Shkup, 14 prill 2023
Politikat e zbatuara nga Banka Popullore janë përgjigje e duhur ndaj sfidave aktuale. Situata globale është komplekse për shkak të trazirave financiare, vazhdimit të luftës në Ukrainë dhe fragmentimit gjeo-ekonomik. Që këtej, bankat qendrore duhet të qëndrojnë konsistente me politikën monetare të shtrënguar antiinflacioniste, por edhe të mbikëqyrin me vigjilencë zhvillimet në sektorin financiar dhe, nëse është e nevojshme, të përdorin instrumentet e duhura. Këto janë përfundimet kryesore nga takimet e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe viceguvernatorit, Fadil Bajrami me përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, SHBA.
Delegacioni u takua me zëvendës drejtorin gjeneral të FMN-së Bo Li, si dhe me drejtorin e FMN-së për Europë, Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së Poll Hilbers dhe drejtorin ekzekutiv alternativ Lluk Drese, si dhe me shefin e Misionit të FMN-së Zhak Minianin.
Në takimin me zëvendës drejtorin gjeneral të FMN-së, Bo Li, u diskutua edhe për zbatimin e linjës të kredisë (PLL), e cila iu nda vendit tonë vitin e kaluar. Bëhet fjalë për instrumentin që siguron likuiditet për të kapërcyer disa goditje dhe sfida gjatë episodeve të krizës dhe u jepet vendeve që kanë themele të qëndrueshme ekonomike dhe praktikojnë politika të shëndosha makroekonomike. Në këtë kontekst, në bisedat me përfaqësuesit e FMN-së, u konstatua se politika monetare po zhvillohet dhe duhet të zhvillohet në mënyrë të kujdesshme, duke qenë se ende ka pasiguri globale. Sipas projeksioneve të fundit të Fondit për ekonominë tonë, rritja e inflacionit do të ngadalësohet këtë vit, e do të ngadalësohet edhe vitin e ardhshëm, ndërkohë që në periudhën afatmesme inflacioni do të arrijë 2%. Ndërkaq, guvernatorja e Bankës Popullore, Angellovska-Bezhoska, theksoi se banka jonë qendrore po i përcjell me vigjilencë zhvillimet dhe po ndërmerr hapa vendimtar për t'u përballur me presionet inflacioniste dhe për të arritur qëllimin kryesor - sigurimin e stabilitetit afatmesëm të çmimeve. Ajo përmendi masat dhe politikat e ndërmarra nga Banka Popullore dhe theksoi se kursi i politikës monetare filloi të ndryshojë në fund të vitit 2021, përmes ndërhyrjeve në tregun valutor. Më pas vazhduan intervenimet përmes rritjes së normës së interesit, disa ndryshimeve të instrumentit të rezervës së detyrueshme, me qëllim të rritjes së kursimeve në denarë, si dhe futjes së masave sistematike, siç është shtresa mbrojtëse anticiklike e kapitalit. Në të njëjtën kohë, theksi u vu në stabilitetin e sektorit bankar, i cili është në gjendje solide dhe mund të mbështesë ekonominë vendase, duke pasur kapacitetin për t'u përballur me goditje të mundshme më të mëdha.
Në nivel global, sipas vlerësimeve të FMN-së, rritja e inflacionit po ngadalësohet këtë vit, por që rezultoi të jetë shumë më rezistent se sa pritej vetëm disa muaj më parë. Rënia e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve kontribuoi në uljen e normës së përgjithshme të inflacionit, por inflacioni bazë rezultoi të ishte më i qëndrueshëm në nivel global. Zhvillimet në sistemin financiar botëror mund të kontribuojnë në uljen e kërkesës agregate, e cila do të vepronte si një masë anti-inflacioniste, por rekomandimi i FMN-së për bankat qendrore është të qëndrojnë të kujdesshme, pasi një ndryshim i parakohshëm në rrjedhën e politikës monetare mund të shkaktojë dëmtimi. Delegacioni i Bankës Popullore realizoi takim pune me Njësinë e Politikës Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit. Ndërkaq, u konstatua se FMN-ja do të vazhdojë të mbështesë Bankën Popullore përmes shkëmbimit të përvojave për përmirësimin e mëtejshëm të kornizës operacionale të politikës monetare dhe mekanizmave për pjesëmarrjen e Bankës Popullore në tregun valutor.