Shkup, 19 maj 2022
Goditja e shkaktuar nga lufta në Ukrainë mbi çmimet e produkteve parësore në bursat botërore ka kontribuar në korrigjim më të madh në rritjen e normës së inflacionit edhe në vendin tonë. Nëse në tetor prisnim rritje të çmimit të naftës prej 4%, tani pritshmëritë për këtë vit janë rreth 50%, ushqimit kryesisht pritej të stagnojnë, e tani ka rritje dyshifrore, tha viceguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska në intervistë për “Utrinski brifing”.
Viceguvernatorja, megjithatë, thekson se pas rritjes globale, institucionet ndërkombëtare presin stabilizim të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, përkatësisht inflacionit të importuar, dhe me gjasë presioni në ulje mbi çmimet do të shkaktojë ndryshim në sjelljen e konsumatorëve. Në pajtueshmëri me këto pritje, inflacioni parashikohet të stabilizohet në rreth 3% vitin e ardhshëm.
Në lidhje me rritjen e projeksionit të normës së inflacionit për këtë vit në projeksionet e prillit të Bankës Popullore, viceguvernatorja theksoi se ky është trend global, si dhe të njëjtët faktorë të përbashkët ndikojnë në ciklin e inflacionit në të gjitha vendet.
“Pothuajse nuk ka vend në të cilin nuk ka rritje të inflacionit. Dhjetë për qind mesatarisht është inflacioni në rajon për muajin mars, rreth 11% në prill, ndërkaq ka vende të cilat janë dukshëm mbi mesataren. Ka faktorë të përbashkët që ndikojnë në ciklin e inflacionit në të gjitha vendet e botës, veçanërisht në Europë. Vitin e kaluar ishin efektet e pandemisë, ngadalësimi i zinxhirëve të furnizimit, rritja e çmimeve të transportit, ndërprerja e zinxhirëve, më saktë mospajtueshmëria mes e ofertës dhe kërkesës. Kjo u pasua nga rritja e çmimeve të energjisë, veçanërisht e energjisë elektrike, në fund të vitit të kaluar, si rezultat i agjendës së tranzicionit të gjelbër, dhe më pas këto probleme u thelluan edhe më shumë me konfliktin ruso-ukrainas, i cili çoi në mënyrë të pashmangshme rritje të nivelit të çmimeve në të gjitha këto produkte. Këta janë faktorë të përbashkët global të cilët ndikojnë në inflacion”, tha viceguvernatorja Mitreska.
Viceguvernatorja thekson se nëse analizojmë inflacionin tonë mesatar në muajin prill prej 8,4%, gjysma e tij është rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve.
“Çmimet e ushqimeve vendase janë të lidhura kryesisht me çmimet e importit dhe drejtpërdrejt përmes produkteve të gatshme, por edhe nëpërmjet rritjes së çmimeve të lëndëve të para, të energjisë. Çmimet e ushqimeve vendase po rriten edhe nën ndikimin e faktorëve globalë, rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe energjisë. Njëzet për qind e rritjes është për shkak të energjisë dhe aty kemi pothuajse tërësisht komponentë të importuar. Inflacioni bazë është përshpejtuar gjithashtu, por nëse shikoni strukturën e tij, pjesa më e madhe e këtij përshpejtimi është për shkak të presioneve të importuara. Çmimet e lëndëve të para po rriten, rriten çmimet e ushqimeve, të energjisë dhe transferohen në çmimet tjera. Në përgjithësi, pjesa më e madhe e asaj që ndodh me inflacionin në vendin tonë janë lëvizje të importuara. Ne në bankën qendrore, natyrisht, këto përfundime nuk i bazojmë vetëm në monitorimin e zhvillimeve. Ka analizë vërtet të rreptë, e cila i vërteton këta faktorë dhe burimet e rritjes së inflacionit, duke konstatuar se presioni nga kërkesa e brendshme tani për tani është i vogël”, tha viceguvernatorja Mitreska.