Shkup, 21 nëntor 2023
Një nga mësimet e nxjerra nga kriza globale financiare e vitit 2008 është se edukimi i duhur financiar i popullsisë është parakusht për stabilitetin e të gjithë sistemit financiar, kjo pasi që zvogëlon rrezikun e borxhit të tepërt dhe pamundësinë për të shlyer detyrimet ndaj institucioneve financiare. Duke pasur parasysh se stabiliteti financiar është një nga qëllimet e bankave qendrore, ato në dekadën e fundit janë bërë shtytëse të rëndësishme të procesit të edukimit financiar në botë, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, gjatë fjalimit të saj në ngjarjen “Si të arrihet deri te pavarësia financiare e të rinjve?”, e organizuar nga “Klubi Alpah Maqedoni”. Guvernatorja theksoi se përmirësimi i edukimit financiar dhe gjithëpërfshirja, prej vitit 2021, është një nga prioritetet strategjike të Bankës Popullore, për çka edhe po ndërmerren një numër i madh i aktiviteteve dhe masave. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ekonomistja kryesore e Bankës Popullore, Aneta Krstevska, e cila në panelin e diskutimit foli për politikat e promovimit të pavarësisë financiare dhe të vetëbesimit tek të rinjtë.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska vuri theksin te disa hulumtime të fundit, si ai i realizuar nga INFE-OECD-ja në vitin 2019, i cili tregon se edukimi financiar në vendin tonë është në nivel të ngjashëm me vendet e rajonit të Europës Juglindore. Për sa i përket përfshirjes financiare, sipas bazës globale të të dhënave të Bankës Botërore “Findeks”, gjatë viteve të fundit përfshirja financiare sipas disa treguesve ka pasur progres, por ende mbetet pas Eurozonës. Në të njëjtën kohë, hendeku sa i përket moshës është veçanërisht i dukshëm. Kështu, tek të rinjtë e grupmoshës 15 deri në 24 vjeç, posedimi i një llogarie në dhjetë vitet e fundit (midis vitit 2011 dhe 2021) është rritur në 74%, megjithatë përsëri është shumë larg nën mesatares së Eurozonës prej 95%. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 46% e të rinjve në vendin tonë kanë kartelë debitore, kundrejt 86% në Eurozonë, ndërsa përqindja e të rinjve që kursejnë në institucion financiar është 15%, kundrejt 60% në Eurozonë. Sa i përket pagesave digjitale, përqindja e të rinjve në Eurozonë që kanë realizuar pagesa të tilla është 92%, ndërsa në vendin tonë është 60%. Për këto arsye, Banka Popullore i kushton rëndësi të veçantë dhe bën përpjekje për të përmirësuar edukimin dhe përfshirjen financiare, veçanërisht tek të rinjtë, duke pasur parasysh se vetëm individi me edukim të mirë financiar mund të përmirësojë perspektivat për arritjen e qëllimeve të veta financiare, por edhe të kontribuojë në ekonominë në tërësi. Për këtë qëllim janë ligjeratat e rregullta për popullatën e re në vendin tonë, përfshirë edhe fëmijët e moshës parashkollore, që në dy vitet e fundit, janë trefishuar në numër.
Në fjalimin e guvernatores u theksua edhe rëndësia e qasjes së koordinuar të institucioneve financiare dhe në përgjithësi të të gjithë aktorëve shoqërorë, në aktivitetet për ngritjen e edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes në vend, si parakusht për stabilitet financiar dhe rritje ekonomike. Aktivitetet kanë filluar dhjetë vjet më parë me formimin e Trupit koordinues për edukim financiar dhe përfshirje financiare, me të cilin udheheqë Banka Popullore dhe në të janë anëtarë të gjithë rregullatorët financiarë. Në të njëjtën kohë, aktivitetet janë intensifikuar veçanërisht në vitet e fundit përmes zbatimit të Strategjisë së parë kombëtare për edukim financiar dhe përfshirje financiare me iniciativën e Bankës Popullor, miratimit të Kodit të praktikave të mira për edukimin financiar dhe Kompetencave bazë të edukimit financiar, si bazë për përgatitjen e programeve arsimore. Guvernatorja theksoi se Banka Popullore çdo vit organizon ligjërata për qindra studentë dhe mësimdhënës, si dhe përgatit materiale edukative dhe botime. Me qëllim që të përforcohet mbrojtja institucionale tek qytetarët gjatë përdorimit të shërbimeve financiare, në fund të vitit 2021 në Bankën Popullore u krijua drejtori e veçantë, e cila kujdeset për mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve bankare.