Shkup, 13 dhjetor 2022
“Harmonizimi i kuadrit ligjor me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e politikës monetare është në një fazë të avancuar”, theksoi viceguvernatorja Emilia Nacevska në paraqitjen e saj në konferencën e organizuar nga Sekretariati i Çështjeve Europiane, me titull “Në rrugën europiane: reforma të reja, mundësi të reja!”. Sigurimi dhe ruajtja e pavarësisë së Bankës Popullore është jetike për përmbushjen e rolit të bankës qendrore si garantues i stabilitetit makroekonomik dhe financiar, që është me rëndësi të veçantë për BE-në në vlerësimin e këtij kapitulli, si dhe një nga parakushtet bazë për tërheqjen e investitorëve të huaj. Politika monetare synon dhe do të synojë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme, përforcimin dhe ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e kapaciteteve dhe përmbushjen e standardeve për qasjen në sistemin europian të bankave qendrore.
Viceguvernatorja iu referua të arriturave dhe harmonizimit të Bankës Popullore edhe në sferat e tjera gjatë mandatit të saj. “Në procesin e negociatave, deri në hyrjen në BE, Banka Popullore do të punojë në harmonizimin e mëtejmë të rregullores në më shumë sfera të veprimtarisë së saj. Do të punohet drejt harmonizimit të mëtejshëm në fushën e rregullores bankare me qëllim të ruajtjes së sistemit bankar të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm, por edhe më konkurrues, duke u kujdesur për mbrojtjen e duhur të konsumatorit. Edhe më tutje do të sigurohet ecuria e qetë dhe e sigurt e shërbimeve pagesore, por, në mjedis më konkurrues me ofrues të rinj të shërbimeve pagesore krahas bankave dhe transparencë më e madhe për llojin e shërbimeve dhe çmimin e tarifave, në pajtueshmëri me kërkesat dhe standardet rregullatore europiane”.
Viceguvernatorja theksoi se me Ligjin e ri të Stabilitet Financiar, të miratuar këtë vit, po ndërmerren hapa për të forcuar kuadrin institucional për sigurimin e stabilitetit financiar, ku banka qendrore ka rolin udhëheqës në zhvillimin dhe zbatimin e politikës makroprudenciale dhe stabilitetit financiar.
Nga aspekti i pagesave dhe shërbimeve pagesore, viceguvernatorja theksoi se Banka Popullore ka përgatitur disa akte të përshtatshme nënligjore për zbatimin e Ligjit të Shërbimeve Pagesore dhe Sistemeve Pagesore, në shkallë të konsiderueshme në pajtueshmëri me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian në këtë fushë.
Në lidhje me çështjen e efekteve të pritshme të anëtarësimit në tregun e brendshëm të BE-së në stabilitetin makroekonomik dhe ekonominë maqedonase, viceguvernatorja theksoi se jo vetëm integrimi, por edhe i gjithë procesi i reformave të vendit për përmbushjen e standardeve europiane, si dhe me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që janë tashmë pjesë e unionit ekonomik dhe/ose monetar, ka efekt të favorshëm në potencialin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin e saj. Ndërkaq shtoi se kushtet tona janë më të vështira për shkak të krizave të njëpasnjëshme, që thekson edhe më shumë nevojën e reformave të brendshme të përshpejtuara për të përmirësuar profilin konkurrues të ekonomisë, rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e investimeve në sektorë që do të nënkuptojë futjen e teknologjive të reja dhe inovative që do të rrisin vlerën e shtuar në ekonomi.