Shkup, 17 dhjetor 2024
Banka Popullore përforcon aktivitetet për përmirësimin e jetës se personave me aftësi të veçanta duke lehtësuar qasjen deri te shërbimet financiare. Për këtë qëllim, banka qendrore hartoi Udhëzime për përfshirje më të madhe të personave me aftësi të veçanta si konsumatorë në sektorin bankar, udhëzime të cilat përfshijnë lehtësim më të madh të qasjes fizik në vendndodhje dhe instalimin e platformave digjitale, përfshirjen në dizajnimin e produkteve bankare, si dhe informim më të mirë të këtyre përdoruesve të shërbimeve bankare. Banka Popullore gjithashtu ka hartuar dhe shtypur një broshurë dedikuar personave me shikim të dëmtuar, e cila do të kontribuonte në edukimin e tyre më të madh financiar dhe informimin më të mirë për të drejtat e tyre.
Gjatë prezantimit të Udhëzuesit dhe broshurës para përfaqësuesve të bankave dhe institucioneve kompetente, guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska u dërgoi poroi institucioneve dhe bankave që bashkërisht të ofrojnë integrim dhe mbështetje për personat me aftësi të veçanta në të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe sferën ekonomike dhe financiare.
“Edhe pse bankat e njohin nevojën për përshtatjen e mënyrave të përdorimit të shërbimeve nga personat me aftësi të veçanta, anketa e kryer nga Banka Popullore në fillim të vitit 2024 ka vërtetuar se nevojiten një numër më i madh sportelesh dhe bankomatesh të përshtatura për personat me aftësi të veçanta, si dhe platforma të pjerrëta gjatë hyrjes në objektet bankare. Është e nevojshme të përmirësohet kuadri ligjor në këtë fushë, pra të përgatiten akte të brendshme që do të sigurojnë qasje më të mirë në shërbimet financiare për personat me aftësi të veçanta. Sipas përgjigjeve të paraqitura në anketë, bankat shumë rrallë ofrojnë materiale reklamuese për personat me aftësi të veçanta, huadhënie specifike të dizajnuara për këtë grup qytetarësh, si dhe programe të veçanta për edukimin financiar të personave me aftësi të veçanta. Këto të dhëna tregojnë se kjo është një fushë në të cilën duhet të punojmë së bashku”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska, duke u bërë thirrje bankave që të marrin parasysh Udhëzimet dhe të punojnë në mënyrë aktive për të përmirësuar qasjen në shërbimet e tyre për personat me aftësi të veçanta.
Gjatë prezantimit të Udhëzuesit dhe broshurës, drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Edukimit Financiar në Bankën Popullore, Elizabeta Nedanovska, theksoi se lehtësimi i qasjes për personat me aftësi të veçanta në shërbimet financiare do të rrisë ndjeshëm potencialin e tyre për pavarësi ekonomike dhe integrim social.
“Në kuadër të ABM-së, ne kemi kryer një anketë për qasshmërinë deri tek shërbimet financiare nga personat me aftësi të veçanta, nga e cila kemi marrë një pasqyrë të situatës në këtë sektor, dhe nga kjo kanë dalë rekomandimet dhe udhëzimet për veprim të cilat secili prej institucioneve do t'i zbatojë individualisht. Po ashtu, në ABM është formuar edhe Komiteti për edukim, i cili ofron trajnime për punonjësit për zbatimin e Konventës për të drejtat e personave me aftësi të veçanta dhe përforcimin e aftësive të tyre komunikuese”, tha nënkryetari i Asocioacionit të Bankave të Maqedonisë, Bojan Stojanoski.
“Përfshirja e personave me aftësi të veçanta në sektorin bankar është jo vetëm një detyrim, por edhe një mundësi për institucionet bankare që të demonstrojnë se janë liderë në inovacion dhe në përgjegjësi sociale dhe përfshirje. Nëpërmjet këtyre hapave, ne mund të krijojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse ku të gjithë kanë qasje të barabartë në shërbimet financiare. Le t'i bëjmë bankat tona të qasshmepër të gjithë - sepse të gjithë meritojnë të jenë pjesë e jetës ekonomike”, theksoi kryetari i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, Limko Bejzaroski.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 15% e popullsisë së botës vuan nga një lloj paaftësie dhe këta njerëz shpesh luftojnë me varfërinë dhe papunësinë. Prandaj, në vitet e fundit, Banka Popullore ka ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e qasjes në shërbimet financiare për personat me aftësi të kufizuara, gjë që është paraparë edhe në dokumentet e miratuara nga Banka Popullore, përkatësisht në Strategjinë kombëtare për edukim financiar dhe përfshirje financiare dhe në Qarkoren për mbrojtjen e konsumatorëve që përdorin shërbime financiare. Angazhimet i referohen përfshirjes së personave me aftësi të veçanta, duke ndjekur standardet dhe rregulloret ndërkombëtare, siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të veçanta.