Projeksionet e Bankës Popullore janë shumë afër projeksioneve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe Komisionit Evropian
Shkup, 13 nëntor 2021
Projeksionet më të fundit makroekonomike të Bankës Popullore u prezantuan dje, në një takim nëpërmjet videokonferencës para bashkësisë ndërkombëtare - trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. (BERZH). Në takim morën pjesë përfaqësues të Kombeve të Bashkuara (OKB), Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE), si dhe misioneve diplomatike të Hungarisë, Republikës Çeke, Ukrainës, Sllovakisë, Bullgarisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kinës, Gjermanisë, Sllovenisë, Greqisë, Rumanisë, Zvicrës, Spanjës dhe Kosovës.
“Projeksionet e Bankës Popullore për ritmin e rimëkëmbjes së ekonomisë maqedonase dhe inflacionit janë shumë afër projeksioneve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe Komisionit Evropian. Banka Popullore projekton rritje ekonomike për këtë vit prej 3.9%, FMN dhe Komisioni Evropian prej 4%, dhe Banka Botërore prej 4.6%. Për sa i përket inflacionit, për këtë vit, Banka Popullore parashikon rritje prej 3.1%, që është identike me projeksionin e FMN-së dhe e ngjashme me projeksionin e Komisionit Evropian prej 3.3%, kurse Banka Botërore projekton inflacion mesatarisht më të ulët prej 2,4%. - u theksua në takim, pas një diskutimi mbi vlerësimet dhe pritshmëritë e bankës qendrore.
Në prezantim, guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska theksoi se skenari makroekonomik dhe rreziqet rreth tij janë të kushtëzuar para së gjithash nga zhvillimet e mëtutjeshme lidhur me krizën shëndetësore, ndërprerjet në zinxhirët global të furnizimit dhe prodhimit dhe krizës aktuale energjetike.
Ndër të tjera, Angelovska-Bezhoska iu referua pritjeve për rritje të mëtutjeshme solide të kredive dhe depozitave. Siç theksoi, pritet aktivitet kreditor i sektorit bankar, i cili do të mbështesë rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas parashikimeve, mbështetja e kredisë këtë vit do të jetë 7.1% dhe gradualisht do të përshpejtohet, duke arritur në rreth 8% në periudhë afatmesme. Pritshmëritë për lëvizjen e depozitave janë të ngjashme.
Prezantimi i projeksioneve makroekonomike të Bankës Popullore para trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare është praktikë e rregullt dhe duke pasur parasysh rrethanat me pandeminë, është mbajtur për herë të tretë përmes videokonferencës.