Shkup, 18 dhjetor 2020
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Bankës Popullore miratoi Programin e Punës së Bankës Popullore për vitin 2021, i cili i përfshin aktivitetet e programit përmes të cilave kontribuohet në arritjen e qëllimeve strategjike nga Plani Strategjik për periudhën e viteve 2020-2022.
Programi i Punës së Bankës Popullore për vitin 2021 parashikon aktivitete programore të cilat mundësojnë përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës së përgjithshme analitike të procesit të vendimmarrjes dhe aktivitete për qasje aktive për t’iu përgjigjur sfidave në ekonominë vendase. Prandaj, janë parashikuar më shumë aktivitete analitike dhe kërkimore, të cilat janë një mbështetje e rëndësishme gjatë vendimmarrjes lidhur me politikën monetare, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar.
Duke njohur rëndësinë e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare për përdorim më të madh të përfitimeve të shërbimeve financiare, por edhe për administrimin e duhur të rreziqeve, në Programin e Bankës Popullore për vitin 2021 janë parashikuar më shumë projekte nga kjo fushë. Në këtë kontekst, aktivisht do të punohet për përpilimin e Strategjisë për zbatimin e teknologjive të reja financiare, dhe do të vazhdojnë edhe aktivitetet për rrumbullakimin e Strategjisë për edukim financiar dhe përfshirje financiare dhe për fillimin e zbatimit të saj. Përveç aktiviteteve të rregullta, Programi i Punës së Bankës Popullore parashikon projekte më të rëndësishme me të cilat do të mundësohet rritja e edukimit financiar të popullatës me qëllim njohje dhe përdorim më të mirë të instrumenteve të ndryshme financiare dhe ngritjen e ndërgjegjes për sistemin financiar.
Me miratimin e Ligjit të ri për Shërbime të Pagesave dhe Sisteme të Pagesave, do fillojë zbatimi i projekteve për ndryshime ose miratimin e një rregulloreje të përshtatshme nënligjore në fushën e shërbimeve të pagesave dhe sistemeve të pagesave. Pritet që me kornizën e re ligjore në sferën e pagesave, e cila në vëllim të konsiderueshëm do të jetë e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian, të forcohet konkurrenca dhe inovacioni përmes hapjes së tregut për ofrues të ri të shërbimeve të pagesave dhe operatorë të sistemeve të pagesave, dhe në veçanti për ata nga sektori fintech, do të rritet edhe më tej transparenca e ofrimit të shërbimeve të pagesave dhe do të forcohet mbrojtja e klientëve.
Edhe në Programin e vitit 2021, Banka Popullore parashikon aktivitete projektuese në segmentin e përmirësimit të procesit të përpilimit dhe shpërndarjes së të dhënave statistikore. Të dhënat e besueshme dhe cilësore statistikore janë thelbësore për marrjen e vendimeve ekonomike, prandaj parashikohen më shumë projekte me të cilat do të zgjerohet portofoli i të dhënave statistikore në dispozicion. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojnë aktivitetet për thjeshtëzimin e procesit të grumbullimit të të dhënave statistikore dhe formimin e mundësive për ndërtimin e një baze të të dhënave me të cilat do të përmirësohet efikasiteti gjatë përdorimit të tyre. Me projektet e parashikuara në fushën e statistikës do të mundësohet përafrim i mëtejshëm drejt standardeve më të larta ndërkombëtare statistikore.
Edhe për vitin 2021, Banka Popullore parashikon organizimin e ngjarjeve që do të mundësojnë këmbim të përvojave dhe diskutime mbi tema të cilat prekin veprimtarinë e bankës qendrore. Për këtë qëllim, parashikohet të vazhdohet me organizim të rregullt të konferencës kërkimore vjetore, si një platformë ku, hulumtuesit e bankave qendrore dhe komunitetit akademik zhvillojnë diskutim të bazuar mbi kërkime dhe këshilla që janë relevante për veprimtarinë e bankave qendrore dhe për politikëbërësit e rajonit. Gjithashtu, parashikohet organizimi i Konferencës së 13-të vjetore për pagesa dhe infrastrukturë të tregut, për përforcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe operatorëve të sistemeve të pagesave përmes informimit për risitë në fushën e shërbimeve të pagesave në nivel global edhe evropian.
Një pjesë e aktiviteteve të Bankës Popullore në vitin e ardhshëm do të destinohen drejt përmirësimit të mëtejshëm të transparencës, përgjegjësisë sociale dhe qeverisjes korporative.
Këshilli i Bankës Popullore gjithashtu shqyrtoi edhe Raportin për pjesëmarrjen, rekomandimet dhe aktivitetet e Bankës Popullore në procesin e eurointegrimeve në periudhën shtator 2019 - tetor 2020, si një cikël i rrumbullakuar kohorë në proceset e eurointegrimeve. Raporti jep një pasqyrë për përfshirjen dhe kontributin e Bankës Popullore në të gjitha proceset dhe dokumentet nacionale strategjike për integrim në BE, përmes ndërmarrjes së aktiviteteve sa i përket harmonizimit të punës së saj me standardet evropiane, në kuadër të fushave që i mbulon.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda kompetencave të tij.