Shkup, 16 shtator 2023
“Përmes integrimit tregtar, financiar dhe teknologjik, globalizimi në katër dekadat e fundit ka kontribuar në përshpejtimin e rritjes ekonomike, ndërsa veçanërisht në ekonomitë më pak të zhvilluara, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Integrimi tregtar i rajonit me BE-në ndjeshëm është rritur, veçanërisht në ekonominë tonë, integrimi tregtar i së cilës arriti në 158% të prodhimit të brendshëm bruto, i cili është niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe i pesti më i madh në rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Prandaj, me rëndësi të madhe janë rreziqet për ekonominë e brendshme që dalin nga fragmentimi i intensifikuar gjeo-ekonomik në vitet e fundit”, theksoi guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska në panelin e diskutimit “Gjeopolitika, krijimi i politikave dhe financave” në kuadër të platformës për diskutim të politikave publike – Forumi Ekonomik dhe Financiar i Shkupit (SEFF), i cili u mbajt nën moton “Europa - PO, Europa – TANI”.
Guvernatorja iu referua përfitimeve të integrimit tregtar dhe financiar, të cilat veprojnë si katalizator për rritjen dhe konvergjencën ekonomike, nëpërmjet përhapjes së njohurive, teknologjisë dhe financave. “Konvergjenca e të ardhurave në rajon dhe në rastin tonë në dy dekadat e fundit është rritur afro 20 p.p. e PBB-së, mesatarisht, ose pothuajse dyfish. Megjithatë, hendeku i të ardhurave është ende i madh - të ardhurat tona janë ende vetëm 40% e mesatares së BE-së. Nëse e ruajmë normën historike të rritjes ekonomike, do të na duhen rreth 40 vjet për t'iu afruar mesatares së BE-së. Prandaj, nevojiten reforma strukturore të forcuara në tre segmentet kryesore për rritje të përshpejtuar – produktiviteti, investimet/risitë dhe arsimi/fuqia punëtore, por edhe politikat që do të mundësojnë trajtimin adekuat të rreziqeve gjeopolitike gjithnjë në rritje, mbi të gjitha shfrytëzimin e përfitimeve që i ofrojnë prirjet e reja në zinxhirët e prodhimit europian”, theksoi Angellovska-Bezhoska.
Në panelin e diskutimit, guvernatorja theksoi se rajonit i nevojitet integrimi i mëtejshëm në BE edhe në kornizat globale, për shkak të përshpejtimit të mëtejshëm të procesit të konvergjencës ekonomike. Megjithatë, në këtë proces janë theksuar rreziqet e ngjarjeve të intensifikuara gjeopolitike të potencuara në dy vitet e fundit. Sipas Raportit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, rreziku gjeo-ekonomik është një nga tre rreziqet më të rëndësishme globale së bashku me rritjen e shpenzimeve të jetesës dhe rreziqet klimatike, si në planin afatmesëm ashtu edhe në atë afatgjatë. Kjo nuk duhet të na befasojë sepse një nga kërcënimet kryesore të tensioneve gjeopolitike është kthesa e globalizimit, ndërsa tashmë është e dukshme rritja e numrit të kufizimeve të imponuara tregtare dhe kufizimeve të tjera.
Forumi Ekonomiko-Financiar i Shkupit është themeluar nga Ministria e Financave dhe është konferencë vjetore që mbahet për të tretën herë radhazi. Konferencën e sivjetshme e hapën kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe komisari europian për Buxhet, Xhohanes Han. Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatave financiare ndërkombëtare, përfaqësues të qeverive të rajonit dhe vendit, diplomatë, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit dhe botës akademike.