Dje u mbajt Sesioni i 37-të i Klubit të Hulumtuesve i formuar nga Banka Popullore. Për shkak të kushteve lidhur me pandeminë e Kovid-19, edhe ky sesion u zhvillua përmes një video konference, duke mundësuar që në të të marrin pjesë një numër më i madh pjesëmarrësish.
„Banka Popullore ka një vendosmëri të fortë që edhe në kushte të „normalitetit të ri“ të vazhdojë me aktivitetet në fushën e veprimtarisë hulumtuese. Për këtë qëllim, vazhdojmë pa ndërprerje me mbajtjen e Klubit të Hulumtuesve, i cili për shkak të rrethanave është në format virtual. Në fakt, pikërisht në rrethana të këtilla të krizës, nevoja për veprimtari hulumtuese dhe analitike është e madhe, sepse paraqet një nga bazat kryesore për vendimmarrjen nga ana e politikëbërësve“ - theksoi guvernatorja, Anita Angelovska-Bezhoska, në fjalën e saj përshëndetëse.
Në të njëjtën kohë, ajo shkurtimisht iu referua përmbajtjes dhe përfundimeve të punimit hulumtues „Ndikimi i flukseve të kapitalit mbi investimet e brendshme në ekonomi të zgjedhura në tranzicion“, nga autoret Vesna Stojçevska dhe Tijana Angjelovska, i prezantuar pas fjalës përshëndetëse të guvernatores.
Motiv i përgatitjes së këtij punimi hulumtues, siç u theksua në sesion, ishte rëndësia e flukseve të kapitalit për nivelin e kapitalit në një ekonomi dhe roli i tyre në nxitjen e rritjes ekonomike. Punimi i Stojçevskës dhe Angjelovskës u përqendrua në analizat e ndikimit të drejtpërdrejtë të flukseve të kapitalit mbi investimet e brendshme. Siç u theksua në prezantimin e sesionit, për nevojat e analizës është ndërtuar një bazë me panel të dhëna nga 18 shtete, të gjitha nga grupi i ekonomive në tranzicion dhe post-tranzicionit. Të dhënat i referohen periudhës nga vitit 1991 deri 2018, dhe me përdorimin e metodave ekonometrike janë vlerësuar lidhjet ndërmjet kategorive individuale.
„Përfundimi i përgjithshëm i modelit është se flukset kapitale aktualisht kanë një ndikim të caktuar pozitiv mbi investimet e brendshme, me vlerësimin se borxhet financiare kanë efekt më të madh mbi investimet e brendshme.“ - theksoi Vesna Stojçevska, e cila në emër të të dy autoreve e prezantoi punimin duke i arsyetuar përfundimet.

Pas prezantimit, midis pjesëmarrësve u zhvillua një diskutim për ndikimin e flukseve të kapitalit mbi investimet e brendshme, të nxitur nga përfundimet e Stojçevskës dhe Angjelovskës.
Sesioni i ardhshëm i Klubit të Hulumtuesve është në mars të vitit të ardhshëm.