Punimi për bankingun ndërkufitar në vendin tonë dhe në përgjithësi në rajonin e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, autoret e të cilit janë guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska, viceguvernatorja Ana Mitreska dhe Frosina Celeska dhe Ljupka Georgievska nga Drejtoria për stabilitet financiar, rregullativë bankare dhe ndërhyrje të jashtëzakonshme në banka të Bankës Popullore është publikuar në librin e botuar me rastin e dhjetëvjetorit të formimit të Nismës së Vjenës. Libri përfshin punime të autorëve të shquar nga komuniteti evropian i bankingut qendror dhe institucioneve dhe organizatave financiare ndërkombëtare.
Prania dominuese e bankave të huaja është karakteristikë e përbashkët e sistemeve bankare në EQLJ, përfshirë edhe në vendin tonë. Duke u nisur nga ky konstatim, autoret e Bankës Popullore iu referohen përfitimeve kryesore nga prania e bankave të huaja, siç janë qasja më e lehtë në financim, futja e praktikave moderne në veprimtarinë bankare dhe menaxhimin e korporatave, si dhe menaxhimi i përgjithshëm të rrezikut.
Në punim, ata gjithashtu shtjellojnë edhe rreziqet nga bankingu ndërkufitar, që u bënë më të dukshme në rajon me paraqitjen e krizës globale ekonomike dhe financiare, kur pati një tërheqje të caktuar të burimeve të huaja të financimit në rajon. Duke vepruar kështu, analizohet edhe përvoja e sistemit tonë bankar, ku financimi i huaj është i kufizuar, ndërsa bankat janë të përfshira në banking tradicional, gjë që mundëson efekte të kufizuara negative nga kriza financiare dhe ndikim të moderuar mbi ciklin e kredisë. Autoret nga Banka Popullore i shqyrtojnë sfidat kryesore për banking efektiv ndërkufitar, lidhur me nevojën e qasjes më të ekuilibruar në financim të bankave dhe shmangien e ekspozimit të tepërt ndërkufitar dhe nevojën për bashkëpunim më efikas ndërkufitar, për një koordinim më mëtejshëm më të suksesshëm ndërmjet rregullatorëve. Në fund të punimit, analizohen edhe efektet që ndryshimet rregullatore të pas-krizës mund të kenë mbi sistemet bankare nga rajoni i EQLJ.
Libri i botuar i Nismës së Vjenës, përveç punimeve dedikuar bankingut ndërkufitar, përfshin edhe punime dedikuar platformave për bashkëpunim në fushën e stabilitetit financiar, rëndësisë së karakteristikave kryesore të sektorit financiar në rajon dhe kapacitetit të tij për mbështetje të inovacioneve dhe rritjes ekonomike, si dhe punime të përgjithshme për përvojat e Nismës së Vjenës në periudhën e kaluar dhjetëvjeçare.
Libri është i disponueshëm këtu.
Nisma e Vjenës paraqet një platformë për sektorin privat dhe publik, e cila i bashkon institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, Komisionin Evropian dhe institucionet relevante të BE-së, bankat e pranishme globale dhe rajonale me mbështetësit e tyre dhe filialet në EQLJ, si dhe autoritetet rregullaore të më shumë vendeve nga Evropa, përfshirë këtu edhe vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Përmes masave dhe aktiviteteve të koordinuara dhe bashkëpunimit efikas të këtyre institucioneve, qëllimi i Nismës së Vjenës është të ruaj dhe të forcojë stabilitetin financiar dhe të sigurojë mbrojtje nga krizat sistemike bankare në këtë pjesë të Evropës.
Këtë vit, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska është zgjedhur anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Nismës së Vjenës, si përfaqësuese e gjashtë vendeve nga rajoni i Evropës Juglindore që ende nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian (BE).