Normat e interesit për bonot e thesarit dhe depozitat në dispozicion janë ulur në 0,26 p.p.
Shkup, 18 dhjetor 2024
Më 17 dhjetor 2024, u mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit ekzekutiv për përcaktimin e politikës monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë globale dhe vendase dhe zhvillimet më të fundit në fushën e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe vendase në kontekst të përcaktimit të politikës monetare.
Në mbledhje u vlerësua se kushtet e fundit në ekonomi bëjnë të mundur vazhdimin e normalizimit gradual të përcaktimit të politikës monetare. Kështu, u vendos ulja e normës së interesit të bonove të thesarit me 0,25 p.p., në nivelin 5,55%. Në mbledhje u mor vendimi për uljen e normave të interesit për depozitat në dispozicion, gjithashtu me 0,25 p.p., në mënyrë që normat e interesit për depozitat njëditore dhe 7-ditore të jenë përkatësisht 3,95% dhe 4%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është e pandryshuar dhe arrin në 10 miliardë denarë.
Me një ndryshim të tillë të normave të interesit, ruhet qasja e kujdesshme në drejtimin e politikës monetare, e cila kushtëzohet nga prania e vazhdueshme e rreziqeve që lidhen me mjedisin e jashtëm, por edhe me faktorë të brendshëm që ndikojnë në kërkesën agregate. Ende pritet që niveli i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të marra, do të kontribuojnë në stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm dhe në stabilitetin e kursit të denarit në raport me euro.
Vendimi për politikën monetare bazohet në vlerësimet e inflacionit, i cili lëviz brenda pritshmërive, si dhe në lëvizjet e vazhdueshme të favorshme të tregut valutor. Norma vjetore e inflacionit pritej të përshpejtohet në muajin nëntor dhe arriti në 4,3% (3,5% në tetor), për shkak të çmimeve të ushqimeve. Kjo shpjegohet kryesisht me bazën më të ulët krahasuese nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, si pasojë e masave të marra në atë kohë për të kufizuar përkohësisht rritjen e çmimeve. Në të njëjtën kohë, inflacioni bazë po ngadalësohet me bazë vjetore dhe ka rënie të mëtejshme të çmimeve të komponentit të energjisë. Efektet e bazës krahasuese për çmimet e ushqimeve do të kenë një ndikim të zgjatur, pra deri në fund të vitit norma vjetore e inflacionit pritet të qëndrojë pranë nivelit të muajit të kaluar. Pavarësisht lëvizjeve të tilla, mesatarisht për të gjithë vitin 2024, pritet që inflacioni të jetë 3,5%, pra brenda normës së parashikuar, sipas ciklit të projeksioneve të tetorit. Në sondazhet e KE-së për pritjet e konsumatorëve ende mbizotërojnë pritshmëritë për ulje çmimesh në periudhën e ardhshme. Për sa i përket çmimeve në bursë të produkteve primare, sipas parashikimeve të fundit, ato janë rishikuar në rënie, në përputhje me uljen e kërkesës globale.
Gjendja në tregun valutor është e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të muajit nëntor arriti 4.920 milionë euro, i cili është i mjaftueshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Në përputhje me lëvizjet e favorshme të tregut valutor, Banka Popullore ndërhyri që nga fillimi i vitit me blerje neto të devizave, gjë që kontribuoi në arritje më të mira të rezervave valutore sesa pritej. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në tetor 2024 është aktualisht më i ulët krahasuar me pritjet për tremujorin e katërt të ciklit të projeksionit të muajit tetor. Arritjet në tregun valutor në fund të muajit nëntor janë në përputhje me flukset neto të parashikuara nga transfertat private. Suficiti i realizuar në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave në tremujorin e tretë të vitit 2024 është pothuajse në nivelin e projeksionit të tetorit, me dalje financiare neto të realizuara në përputhje me pritjet.
Lidhur me politikën e Bankës Qendrore Europiane (BQE), si një faktor që e merr parasysh edhe Banka Popullore, në mbledhjen e fundit të dhjetorit, për herë të katërt këtë vit, është marrë vendim për uljen e normave të interesit me 0,25 pikë përqindjeje.
Rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2024 u përshpejtua mesatarisht dhe arriti në 3%, që është afër parashikimeve të Bankës Popullore. Rritja e arritur në tre tremujorët e parë të vitit është 2,6% dhe është pak më e lartë se sa pritej, me rishikime në rritje të të dhënave për gjysmën e parë të vitit. Për sa i përket rreziqeve për rritjen në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe lidhen mbi të gjitha me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin dhe dinamikën e zbatimit të projekteve të brendshme infrastrukturore.
Në sektorin monetar, depozitat dhe kreditë kanë shënuar norma solide rritjeje dhe lëvizjet janë aktualisht më të mira se sa pritej për tremujorin e fundit të vitit.
Në përgjithësi, zhvillimet e fundit tek treguesit kryesorë makroekonomikë, si dhe vështrimet për ecurinë e tyre në të ardhmen, krijuan hapësirë për normalizimin e mëtejshëm të politikës monetare. Rreziqet që lidhen me mjedisin e jashtëm vazhdojnë të ekzistojnë dhe po monitorohen me kujdes rreziqet e mundshme nga faktorë të brendshëm që mund të ndikojnë në kërkesën dhe çmimet në periudhën e ardhshme. Prandaj, zbatimi i politikave të kujdesshme makroekonomike do të jetë prioritet edhe në të ardhmen. Banka Popullore është ende e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit dhe stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm.