Shkup, 16 maj 2020
Agjencitë për vlerësimin e kreditit „Standard and Poor’s“ dhe „Fitch“ konfirmuan vlerësimin e kreditit të vendit tonë. „Standard and Poor’s“ mban vlerësimin e kreditit në nivelin BB-, me një perspektivë të qëndrueshme, dhe „Fitch“ konfirmon vlerësimin e kreditit BB+, me një perspektivë negative, si pasojë e ndikimit të pandemisë së Kovid-19 mbi ekonominë globale. Në njoftimet me anë të së cilave njoftojnë vendimet e tyre për vlerësimin e kreditit të vendit i paraqesin parashikimet dhe pikëpamjet e tyre për ekonominë maqedonase, që të dy agjencitë iu referohen masave të marra nga Banka Popullore, stabiliteti i kursit të denarit, niveli i rezervave valutore dhe situata në sistemin bankar.
Sa i përket sistemit bankar, në njoftimin e „Standard and Poor’s“ është theksuar se sistemi mbetet i qëndrueshëm. Agjencia njofton se në kushte pasigurie, presionet mbi bazën e depozitave kishin natyrë afatshkurtër, si në aspektin e dinamikës ashtu edhe në aspektin e ndryshimeve në preferencat valutore. Ata gjithashtu theksojnë edhe tendencat e fundit në rezervat valutore, të cilat tregojnë për rritjen e tyre dhe zhvillim stabile në tregun e këmbimit valutor.
„Fitch“, ndërkohë, vë në dukje se sistemi bankar ka baza të shëndosha dhe likuiditet të lartë. Sipas vlerësimeve të tyre, sistemi është në gjendje të mirë, gjë që mundëson të ndihmojë në zbutjen e tronditjes nga kriza e koronës, duke siguruar mbështetje të kredisë për ekonominë maqedonase. Duke bërë këtë, ata theksojnë se është thelbësore që mjaftueshmëria e kapitalit është rritur për 16,3% vitin e kaluar, si dhe fakti që kreditë me probleme janë në nivel më të ulët deri tash 4,8%. Në njoftimin e „Fitch“ është konstatuar edhe fakti që sistemi bankar është i gatshëm të absorbojë humbjet e kredisë që priten gjatë krizës së koronës, dhe njëkohësisht presin një rritje të vogël në totalin e kredive.
Në njoftimet e „Standard and Poor’s“ dhe „Fitch“, theks i veçantë është vendosur mbi masat e marra të bankës qendrore për mbështetje të ekonomisë në kushte të pandemisë globale të Kovid-19, siç janë lehtësimi i politikës monetare dhe fleksibiliteti rregullator, si masa që duhet të mbështesin ciklin e kredisë dhe të ndihmojnë ekonominë të përballet me ndikimin e krizës.
Sa i përket periudhës që vijon, të dy agjencitë tregojnë rreziqe të pafavorshme nga kriza e koronës mbi ekonominë nga njëra anë, por edhe rreziqe pozitive nga reformat e forcuara strukturore dhe institucionale në kuadër të procesit euro integrues.