Shkup, 16 dhjetor 2023
Pritshmëritë janë që inflacioni të vazhdojë të ulet edhe për pjesën tjetër të vitit me stabilizimin e mëtejshëm të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë në bursat botërore, si dhe në mungesë të goditjeve të mëdha të jashtme dhe të brendshme. Në periudhën afatmesme, norma e inflacionit do të ulet në mesataren historike prej rreth 2%. Në periudhën e ardhshme duhet t'i kushtojmë vëmendje politikave strukturore që do të rrisin prodhimin vendor dhe do të zvogëlojnë ndjeshmërinë e ekonomisë vendase ndaj disa goditjeve të mundshme në të ardhmen, tha guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në intervistë për Slobodna TV-në.
Guvernatorja, duke folur për të dhënat më të fundit të inflacionit, theksoi se që nga tremujori i katërt i vitit të kaluar, kur në tetor u arrit norma më e lartë prej rreth 20%, tashmë vërehet rënie konstante e shkallës së inflacionit. “Të dhënat e fundit statistikore të muajit tetor dhe nëntor, tregojnë trend në rënie me ritme përkatësisht 3,5% dhe 3,1%. Parashikimet tona të fundit të tetorit parashikojnë se norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2023 do të jetë rreth 9,5%. Për vitin e ardhshëm, kuptohet, duke supozuar se nuk do të ketë goditje të mëdha të jashtme dhe të brendshme, presim vazhdimin e këtij trendi, ku në terma afatmesëm do të arrihet mesatarja historike për ekonominë tonë prej rreth 2 %”, theksoi Angellovska-Bezhoska dhe shtoi se pritshmëritë e Bankës Popullore janë shumë të ngjashme me ato të Bankës Qendrore Europiane për lëvizjet e inflacionit në Eurozonë dhe BE, e cila parashikon të arrijë objektivin e inflacionit prej 2% gjatë vitit 2025.
Angellovska-Bezhoska theksoi se pozicionimi i politikës monetare ka kontribuar në uljen e inflacionit. Ashtu si bankat e tjera qendrore që nga fillimi i krizës, edhe banka jonë qendrore ka nisur shtrëngimin e politikës monetare, që nga fundi i vitit 2021 nëpërmjet operacioneve në tregun valutor. “Filluam në mënyrë më të moderuar, siç bëri kryesisht bashkësia e bankave qendrore, dhe më pas me shtrëngim më të fortë të politikës monetare me norma interesi. Duke marrë në konsideratë strukturën e ekonomisë dhe sistemit tonë financiar, ne nuk u kufizuam vetëm në veprimin nëpërmjet normave të interesit, por në mënyrë aktive ndikuam edhe nëpërmjet kanalit të likuiditetit, si dhe përdorëm edhe instrumentet e tjera monetare dhe makroprudenciale më të cilat disponojmë”, theksoi guvernatorja.
Inflacioni varet nga shumë variabla, prandaj është thelbësore që të zbatohen politika makroekonomike, që të mbahen trendet pozitive dhe në bazë afatgjate të stabilizohen infalcioni dhe pritjet inflacioniste, tha Angellovska-Bezhoska. Në të njëjtën kohë, thekson se është shumë e rëndësishme që përmes politikave strukturore të kontribuohet në rritjen e ofertës dhe harmonizimin e saj me kërkesën, gjë që do të ulë cenueshmërinë e ekonomisë vendase, e cila si ekonomi shumë e hapur me hapje tregtare 140% e PBB-së, është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj goditjeve. Përveç faktit që jemi të varur nga importi i energjisë, ekonomia jonë ka efikasitet të ulët energjetike, respektivisht për prodhimin e një njësie të PBB-së harxhojmë tre herë më shumë energji sesa në BE. Si faktorë shtesë që ndikojnë në inflacion, theksohet edhe shkalla e konkurrencës efektive, pra në ekonomitë ku ka konkurrencë më efektive edhe presioni i çmimeve është më i ulët, njejtë edhe kushtet e tregut të punës. Nëse merren veprime ndaj të gjithëve, nëpërmjet politikave strukturore, do të rritej rezistenca e ekonomisë.