20 dhjetor 2021
Përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së politikës monetare, aktivitetet për të forcuar më tej stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar, inkurajimi i inovacionit në sistemin financiar, ofrimi i hapësirës për shërbime pagesash më të aksesueshme, më të lira dhe më efikase dhe forcimi i menaxhimit të rreziqeve nga ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tyre në sistemin financiar - këto janë disa prej aktiviteteve të parapara në Programin e punës së Bankës Popullore për vitin 2022, të miratuar nga Këshilli i Bankës Popullore.
Aktivitetet e parapara programore janë në mbështetje të realizimit të qëllimeve strategjike të Bankës Popullore të përcaktuara me Planin Strategjik të miratuar në qershor të këtij viti.
Me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës për të udhëhequr politikën monetare, është planifikuar zgjerimi i portofolit të modeleve të disponueshme, përmirësimi i kornizës operative të operacioneve monetare, si dhe përmirësimi i bazës analitike për monitorim të lëvizjeve të tregut valutor dhe aplikimin e praktikave më të mira në politikën e ndërhyrjes të Bankës Popullore.
Për sa i përket ruajtjes dhe forcimit të mëtejshëm të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë të sistemit bankar, parashikohen aktivitete për përmirësimin e mëtejshëm të kornizës së përgjithshëme mbikëqyrëse, si dhe fokusim më të madh ndaj rreziqeve prej hapësirës digjitale dhe rreziqeve nga ndryshimet klimatike dhe krizës shëndetësore të imponuara nga mjedisi i jashtëm, si reziqe jotradicionale. Programi parashikon punë të mëtejshme aktive në disa zgjidhje ligjore për forcimin e rrjetit financiar. Vëmendje e veçantë i kushtohet inovacionit dhe konkurrencës në sistemin financiar, si dhe qasjes më të mirë në financa. Ndaj, duke pasur parasysh mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilitetin dhe sigurinë e sistemit financiar në tërësi, në vitin 2022 do të punohet në përfundimin e Strategjisë së parë Kombëtare për mbështetje të sektorit fintek.
Gjatë vitit 2022, Banka Popullore do të punojë në disa projekte në fushën e sistemeve të pagesave, në kuadër të zgjidhjeve të reja ligjore në këtë fushë. Parashikohen aktivitete për mundësimin e hyrjes së ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave dhe operatorëve të sistemit të pagesave, futjen e instrumenteve të reja të pagesave, si dhe ngritjen e një funksioni mbikëqyrës për ofruesit e rinj të shërbimeve të pagesave (institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike) dhe regjistrin e këtyre ofruesve. Në kuadër të nevojës për rritjen e efikasitetit të pagesave ndërkufitare, Banka Popullore do të marrë pjesë në aktivitetet në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në përputhje me përpjekjet globale për të trajtuar ndryshimet klimatike, Banka Popullore do të ndërmarrë veprime për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat e ndryshimeve klimatike, duke forcuar kornizën analitike dhe menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në sistemin financiar. Nisur nga rëndësia e kësaj çështjeje, gjatë vitit 2022 do të krijohet një sistem për raportim të rregullt të kredive "të gjelbra" dhe burimet e financimit, do të përgatitet testimi i stresit për rreziqet financiare nga ndryshimet klimatike në banka dhe do fillojnë edhe aktivitetet për përgatitjen e udhëzimeve specifike për bankat për menaxhimin e duhur të rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Në të njëjtën kohë, Banka Popullore do të punojë në shqyrtimin e mundësive për futjen dhe aplikimin e një instrumenti monetar që do të mbështeste drejtpërdrejt aktivitetin kreditues të bankave vendase për financimin e projekteve të gjelbra dhe krijimin e një portofoli të veçantë të bonove të gjelbra në kuadër të menaxhimit të rezervave valutore.
Programi i punës për vitin e ardhshëm përfshinë një sërë aktivitetesh për qasje proaktive në fushën e edukimit financiar dhe përfshirjes, si dhe për promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në punën e Bankës Popullore. Zbatimi i Strategjisë për edukim financiar dhe përfshirje financiare për periudhën 2021 - 2025, si dhe përgatitja e projektligjit për ombudsman financiar do të jenë në qendër të vëmendjes në periudhën në vijim. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies në funksionimin e Bankës Popullore tashmë është veçuar si synim i veçantë strategjik me planin e ri strategjik. Do të punohet në mënyrë aktive në promovimin e transparencës dhe informacionit të disponueshëm për funksionet, aktivitetet dhe operacionet e Bankës Popullore, në përputhje me rekomandimet e misionit të FMN-së. Ky mision është në përputhje me vlerësimet e bankave qendrore për praktikat e tyre në lidhje me Kodin e Transparencës së bankave qendrore të FMN-së, në të cilin Banka Popullore u kyç vullnetarisht.