesit u ul tre herë deri në nivelin prej 5,35%, ndërkaq u ulën edhe normat e interesit të depozitave, por në mënyrë më të moderuar. Gjithashtu, masat e marra në fushën e rezervës së detyruar kontribuan në forcimin e mëtejshëm të denarizimit dhe kursimeve afatgjata.
Në kuadër të Raportit vjetor jepet edhe pasqyrë e zbatimit të Programit të punës në Bankën Popullore, nga ku u konstatua se përgjatë vitit 2024, përkrah proceseve të rregullta të punës, është punuar edhe në disa projekte të cilët mundësojnë ndryshime në veprimtari në aspektin e rritjes së efikasitetit, cilësisë, transparencës dhe sigurisë, përshtatjen me kërkesat e reja ligjore, rregulloret europiane dhe standardet ndërkombëtare.
Si një nga arritjet më të rëndësishme përgjatë vitit 2024 është paraqitja e aplikimit për antarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Nën udhëheqjen e Bankës Popullore, u ndërmorën aktivitete të shumta për harmonizimin e rregulloreve kombëtare me legjislacionin e BE- së, që e mundësuan pranimin e vendit tonë si anëtarin e 39-të të SEPA-s më 6 mars të këtij viti. Ky hap paraqet progres të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së dhe konfirmim të kërkesave dhe standardeve të larta rregullatore për institucionet financiare vendase gjatë kryerjes së pagesave.
Për të siguruar efikasitetin e nevojshëm të pagesave në euro me anëtarësimin e vendit në SEPA, Këshilli i Bankës Popullore në mbledhjen e sotme bëri ndryshime shtesë në kornizën rregullative për kryerjen e pagesave jashtë vendit. Këto ndryshime, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 5 tetori i këtij viti, kur ofruesit e shërbimeve të pagesave do të mund t'i bashkohen për herë të parë sistemeve të pagesave në SEPA, arrihet liberalizim i rëndësishëm i pagesave ndërkufitare. Gjegjësisht, hiqen detyrimet e mbetura për paraqitjen e detyrueshme të dokumentacionit gjatë kryerjes së pagesave dalëse dhe hyrëse jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, mjetet nga jashtë do të vedosen në llogaritë e pagesave të qytetarëve dhe kompanive menjëherë, dhe jo më vonë se ditën tjetër të punës. Vetëm për numër të vogël pagesash, për të cilat parashikohen kufizime ligjore deri në hyrjen e vendit në Bashkimin Europian, dokumentacioni do të vijojë të bashkëngjitet dhe me vonesë do tu vihet në dispozicion të marrësve. Këto ndryshime në kuadrin rregullator do të rrisin efikasitetin e proceseve në sektorin bankar, duke krijuar kështu kushte për pagesa më të shpejta dhe më të lira në euro për qytetarët dhe kompanitë.
Gjatë vitit, u punua intenzivisht në disa aktivitete dhe projekte që synojnë modernizimin e operacioneve, rritjen e mëtejshme të rezistencës së sistemit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Në veçanti dallohen këto:
− u miratuan ndryshime dhe plotësime në Ligjin e Bankës Popullore sipas rekomandimeve të FMN-së dhe praktikave më të larta ndërkombëtare;
− u miratuan masa makroprudenciale, duke forcuar më tej elasticitetin e sektorit bankar;
− është punuar në 12 akte nënligjore për ndërhyrje mbi bankat, të cilat janë miratuar në mars 2025, si dhe është përgatitur propozim i ri për Ligjin e Bankave, në pajtim me standardet më të fundit;
− për herë të parë u publikua Rishikimi i financave të gjelbërta – të dhëna statistikore për ndryshimet klimatike;
− u krijua kuadër i ri, i përmirësuar për testimin makro-stresues të qëndrueshmërisë së sistemit bankar ndaj goditjeve makroekonomike, si dhe po punohej për zhvillimin e kuadrit të veçantë për testimin e stresit të ndikimit të rreziqeve klimatike në sistemin bankar.
− në kuadër të anëtarësimit në Rrjetin ndërkombëtar për sistem financiar të gjelbër (NGFS), ekspertë nga Banka Popullore morën pjesë në përgatitjen e Udhëzuesit për zbulimin e rreziqeve dhe mundësive të lidhura me rreziqet klimatike për bankat qendrore;
− është përgatitur propozimi i parë për Politikën e Qëndrueshmërisë së Bankës Popullore;
− në vitin 2024, Banka Popullore ua mundësoi qytetarëve që pa pagesë të marrin shpejtë dhe lehtë raport nga Regjistri i kredive, përmes Portalit të Shërbimit Kombëtar;
− u prezantua shërbim i ri ueb për shkarkimin automatik të të dhënave nga Lista e kursit të këmbimit;
− u lidh Memorandum bashkëpunimi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), për zbatimin e Kodit për finansim të grave sipërmarrëse në vendin tonë;
− Banka Popullore i përpunoi për herë të parë Udhëzimet për përfshirje më të madhe të personave me aftësi të kufizuara si konsumatorë në sektorin bankar për bankat;
− është botuar Broshurë për personat me shikim të dëmtuar, duke ofruar edukim financiar dhe informacion për të drejtat e tyre;
− grupet e të dhënave u pasuruan me të dhëna të reja nga statistikat e llogarive financiare dhe u shkurtuan afatet për publikimin dhe paraqitjen e pozicionit të investimit ndërkombëtar (PIN) dhe bilancit mujor të pagesave (BP), në pajtim me kërkesat e BE-së.
Në Raportin për rreziqet në sistemin bankar për vitin 2024, i cili u miratua në të njëjtën mbledhje, thuhet se sistemi bankar do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në vitin 2024, me rritje të shtuar të depozitave dhe kredive, përmirësim të likuiditetit dhe aftësisë paguese, si dhe me ruajtjen e cilësisë së mirë të portofolit të kredisë. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit, përgjatë vitit 2024, arriti nivele që janë më të larta që nga viti 2006 e këndej, dhe në fund të vitit shënonte 18,9%. Pavarësisht tendencave pozitive, ekziston ende nevoja për të mbikëqyrur me kujdes rreziqet, veçanërisht për shkak të mjedisit të paqëndrueshëm gjeopolitik dhe goditjeve të mundshme nga jashtë.
Këshilli i Bankës Popullore shqyrtoi dhe miratoi edhe materiale të tjera nga fusha e veprimtarisë së Bankës Popullore.