Shkup, 20 prill 2023
Në mbledhjen e Komitetit për Stabilitet Financiar u miratua Strategjia për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilën e përgatiti Banka Popullore, në konsultim me rregulltorët e tjerë financiar, në pajtim me Ligjin e ri për Stabilitet Financiar. Me strategjinë forcohet qasja e koordinuar e rregullatorëve financiar për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Në Komitetin u theksuan edhe përpjekjet e rregullatorëve për vazhdimin dhe forcimin e aktiviteteve eurointegruese, ndërsa në ato korniza u theksua nevoja nga rrumbullakimi i procesit të miratimit të disa ligjeve sistemike nga sfera financiare që do të kontribuojnë për mirëmbajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Sistemi financiar në vend është stabil dhe zhvillimet në sistemin bankar në SHBA dhe Zvicër pothuajse edhe të mos kishin ndikim tek ai. Rregullatorët kompetentë monitorojnë gjendjet në mënyrë të koordinuar dhe janë të përgatitur të veprojnë shpejt, të përshtatin politikat në pajtim me zhvillimet, për mirëmbajtjen e stabilitetit financiar i cili mbetet prioritet.
Këto janë disa nga konkluzionet e mbledhjes së sotme të Komitetit për Stabilitet Financiar, me të cilën kryesonte guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, ku morën pjesë edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS), Maksud Ali, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Sigurimeve (ASO), Kërste Shajnoski dhe kryekëshilltari juridik në Komisionin për letra me vlerë, Mate Stojanovski.
Duke iu referuar gjendjeve në sektorin bankar, guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se sektori bankar është i shëndoshë dhe stabil dhe me shkallë të lartë të rezistencës ndaj goditjeve. Efektet e drejtpërdrejta të zhvillimeve të fundit në tregjet financiare globale në sistemin bankar të Maqedonisë janë të kufizuara, duke marrë parasysh aplikimin e modelit tradicional afarist nga bankat, ekspozimin e ulët dhe detyrimet ndaj vendeve të huaja, si dhe nivelin e ulët të investimeve të bankave në letra me vlerë. “Dhe sipas të dhënave të fundit deri më datë 31.3.2023, bilancet e bankave tona janë solide, me nivel të lartë të kapitalit (niveli më i lartë në dekadën e fundit), likuiditet tradicionalisht solid dhe cilësi solide e portofolit të kredisë gjatë nivelit të ulët të kredive me probleme prej 2,8%. Masat e miratuara më parë për të rritur normën e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit në 0,75% kontribuojnë në forcimin e stabilitetit dhe rezistencës të sistemit bankar. Banka Popullore do të vazhdojë të monitorojë me kujdes gjendjet dhe të ndërmarrë masa përkatëse makroprudenciale dhe mikroprudenciale për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit. Strategjia makroprudenciale është e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të qasjes së koordinuar të rregullatorëve financiar”, theksoi Angellovska-Bezhoska.
“Ministria e Financave, si institucion përgjegjës për punën e shoqërive financiare dhe shoqërive të lizingut, monitoron vazhdimisht punën në këtë segment. Ligji për Shoqëritë Financiare, i cili do të kontribuojë në mbrojtjen më të madhe të qytetarëve që përdorin shërbime nga shoqëritë financiare, është në fazën e leximit të dytë në Kuvend, ndaj presim që shumë shpejt të hyjë në fuqi. Me ligjin e ri do të ulen ndjeshëm tarifat që qytetarët ua paguajnë shoqërive financiare”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional - MAPAS, Maksud Ali, theksoi se MAPAS siguron funksionim të pandërprer, zhvillim dhe përmirësimin e shtyllës së dytë dhe të tretë, transparencë dhe mbikëqyrje efikase të segmentit të dytë në madhësi në sektorin financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. MAPAS monitoron me kujdes gjendjet në sigurimin pensional me financim kapital dhe rreziqet e mundshme në shtyllën e dytë dhe të tretë, në përgjithësi, dhe sigurisht me theks të veçantë gjendjet globale dhe reagimi i shoqërive të pensioneve në raport të strategjive dhe taktikave të tyre investuese, për shkak realizimit të kontributit më të lartë, vetëm në favor të anëtarëve të fondeve pensionale.
Maksud Ali theksoi se fondet e pensioneve minimalisht i kanë ndjerë zhvillimet e fundit në sektorin bankar dhe tregjet në SHBA dhe Zvicër përmes reduktimit global të vlerës së aksioneve të sektorit financiar, sepse mjetet e fondeve pensionale nuk janë drejtpërdrejt të ndara në Bank Silikon Valley, Signature Bank dhe Credit Swiss.
“Sektori i sigurimeve në Maqedoni nuk është drejtpërdrejt i ekspozuar ndaj rreziqeve që janë shfaqur në korniza globale. Investimet e përgjithshme në instrumentet financiare jashtë vendit janë të parëndësishme dhe përfaqësojnë vetëm 0,1% të totalit të aktiveve në sektorin e sigurimeve. Nuk janë përcaktuar lëvizje të mundshme të pamjaftueshme për stabilitetin e sektorit të sigurimeve nga ndryshimi i vlerës së këtyre investimeve. Pjesa më e madhe e detyrimeve të përgjithshme dhe mjeteve të shoqërive të sigurimit dalin nga kontratat e sigurimit të lidhura me klientët vendas (persona juridikë dhe fizikë). Aktivet e përgjithshme në sektorin e sigurimeve në fund të vitit 2022 ishin 30,4 miliardë denarë. Investimet janë kryesisht në obligacione shtetërore dhe depozita në bankat vendase. Kapitali i shoqërive të sigurimit buron nga instrumentet financiare me cilësi më të lartë, që është tregues i besueshmërisë dhe stabilitetit të shoqërive të sigurimit dhe aftësisë së tyre për t'iu përgjigjur ngjarjeve dhe obligimeve të paparashikuara në punën”, theksoi Kërste Shajnoski, kryetar i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO).
Kryekëshilltari juridik në Komisionin për letra me vlerë, Mate Stojanovski, theksoi se edhe pse investimet e fondeve të hapura investuese në SHBA arrijnë në 14% të investimeve të përgjithshme në letra me vlerë, nuk janë regjistruar plasmane të rrezikshme që mund të kenë ndikim negativ në fondin e industrisë, me të cilën përjashtohet mundësia për çfarëdo lloj efekti në të gjithë sistemin financiar. Megjithatë, nevoja për monitorimin e zgjuar të zhvillimeve ekziston dhe për atë qëllim do të shërbejë edhe Strategjia për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e miratuar sot, e cila është bazë e mirë për qasje të koordinuar të rregullatorëve për mirëmbajtjen dhe kujdesin e stabilitetit financiar në raport me tregjet.
Me Strategjinë për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e miratuar në bazë të Ligjit për Stabilitet Financiar, vendoset kornizë për zbatimin operacional të politikës makroprudenciale, e cila në radhë të parë ndikon në sistemin financiar dhe stabilitetin e tij. Më konkretisht, me Strategjinë përcaktohen qëllimet e politikës makroprudenciale, aktivitetet për monitorimin dhe vlerësimin e rrezikut sistemik, përkufizohen treguesit e rreziqeve sistemike, instrumentet makroprudenciale dhe ndërmarrjen e masave makroprudenciale. Në Strategjinë, kujdes i veçantë i kushtohet transparencës në punën e rregullatorëve financiarë dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar, si dhe bashkëpunimi ndërmjet organeve kompetente dhe koordinimi ndërmjet politikës makroprudenciale dhe politikave të tjera, siç janë politika monetare, politika mikroprudenciale, politika fiskale dhe politikat tjera relevante. Komiteti i Stabilitetit Financiar kujdeset për zbatimin e strategjisë makroprudenciale dhe çdo rregullator mund të rregullojë zbatimin e politikës makroprudenciale në kompetencë të tij dhe ta përshtatë atë me specifikat e segmentit përkatës të sistemit financiar.
Gjatë përgatitjes së Strategjisë, u ndoqën rekomandimet e Bordit Europian për rreziqet sistemike, si dhe udhëzimet e FMN-së për politikën makroprudenciale dhe karakteristikat e sistemit financiar vendas.