Shkup, 21 dhjetor 2021
Banka Popullore është qendër e vërtetë e dijes dhe një hallkë e rëndësishme në sistemin institucional, si në vend ashtu edhe në rajon. Kjo ka një rëndësi të madhe për sfidat që na presin, të cilat vijnë kryesisht me procesin e digjitalizimit, tendencat e reja në sektorin bankar dhe mbështetjen e financave të gjelbra. Kështu u theksua në takimin e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe drejtoreshës së Qendrës për Ekselencë në Financa (CEF) në Slloveni, Jana Repansek.
CEF theksoi se banka jonë qendrore është një shembull i shkëlqyer për shumë institucione në rajon, se si duhet të funksionojë një qendër e mirëfilltë e dijes. U theksua se Banka Popullore vazhdimisht investon në ndërtimin e kapitalit njerëzor cilësor, si dhe në përmirësimin e njohurive dhe aftësive të punonjësve, që është parakusht për rritjen e institucioneve dhe vendeve në mënyrë të qëndrueshme, të zgjuar dhe gjithëpërfshirëse.
Në të njëjtën kohë, Banka Popullore përveç që fokusohet në përvetësimin e njohurive, ajo gjithashtu transferon njohuri dhe ekspertizë për nevojat e institucioneve të tjera brenda dhe jashtë vendit. Andaj, drejtori i CEF-it shprehu falënderim të madh për Bankën Popullore për angazhimin e saj si një nga institucionet partnere që merr pjesë në aktivitetet për arritjen e qëllimeve të CEF-it në përputhje me Planin Strategjik. Drejtori i CEF-it gjithashtu theksoi se Banka Popullore është një institucion jashtëzakonisht i përkushtuar në arritjen e transparencës dhe komunikimit të mirë, gjë që kontribuon edhe për përfitime edukative për publikun.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska falënderoi për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe mbështetjen nga CEF, si institucion që jep kontribut të madh në forcimin e kapaciteteve institucionale në rajon. Ajo theksoi se Banka Popullore do të vazhdojë bashkëpunimin me CEF-in edhe në të ardhmen në fushën e aftësimit profesional të punonjësve, duke përdorur metodat e shkëmbimit të përvojave me bankat qendrore anëtare të CEF-it, si dhe përmes trajnimeve të mëtejshme të synuara në fushat që për momentin janë sfida për bankat qendrore, në radhë të parë në fushën e mikrombikëqyrjes, përmirësimin e vazhdueshëm të rregulloreve bankare në përputhje me standardet evropiane dhe në fushën e vlerësimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në sektorin financiar.
CEF është institucion edukativ për trajnime në fushën e financave publike në Evropën Juglindore dhe është një nga partnerët kryesorë të Bankës Popullore në shkëmbimin e njohurive dhe përvojës profesionale në njëzet vitet e fundit. Kjo qendër trajnimi veprimtarinë e saj e mbështet në gjashtë shtylla: kultura dhe qëndrimi i duhur organizativ ndaj edukimit, partneriteti me institucionet ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në edukim, fondet për mësim dhe shkëmbim të njohurive, procesi i përcaktuar i përvetësimit dhe shkëmbimit të njohurive, aplikimi i metodave të komunikimit për edukim që çon në ndryshime dhe mekanizëm për monitorim dhe vlerësim të aktiviteteve edukative të zbatuara.