Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore
Më 16 dhjetor të vitit 2020 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit dhe treguesit për ekonominë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste që nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbetet në 1,5%. Ulja e normës bazë të interesit deri në nivelin aktual, si dhe zvogëlimet e konsiderueshme të deritanishme të shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuoi për rritjen e likuiditetit në sistemin bankar dhe mbështetje të flukseve të kredisë në ekonomi. Duke pasur parasysh lehtësimin e kryer, dhe me rreziqe dhe pasiguri ende të pranishme, në këtë mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet në nivelin aktual, në përputhje me kushtet aktuale ekonomike dhe financiare. Në të njëjtën kohë, në mbledhje u vlerësua se likuiditeti i liruar prej një totali prej 15 miliardë denarësh përmes instrumentit themelor të Bankës Popullore në prill dhe maj është i përshtatshëm, me ç'rast u vendos që në ankandin që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore në një shumë të pandryshuar prej 10 miliardë eruosh.
Të dhënat e fundit makroekonomike me frekuencë të lartë tregojnë një rënie vjetore të prodhimit të brendshëm bruto në tre tremujorët e parë të vitit prej 5,9%, që është në pajtim me pritjet e parashikimeve të tetorit. Pjesa më e madhe e rregullimit në rënie është rezultat i arritjeve në tremujorin e dytë të vitit, kur u futën masa më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik. Në tremujorin e tretë u regjistruan ngadalësime të konsiderueshme të rënies vjetore të PBB-së në 3,3%, në pajtim me stabilizimin e përkohshëm të situatës me pandeminë në këtë periudhë të vitit dhe lehtësimin e masave për parandalimin e përhapjes së saj, të plotësuar me efektin e masave të ndërmarra monetare dhe fiskale. Treguesit aktual me frekuencë të lartë për tremujorin e katërt të vitit 2020, megjithëse në një masë të kufizuar, tregojnë efekte më të moderuara negative nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomik. Kjo është e dukshme përmes ngadalësimit të normave vjetore të rënies në industri dhe tregti, në kushte të rivendosjes së masave restriktive, mirëpo në një formë konsiderueshëm më të butë krahasuar me ato nga fillimi i pandemisë.
Norma mesatare vjetore e inflacionit vazhdon të jetë në një nivel të ulët dhe të qëndrueshëm për njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit dhe është 1,1%, që është afër normës së parashikuar të inflacionit sipas ciklit të parashikimeve të tetorit. Në kushte të këtilla, me rishikime në drejtime të ndryshme në supozimet e inputeve të jashtme, aktualisht, rreziqet sa i përket parashikimit të inflacionit për vitin 2020 vlerësohen si të ekuilibruara.
Rezervat valutore vazhdojnë të jenë në nivel adekuat dhe në zonë të sigurt, me një dinamikë të pritur të ndryshimit sipas parashikimit të tetorit. Sa u përket të dhënave në dispozicion nga sektori i jashtëm për tremujorin e katërt, të dhënat për tregun e këmbimit valutor deri më nëntor tregojnë devijime në transferimet private në pajtim me parashikimet për tremujorin e fundit. Në të njëjtën kohë, të dhënat për tregtinë e jashtme për tetorin tregojnë mundësi për një deficit tregtar brenda të parashikuarit për tremujorin e fundit të vitit. Gjithashtu, arritjet në bilancin e pagesave në tremujorin e tretë të vitit 2020 janë kryesisht në përputhje me parashikimin e tetorit.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe kredive, të dhënat fillestare për muajin nëntor tregojnë rritjen e tyre të qëndrueshme, brenda pritjeve në pajtim me parashikimin e tetorit.
Në periudhën nga mbledhja e fundit e Komitetit në nëntor e këndej, likuiditeti i sistemit bankar në monedhë vendase vazhdon të rritet, gjë që kontribuoi për një nevojë shumë të ulët për tregti me mjete afatshkurtra likuide në denarë në tregjet e parasë. Në tregun e këmbimit valutor në nëntor kishte një neto kërkesë pak më të lartë për valuta të huaja nga sektori i korporatave, gjë që është e zakonshme për këtë muaj të vitit dhe neto ofertë stabile të valutave të huaja nga personat fizikë në tregun e këmbimit valutor. Zhvillimet e tregjeve u shoqëruan me ruajtjen e likuiditetit në valutë të huaj të bankave në një nivel relativisht të qëndrueshëm dhe të lartë, me ç'rast Banka Popullore bëri ndërhyrje të ulëta dhe të përkohshme për shitje të valutave të huaja.
Në nëntor, zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare në masë të madhe ishin të kushtëzuara nga informacionet optimistike rreth zhvillimit të vaksinave kundër Kovid-19, gjë që kontribuoi për pritje të investitorëve se rimëkëmbja ekonomike globale do të ndodhë më shpejt se sa pritej. Rrjedhimisht, pjesëmarrësit e tregut kishin interes të rritur për investime në aksione, dhe si pasojë vazhdoi tendenca në rritje në indekset botërore të bursës, duke arritur nivele të reja më të larta. Në rrethana të këtilla, u vërejt ulja e vlerës së Dollarit amerikan në raport me euron, rënie e çmimit të arit dhe rënie e çmimeve të obligacioneve më të sigurta shtetërore në eurozonë.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komiteti u konstatua se aktualisht flukset janë të qëndrueshme dhe të dhënat e fundit makroekonomike kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, me ç'rast perceptimet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Megjithatë, pasiguria dhe rreziqet nga pandemia e shkaktuar nga Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishme, si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendase. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur nëse është e nevojshme.