Banka Popullore ishte nikoqire e takimit punues me mësuesit dhe profesorët - koordinatorët e shkollave fillore dhe të mesme nga vendi të cilët do të marrin pjesë në Kuizin Evropian të Parasë. Në ngjarjen e sotme, u mbajt prezantimi i fazave individuale dhe trajnim përgatitor për garën, e cila në organizim me Asociacioni Bankar Maqedonas, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Bankën Popullore dhe Komisionin për Letra me Vlerë, mbahet për herë të parë në vendin tonë, me qëllim edukimin financiar të të rinjve nga mosha 13 deri në 15 vjeç.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Guvernatorja e Bankës Popullore, Dr. Anita Angelovska-Bezhoska foli rreth rëndësisë së edukimit financiar dhe theksoi se Kuizi Evropian i Parasë, si një nismë e Federatës Bankare Evropiane i bashkoi rregullatorët financiar dhe bankat, si dhe institucionet arsimore në vend, drejt një qëllimi shumë të rëndësishëm, që është përmirësimi i aftësive të më të rinjve në fushën e financave, gjë që kontribuon për përmirësimin e njohurive dhe aftësive të tyre për tu përballuar me sfidat e punës dhe jetës në të ardhmen. Ajo shprehu kënaqësinë e veçantë për interesin masiv ndaj thirrjes për kuizin, duke qenë se numri i klasave dhe viteve të paraqitura është shumë ma i lartë se sa pritej dhe vlerësohet se rreth 3.000 nxënës nga i gjithë vendi do të përfshihen në fazën e testimit të brendshëm.
„Qasja e këtillë, duke përfshirë klasa dhe vite të tëra, mundëson të gjithë ato nxënës të njihen me problematikën e edukimit financiar, me aspektet lidhur me punën e bankës qendrore, bankat, tregjet e letrave me vlerë. Ky është një përfitim i rëndësishëm dhe njëkohësisht qëllimi i iniciatorit dhe organizatorëve - fushëveprim masiv, edukim më i gjerë“ - theksoi Guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Petar Atanasov mori fjalën, i cili ndër të tjera theksoi se trajnimi dhe edukimi i të rinjve është prioritet i çdo shoqërie. Ai rikujtoi se, në kontekst të realizimit të këtij qëllimi prioritar, Ministria nënshkroi një memorandum për bashkëpunim edhe me Asociacioni Bankar Maqedonas, me të cilin parashihen aktivitete të përbashkëta të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e kulturës financiare dhe edukim të të rinjve dhe zbatimin projekteve, trajnimeve, seminareve dhe garave nga fusha e financave dhe ekonomisë. Një prej këtyre aktiviteteve është edhe Kuizi Evropian i Parasë. Këtë aktivitet, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do ta mbështesë përmes vendosjes së kontaktit me shkollat fillore dhe të mesme. „Shpresoj se pjesëmarrja e një numri të madh të nxënësve do të kontribuojë për një cilësi më të lartë dhe sukses të garuesve si në plan kombëtar ashtu edhe në aktivitetet ndërkombëtare. “- theksoi zëvendësministri Atanasov.
Të pranishmit i përshëndeti edhe z. Kosta Mitreski, Kryetar i Asociacioni Bankar Maqedonas, dhe Mr. Milena Perçinkova nga Asociacioni e cila mbajti një prezantim për rrjedhën e garës. Pastaj u prezantuan materialet për edukim financiar nga Banka Popullore nga fusha e financave personale, prasë dhe bankave, bashkë me një pasqyrë për pyetjet e kuizit nga ana e Ekonomistit Kryesor, Dr. Aneta Krstevska. Materialet për përgatitje për kuizin nga Komisioni i Letrave me Vlerë u prezantuan nga ana e z-njës Ivana Boljat.
Koordinatorët u informuan rreth procedurës së plotë administrative për mbajtjen e kuizit. Gara për Kuizin Evropian të Parasë do të zhvillohet në tre faza. Më 13 mars do të zhvillohet testi i parë përgatitor brenda klasave respektivisht viteve të paraqitura, ndërsa një javë më vonë do të mbahet edhe testi i dytë përgatitor. Më të mirët pas këtyre dy testeve do të marrin pjesë në garën finale, e cila do të mbahet në Shkup më 27 mars, pas të cilës do të bëhen të njohur dy më nxënësit më të mirë të cilët do të përfaqësojnë vendin në Kuizin Evropian të Parasë në Bruksel, më 7 maj të këtij viti.
Pritet që këto aktivitete lidhur me kuizin të kontribuojnë konsiderueshëm në ngritjen e nivelit të kulturës financiare të më të rinjve në vend.