Shkup, 20 tetor 2021
Nëpërmjet Portës së Inovacionit të Bankës Popullore vërejmë që kompanitë fintek janë të interesuara për zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve të reja në sferën e pagesave. Ato mund të lehtësojnë menaxhimin e mjeteve të kompanive, të cilat mbahen në llogaritë e pagesave tek disa ofrues të shërbimeve të pagesave, duke monitoruar në kohë reale situatën dhe transaksionet e kryera. Për atë qëllim, do të duhet të vendoset koncepti i ashtuquajtur "Banking i hapur", që nënkupton vendosjen e standardeve për komunikim të hapur dhe të sigurt. Banka Popullore po punon në përgatitjen e aktit nënligjor të përshtatshëm i cili do të përshkruajë standardet për komunikim të hapur dhe të sigurt, të harmonizuar me standardet e zbatuara në Bashkimin Evropian.
Kjo u tha nga zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Emilija Nacevska, në panelin e diskutimit "Mundësi afatgjata: Aspektet ekonomike dhe ligjore të regullativës për investitorët në RMV", në eventin virtual kombëtar në kuadër të Javës Botërore të Investitorëve të ashtuquajturit engjëj - biznesi, i cili u mbajt dje, të organizuar nga Asociacioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Forumi Botëror për Investime të engjujve -të biznesit.
Nacevska, ndër të tjera, iu referua përfitimeve të përpjekjeve të kompanive fintech për të lehtësuar pagesat dhe transferimin e mjeteve duke ofruar zgjidhje novatore për digjitalizimin e shërbimeve të pagesave.
- Duke përdorur zgjidhjet inovative të kompanive fintek, në të ardhmen qytetarët do të jenë në gjendje më lehtë të kryejnë pagesa nga llogaritë e tyre në banka ose tek ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave, si dhe të marrin informacion të qartë dhe të dobishëm përmbledhës dhe analitik në lidhje me sjelljen e tyre konsumatore, në lidhje me pagesat e bëra në një periudhë të caktuar kohore përmes llogarive të tyre të pagesave tek ofrues të ndryshëm të shërbimeve të pagesave, tha zëvendësguvernatorja Nacevska.
Ajo gjithashtu iu referua aktiviteteve të ndërmarra për rritjen e transparencës dhe tarifave të paguara nga qytetarët për shërbimet e kryera të pagesave.
- Në periudhën e kaluar, kemi kryer një studim të bankave mbi shpeshtësinë e përdorimit të shërbimeve të pagesave dhe nivelin e tarifave. Bazuar në rezultatet e hulumtimit, punojmë në përzgjedhjen e shërbimeve më të përdorura për të cilat do të ofrojmë terma dhe përkufizime të standardizuara. Ofruesit e shërbimeve të pagesave do të duhet të përdorin këto terma dhe përkufizime në planet e tyre tarifore. Ofruesit gjithashtu do të dorëzojnë të dhëna në Bankën Popullore për nivelin e tarifave për shërbimet më përfaqësuese, të cilat Banka Popullore do t'i publikojë rregullisht në faqen e saj të internetit, në mënyrë që konsumatorët të kenë informacion të shpejtë dhe të arritshëm për tarifat e shërbimeve të pagesave, tha zëvendësguvernatorja.
Rezultatet e hulumtimit të Bankës Popullore, të cilat prezantoi edhe Nacevska, konfirmojnë se sektori fintek mund të ofrojë mundësi më të mëdha dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe bizneset e vogla dhe mund të kontribuojë në harmonizimin e sistemit financiar me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, zëvendësguvernatorja përkujtoi se Banka Popullore në bashkëpunim me Ministrinë e Financave është duke punuar për një kornizë të re rregullatore në fushën e pagesave me mbështetjen e ekspertëve nga Bashkimi Evropian. Korniza e re rregullatore do të kontribuojë në zhvillimin më të shpejtë të sektorit fintek në vend.
Kryetari i Odës Industriale të Maqedonisë, Trajan Angellovski dhe drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Kosta Petrov, gjithashtu morën pjesë në panel diskutimin "Mundësi afatgjata: Aspektet ekonomike dhe juridike të Rregullativës për investitorët në RMV"