„Duke pasur parasysh faktin se niveli i të ardhurave në vendin tonë është rreth 37% nga mesatarja evropiane, një nga sfidat kryesore për ekonominë tonë është arritja e nivelit më të lartë të konvergjencës reale drejt ekonomisë së Bashkimit Evropian“ - theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në Samitin „Makedonija2025“, sot në Shkup. Ajo mori pjesë në panel-diskutimin me temë „Evropa Juglindore: Rritja e pasigurive ose një ardhmëri më e ndritshme?“.
Angelovska-Bezhoska theksoi se konvergjenca më e shpejtë reale kërkon nivele më të larta të rritjes ekonomike, që është e mundur vetëm nëse rritet potenciali për rritje afatgjate. Prandaj, siç theksoi ajo, nevojiten ndryshime strukturore që do të ndikojnë pozitivisht në tre faktorët e rritjes afatgjate: kapitali njerëzor, kapitali fizik dhe produktiviteti.
Gjatë diskutimit, guvernatorja vendosi theks të veçantë mbi politikat që duhet të kontribuojnë për përdorim më të madh të faktorëve të rritjes ekonomike. Sa i përket punës si faktor, ajo iu referua nevojës për rritje të normës së participimit, zvogëlim të hendekut ndërmjet kërkesës dhe ofertës së aftësive të caktuara dhe rritje të cilësisë së kapitalit njerëzor. Ajo në veçanti preku edhe nevojën për rritje të investimeve, veçanërisht në infrastrukturë, kërkim dhe zhvillim, duke pasur parasysh se treguesit tregojnë ekzistencën e një hendeku të madh në raport me ekonomitë më të zhvilluara. Të dhënat aktuale për totalin e produktivitetit në ekonominë tonë, sipas Angelovska-Bezhoskës, tregojnë qartë nevojën për vazhdim të reformave strukturore dhe institucionale me qëllim mbështetjen e produktivitetit dhe përshpejtim të konvergjencës reale.
Angelovska-Bezhoska gjithashtu iu referua edhe rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendeve të origjinës së diasporës. Me ç’rast ajo theksoi se diaspora mund të japë një kontribut të rëndësishëm përmes disa kanaleve: transferimet private, stimulimi i investimeve të huaja, stimulimi i tregtisë dhe transferimi i njohurive dhe aftësive, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht në produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomive të vogla.
Në këtë panel-diskutim të Samitit „Makedonija2025“, përveç guvernatores Angelovska-Bezhoska morën pjesë edhe ekonomisti kryesor rajonal i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Peter Tabek, drejtori i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për Republikën e Serbisë, Sebastijan Sosa dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azieski. Diskutimi u moderua nga kryeshefja ekzekutive e Makedonija2025, Nikica Mojsoska-Bllazheski.
|
Галерија - Македонија 2025, ноември 2019 |