Shkup, 13 qershor 2023
Dje, në Asociacionin Bankar të Maqedonisë (ABM) u shënua jubile i vogël - 5 vjet “Kuizi Europian i Parave”. Më pas u theksuan rezultatet solide të deritanishme në këtë garë europiane për nxënësit e moshës 13 - 15 vjeç, si dhe gatishmëria për inkurajimin e mëtejshëm të edukimit financiar për gjeneratat e reja.
|
Одбележан петгодишниот јубилеј на „Европскиот квиз на пари“ во нашата земја,13.06.2023 |
Në takim, kryetarja e ABM-së, dr. Maja Stevkova-Shterieva, guvernatorja dr. Anita Angellovska-Bezhoska, dhe ministri i arsimit dr. Jeton Shaqiri përshëndetën ekipet fituese në garën kombëtare të këtij viti “Kuizi Europian i Parave”: të parët Kirill Kitevski dhe Kristian Llazaroski nga SHFK “Mite Bogoevski” - Resnjë me mentoren Sonja Strezovska, të cilët e përfaqësuan vendin tonë në finalen europiane më 16 maj në Bruksel, Belgjikë; të dytë Bllagoja Trajçeski dhe Teodora Tërposka nga SHMEK “Jane Sandanski” - Manastir me mentoren Biljana Koçovska dhe të tretët Nikolla Pavllovski dhe Darija Jakimovska nga SHF “Goce Dellçev” - Ilinden me mentoren Dançe Nacevska.
Kryetarja e ABM-së, Maja Stevkova-Shterieva, theksoi se të gjithë anëtarët e ABM-së gjithmonë do t'u japin mbështetje dhe inkurajim maksimal të rinjve që tregojnë interes për thellimin e njohurive të tyre në fushën e financave dhe ekonomisë.
- Me të vërtet është kënaqësi e madhe që “Kuizi Europian i Parave” në vendin tonë realizohet me sukses tashmë 5 vite. ABM-ja do të vazhdojë të investojë në edukimin e të rinjve, sepse ato janë ardhmëria jonë dhe sa më shumë të rinj të edukohen në financa, aq më të suksesshëm do të jenë biznesmenët që do t'i fillojnë në të ardhmen ose vendimet financiare që do t'i sjellin - theksoi Stevkova-Shterieva.
Në takim, guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska theksoi se sipas matjeve së fundit për njohuri financiare në vendin tonë, të rinjtë prej moshës 18 - 29 vjeç kanë 54% të totalit të pikëve për njohuri financiare, që është pak më poshtë se mesatarja e rajonit që arrin 56%. Prej këtu, ekziston hapësirë për përmirësim nëpërmjet edukimit të të rinjve që nga bankat shkollore, me përpjekje të përbashkëta nga ana e rregullatorëve financiar dhe sektorit financiar privat, si dhe nga ana e institucioneve arsimore. Strategjia e parë kombëtare për edukim financiar dhe përfshirje financiare, të cilën Banka Popullore dhe rregullatorët e tjerë financiarë e miratuan në vitin 2021, ndër të tjera parashikon aktivitete për përfaqësim më të madh të edukimit financiar në arsimin formal, për të cilën bashkëpunimi dhe mbështetja nga ministria kompetente do të jenë me rëndësi të madhe.
Më pas shtoi: “Banka Popullore edhe më tej do të punojë në afirmimin e edukimit financiar tek të rinjtë, përmes ligjëratave të rregullta për të gjitha shkollat e interesuara, por edhe përmes modernizimit të vazhdueshëm të mënyrës dhe formatit të prezantimeve dhe materialeve edukative, duke udhëhequr llogarinë për përfaqësim adekuat dhe kanale digjitale, më tërheqëse për të rinjtë."
Në fjalimin e tij ministri i Arsimit Jeton Shaqiri theksoi:
- Në sistemin ekzistues arsimor janë përfshirë segmente të ndara të edukimit financiar, por na presin akoma aktivitete në të ardhmen, së bashku me institucionet rregullatore të sistemit financiar, sektorin privat dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, përderisa duam ta iniciojmë edukimin financiar në nivel më të lartë, duke krijuar gjenerata të përgatitura për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre financiare.
Duke i uruar për suksesin e arritur, garuesve dhe mentorëve të tyre iu ndanë edhe dhurata simbolike nga ABM-ja dhe Banka Popullore.
Pjesëmarrja e vendit tonë në “Kuizin Europian të Parave” organizohet nga Asociacioni Bankar i Maqedonisë, në bashkëpunim me Bankën Popullore dhe Komisionin për Letrat me Vlerë, me mbështetje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Financave.