Shkup, 13 dhjetor 2024
Banka Popullore në kohë i njohu rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe mori qëndrim proaktiv duke përfshirë rreziqet klimatike dhe kontributin për ekonomi të gjelbër të qëndrueshme në qëllimet e saj strategjike. Kjo u theksua në takimin e guvernatores të Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoskës, dhe Amra Omeragiqit dhe Sllaven Popoviqit, përfaqësues të “Financat në Lëvizje”, të cilët janë këshilltarë të “Fondi i Investimeve të Rritjes së Gjelbër”.
“Banka Popullore përmes një sërë aktivitetesh kontribuon në nxitjen e financimit të gjelbër, duke përfshirë edhe masat monetare. Kredia e gjelbër ka shënuar rritje të vazhdueshme në portofolet e bankave dhe në tremujorin e tretë të vitit rritje e kredisë së gjelbër, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është 1,4 miliardë denarë ose 7,4%. Pjesa e të gjelbërtave në totalin e kredive është ende në nivel relativisht të ulët, por që nga fundi i vitit 2019, që nga tremujori i tretë i vitit 2024, u vërejt ndryshim nga 2,2 % në 4,4%”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska.
Në takim u shpreh përkrahja për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm, si dhe u bisedua për aktivitetet e përbashkëta në të ardhmen, në kuadër të të cilit në Bankën Popullore, nën patronazhin e “Fondit të Investimeve të Rritjes së Gjelbër”, në bashkëpunim me “Financat në Lëvizje”, dhe ekspertë nga “Ernst dhe Jang”, u mbajt punëtoria e dytë e ESG-së për ngritjen e kapaciteteve, në temë “Menaxhimi i ndikimit të faktorëve, rreziqeve dhe mundësive mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”. Qëllimi i punëtorisë është të forcojë kapacitetet e bankës qendrore për ndikimet e shumëanshme të ESG-së, duke theksuar praktikat rregullatore, raportuese dhe mbikëqyrëse në menaxhimin e rrezikut të klimës. Faktorët e ESG-së, që dikur konsideroheshin me rëndësi dytësore, po marrin rol qendror në procesin e vendimmarrjes dhe menaxhimit të rrezikut. Institucionet që përshtaten me ndryshimin dhe mjediset e reja mund të përmirësojnë rezistencën, për të nxitur rritjen e qëndrueshmërisë dhe për të forcuar besimin në operacionet e tyre.
“Fondi i Investimeve të Rritjes së Gjelbër” është partner krenar i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut në avokimin për financa të gjelbra dhe të qëndrueshme dhe ekonomi më të gjelbër në Maqedoninë e Veriut. Partneriteti ynë është i përkushtuar për arritjen e qëllimeve mjedisore për zbutjen e ndryshimeve klimatike duke vendosur synime të qarta strategjike, forcimi i kapaciteteve të brendshme dhe ndërgjegjësimi në sektor. Këto iniciativa na sjellin një hap më afër përafrimit të sistemit financiar me prioritetet globale për rritje të qëndrueshme dhe mbylljen e hendekut të financave të gjelbra”, theksoi Amra Omeragiq, menaxhere e investimit në “Financat në Lëvizje”.
Në punëtori u konfirmua roli i rëndësishëm të bankave qendrore dhe mbikëqyrësve financiarë në forcimin e rezistencës së sistemit financiar ndaj rreziqeve klimatike, përmes mbështetjes dhe inkurajimit të kalimin drejt ekonomie të qëndrueshme. Gjatë viteve të kaluara, një numër në rritje i bankave qendrore kanë përfshirë ndryshimin e klimës si prioritet strategjik dhe kanë miratuar strategji të menaxhimit të rrezikut klimatik. Aktivitetet e Bankës Popullore lidhur me rreziqet klimatike janë të inkuadruara Planin afatmesëm të aktiviteteve të Bankës Popullore në fushën e menaxhimit të rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike për periudhën 2023-2025, i cili përmban udhërrëfyes të qartë për ndërmarrjen e veprimeve specifike.
“Fondi i Investimeve të Rritjes së Gjelbër” qëndron për menaxhimin e ndryshimeve klimatike dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, mbi të gjitha duke investuar në masa që reduktojnë konsumin e energjisë, përdorimin e burimeve dhe emetimet e karbonit. Fondi drejton financimin për bizneset dhe amvisëritë nëpërmjet asistencës teknike, njohuri dhe ekspertizë teknike për të siguruar që investimet të zbatohen me sukses dhe me standarde të larta ndërkombëtare. Fondi operon në 19 tregje në të gjithë Europën Juglindore, duke përfshirë Turqinë, rajonin e fqinjësisë Lindore Europiane dhe Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.