Banka Federale Gjermane, së bashku me nëntëmbëdhjetë banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian, përfunduan Programin e financuar nga Bashkimi Evropian për mbështetjen e bankave qendrore dhe agjencive të mbikëqyrjes bankare të vendeve kandidate dhe kandidatëve të mundshëm për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor.
Banka Federale gjermane së bashku me nëntëmbëdhjetë banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisionin Evropian, mbajti sot ngjarjen përmbyllëse të programit të financuar nga BE-ja, përfitues të cilit janë Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore e Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Republikës Srpska, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Popullore e Serbisë. Qëllimi i programit ishte t'i forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve si përfitues të fundit, veçanërisht duke përmirësuar mjetet e tyre analitike dhe të politikave dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat e tyre kombëtare. Bashkimi Evropian (BE) ndau 2 milionë euro për programin nga Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA II).
Gjatë takimit përfundimtar të Komitetit Drejtues të Programit dhe ngjarjes përmbyllëse të organizuar sot nga Deutsche Bundesbank, profesori Joachim Wuermeling, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, nënvizoi: “Ky program është shembull i shkëlqyer i një qasjeje vërtet bashkëpunuese nga SEBQ-ja. Duke vepruar bashkërisht dhe njëzëri, SEBQ-ja ka dëshmuar se është partnere e fortë në komunitetin e bankingut qendror dhe është e gatshme t'i mbështesë kolegët tanë nga Ballkani Perëndimor në përpjekjet e tyre për të arritur standardet më të larta për të mirën e ekonomive dhe popujve të tyre.” Z. Florian Hauser, udhëheqës i ekipit në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, nënvizoi: “Programi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.”
Gjatë një periudhe prej 33 muajsh, Deutsche Bundesbank, 19 banka qendrore kombëtare dhe BQE-ja organizuan një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankingut qendror dhe mbikëqyrjes, me 20 trajnime për 360 ekspertë. Trajnimi u fokusua veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe përfshirjes financiare, rikuperimit dhe zgjidhjes, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë me rregullativën dhe integrimin në BE, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm. Gjithashtu, u mbajtën edhe dy puntori të politikave për vendimmarrësit për zgjidhjen e kredive me probleme dhe çështjeve të qeverisjes. Krahas kësaj, programi zbatoi masa dypalëshe dhe punë praktike nga të cilat përfituan gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate dhe kandidat të mundshëm për anëtarësim në BE, të cilat u përcaktuan në takimet e Komitetit Drejtues të Programit. Përfaqësuesit e institucioneve përfituese theksuan arritjet e rëndësishme, për shembull në fushat e mbrojtjes së konsumatorit të shërbimeve financiare, menaxhimit të rezervës valutore, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemeve të pagesave, parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zgjidhjes së institucioneve financiare dhe statistikave.
Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme që dolën nga pandemia, programi u zbatua me sukses dhe në tërësi. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të Komisionit Evropian, si dhe qëndrimit mjaft akomodues të të gjithë anëtarëve dhe ekspertëve të përfshirë në Program. Gjatë pandemisë, digjitalizimi dhe mjetet e drejtuara nga teknologjia informative zëvendësuan takimet tradicionale ballë për ballë, por u desh të bëheshin disa sakrifica në ndërveprimin personal dhe ndërtimin e marrëdhënieve.
Programi u realizua nga Deutsche Bundesbank në partneritet me Nationale Bank van België/Banque Nationale de Belgique, Българска народна банка (Banka Kombëtare Bullgare), Česká národní banka, Banka e Greqisë, Banco de España, Banque de France, Hrvatska narodna banka, Banka Qendrore e Irlandës, Banca d'Italia, Lietuvos bankas, Banque centrale du Luxembourg, Magyar Nemzeti Bank, De Nederlandsche Bank, Oesterreichische Nationalbank, Narodowy Bank Polski, Banco de Portugal, Banca Naţională a României, Banka Slovenije dhe Národná banka Slovenska. Banka Qendrore Evropiane ka kontribuar në zbatimin e programit.
Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut mori pjesë në të gjitha aktivitetet në kuadër të Programit, të cilat kontribuan në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale në disa fusha. Me rëndësi të veçantë ishin masat dypalëshe që intensifikuan bashkëpunimin me disa banka qendrore të SEBQ-së.
Për të përcjellë përshtypjet e Programit dhe për të marrë komente nga pjesëmarrësit është përgatitur një film i shkurtër, të cilin mund ta shkarkoni në linkun e mëposhtëm:
https://www.bundesbank.de/en/bundesbank/international-central-bank-dialogue/eu-funded-projects/eu-funded-projects--618392