Më 13 gusht të vitit 2019, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Sipas vlerësimeve të Komitetit, pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare, me ç’rast u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në 2,25%. Njëkohësisht u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore, për ankandin i cili do të mbahet më 14 gusht 2019 të mbahet në nivelin e 25.000 milionë denarë.
Në mbledhje u shqyrtuan arritjet e fundit në ekonominë vendase në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomike. Sipas Komitetit, themelet ekonomike vazhdojnë të jenë të shëndosha, pa prezencën e çekuilibrimeve në ekonomi. Mungesa e çekuilibrimeve vërehet përmes inflacionit të qëndrueshëm dhe të ulët dhe pozicionit të jashtëm të favorshëm, kontekst i cili kontribuon për intervenime me blerje të vazhdueshme të valutave të huaja nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritshmëri stabile.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë, të dhënat aktuale me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë të vitit 2019 kryesisht tregojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë, por ndoshta më modeste në krahasim me tremujorin e parë.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në shtatë muajt e parë të këtij viti ishte 1,2%, me pritje për një normë të inflacionit prej 1,5% për tërë vitin 2019. Rreziqet lidhur me parashikimin e inflacionit për vitin 2019 aktualisht vlerësohen si të ekuilibruara.
Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm, arritjet në këmbimin e jashtëm tregtar për tremujorin e dytë të këtij viti tregojnë deficit më të ulët tregtar nga pritjet për tremujorin e dytë. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor për dekadën e dytë të korrikut aktualisht janë në vijë me të parashikuarat dhe tregojnë një mundësi për realizimin e neto prurjeve nga transferimet neto në nivel me pritjet për tremujorin e tretë. Rezervat valutore në fund të korrikut janë më të larta krahasuar me fundin e vitit 2018, me ç’rast të gjithë treguesit e mjaftueshmërisë së tyre vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për korrikun tregojnë rritje të mëtejshme në bazë vjetore, diçka më modeste tek kreditë.
Në periudhën midis dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i bankave të vendit u mbajt në nivel relativisht të lartë, si pasojë e së cilës bankat kishin nevojë të dobët për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave. Nga pikëpamja e rrjedhave të likuiditetit në sistemi bankar, kërkesa më e lartë sezonale e parave të gatshme në denarë nga popullata u kompensua plotësisht nga emetimi i mjeteve në denarë nga Banka Popullore, i realizuar me intervenimet për blerje të valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor. Konkretisht në korrik, Banka Popullore bleu 43.8 milion euro. Shuma e lartë mujore në bazë të intervenimeve u realizua në kushte të rritjes së blerjes së valutave të huaja nga ana e bankave në transaksionet me zyrat e këmbimit valutor, që është një zhvillim i zakontë sezonal, ndërsa në korrik të këtij viti ishte ma e lartë se sa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Bankat shfrytëzuan likuiditetin në denarë për kënaqjen e kërkesës në tregun vendas dhe ndërkombëtar të këmbimit valutor, ndërsa teprica e mjeteve në valuta të huaja u ble nga Banka Popullore. Intervenimet në tregun e këmbimit valutor vazhduan edhe në fillim të muajit gusht, ku në total që nga fillimi i vitit deri më 13 gusht, Banka Popullore bleu 174,55 milion euro.
Bankat edhe më tej vazhdojnë të drejtojnë tepricën e parave të lira drejt depozitave të disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësuan fleksibilitet dhe qasje të lartë në mjetet për kreditim të pandërprerë të subjekteve të vendit.
Rreziqet për poshtë për ekonominë botërore mbizotëruan edhe në korrik, si pasojë e së cilës politikat e bankave qendrore në nivel global u drejtuan kah mbështetja e rritjes ekonomike. Në tregjet financiare në eurozonë u regjistrua rënie e kthimeve të instrumenteve të sigurt, në kushte të kërkesës së rritur të investitorëve, si pasojë e përpjekjeve për realizimin e kthimeve më të mëdha dhe pritje për lehtësimin e politikës së BQE-së. Në mbledhjen e rregullt, BQE-ja dërgoi sinjal se është e gatshme të ndërmarrë aktivitete për mbështetje monetare shtesë. Banka Qendrore e SHBA-ve - FED, siç pritej, uli nivelin e synuar të lëvizjes së normës referente të interesit për 0,25 pikë përqindjeje, në shtrirje prej 2% deri 2,25%. Vendimi i këtillë u prezantua si rregullim i politikës monetare sipas ciklit aktual ekonomik, ku u theksua se kjo nuk paraqet fillim të ciklit intensiv të politikës monetare ekspansive. Në fillim të gushtit, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare ndërkombëtare u rrit edhe më tej pasi marrëdhëniet tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës u ashpërsuan edhe më tepër. SHBA njoftuan se do të vendosin tarifa për importin e produkteve nga Kina, që nuk janë doganuar deri më tani, sepse në bisedimet ndërmjet dy vendeve nuk u arrit përparimi i pritur.
Në përgjithësi, në mbledhje u konstatua se treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë tregojnë devijime të caktuara në raport me dinamikën e parashikuar, ndërsa qëndrimet për ambientin e implementimin të politikës monetare kryesisht janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Me ç’rast, përsëri u theksuan rreziqet e pafavorshme nga ambienti i jashtëm. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.