Mbledhja e rregullt e KPOM-it: Norma bazë e interesit dhe oferta e bonove të bankës qendrore janë të pandryshuara. Arritjet e ekonomisë janë kryesisht në pajtim me pritjet e Bankës Popullore.
Shkup, 16 shtator 2020
Më 15 shtator të vitit 2020 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore (KPOM), në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit dhe treguesit e ekonomisë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbahet në 1,5%. Ulja e normës bazë të interesit në nivelin aktual, si dhe ulja e deritanishme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuoi për rritje të mëtejshme të likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetje të flukseve të kredive në ekonomi. Nisur nga politika tashmë e lehtësuar monetare, në këtë mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet në nivelin aktual, sipas kushteve aktuale ekonomike dhe financiare. Njëkohësisht, në mbledhje u vlerësua se likuiditeti i liruar prej një totali prej 15 miliardë eurosh përmes instrumentit themelor të Bankës Popullore në prill dhe maj është i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që në ankandin që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore në një shumë të pandryshuar prej 10 miliardë eurosh.
Treguesit e fundit makroekonomikë tregojnë rënie të prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e dytë prej 12,7%, gjë që është plotësisht në përputhje me parashikimin e Bankës Popullore sipas të cilit rënia e pritur ishte 12%. Pas rritjes minimale të ekonomisë në tremujorin e parë prej vetëm 0,2%, në tremujorin e dytë, ekonomia, siç pritej, regjistroi rënien më të thellë vjetore deri më tani, duke pasqyruar efektet e shkaktuara nga pandemia e Kovid-19. Të dhënat në dispozicion me frekuencë të lartë për tremujorin e tretë të vitit 2020, tregojnë efekte më të moderuara negative nga kriza shëndetësore mbi veprimtarinë ekonomike. Kjo shihet përmes ngadalësimit të normave vjetore të rënies së industrisë dhe tregtisë në korrik, ndërsa në baza mujore vërehet rritje në të dy sektorët.
Norma mesatare vjetore e inflacionit vazhdon të mbahet në nivel relativisht të ulët dhe të qëndrueshëm, dhe për tetë muajt e parë të vitit është 0,8%, që është kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të ushqimit. Sa i përket parashikimit, arritjet e këtilla janë mbi pritjet të një norme të inflacionit prej 0% në vitin 2020. Në kushte të këtilla, si dhe me drejtime të kundërta të rishikimit në çmimet e importit dhe ndryshueshmëria e tyre e madhe veçanërisht e shprehur në kushte të pandemisë globale, pasiguria rreth arritjes së parashikimit për inflacionin në vitin 2020 është rritur.
Rezervat valutore vazhdojnë të jenë në nivel të përshtatshëm dhe mbahen në zonë të sigurt. Në periudhën korrik-gusht, faktorët kryesorë që ndikonin mbi ndryshimin e rezervave valutore janë pagesat e rregullta të detyrimeve të sektorit publik ndaj vendeve të huaja dhe ndërhyrjet e Bankës Popullore në tregun e këmbimit valutor. Të dhënat në dispozicion për sektorin e jashtëm për tremujorin e tretë të vitit janë kryesisht të kufizuara. Të dhënat e statistikës së tregtisë së jashtme deri në muajin korrik tregojnë një mundësi të një deficiti më të lartë tregtar nga ai që pritej për këtë periudhë, mirëpo periudha e vlerësimit është shumë e shkurtër për arritjen e përfundimeve më të sakta. Të dhënat për bilancin e pagesave në tremujorin e dytë tregojnë një deficit më të ulët në llogarinë rrjedhëse, si dhe neto hyrje më të larta në llogarinë financiare, në raport me të parashikuarat për tremujorin e dytë.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për muajin gusht tregojnë rritje të mëtejshme vjetore, që është më e lartë në raport me parashikimin për tremujorin e tretë të vitit.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, pozicioni likuid i sistemit bankar në monedhë vendase u mbajt në një nivel relativisht të qëndrueshëm, me ç’rast bankat përkohësisht tregtuan aktive afatshkurtra likuide në denarë në tregun e parave. Treguesit për tregjet financiare vendore, për muajin gusht tregojnë zhvillime pak më të mira në tregun e këmbimit valutor, duke pasur parasysh efektin e mëtejshëm sezonal të ofertës më të lartë të monedhave të huaja nga personat fizikë në tregun e këmbimit valutor, dhe nevojë pak më të ulët për monedha të huaja të sektorit të korporatave. Këto zhvillime, ndjekur nga likuiditetit i përmirësuar në valutë të huaj i sistemit bankar, kontribuuan për ndërhyrje më të ulëta mujore (21,5 milionë euro) dhe prani më të rrallë të Bankës Popullore me shitje të valutave të huaja për bankat mbështetëse të tregut të këmbimit valutor, nga fillimi i krizës këndej. Tendencat më të qëndrueshme në tregun e këmbimit valutor vazhdojnë edhe në fillim të shtatorit, kur bankat në bazë neto blejnë valuta të huaja nga subjektet ekonomike, dhe Banka Popullore nuk ndërhyn.
Në kushte të pritjeve të forcuara për zbulimin e vaksinës për Kovid-19 dhe rimëkëmbje graduale të ekonomisë globale, në tregjet financiar ndërkombëtare në gusht u regjistrua një optimizëm, i ndjekur nga rritja e çmimeve të aksioneve dhe instrumenteve tjera financiare me kthim të lartë. Në të njëjtën kohë, investitorët kishin interes të dobët për instrumente më të sigurta financiare, gjë që çoi në rënie të çmimeve të titujve qeveritar të borxhit të emetuara nga shtetet e eurozonës dhe SHBA-së, që natyrisht ishin të matura dhe të kufizuara në kushte të aplikimit të mëtejshëm të politikave ekspansive monetare të bankave qendrore.
Për të përmbledhur, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se treguesit e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet e Bankës Popullore, me ç’rast pikëpamjet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Pasiguria dhe rreziqet nga efektet e ardhshme makroekonomike nga pandemia e Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishme si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendore. Banka Popullore edhe në periudhën që pason me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur përmes përshtatjes së politikave, nëse e kjo është e nevojshme.