Shkup, 13 janar 2023
Bankat qendrore duhet të qëndrojnë në pajtueshmëri me detyrën e tyre dhe të sigurojnë stabilitetin afatmesëm të çmimeve, dhe me atë edhe stabilitetin makroekonomik. Projeksionet e institucioneve financiare ndërkombëtare janë se në korniza globale pas rritjes së lartë të inflacionit vitin e kaluar, këtë vit do të ketë ngadalësim gradual, respektivisht inflacioni global prej rreth 10% do të ngadalësohet në rreth 7%. Në rajonin e EQЈ-së, inflacioni parashikohet gjithashtu të ngadalësohet në rreth 8%, që është i ngjashëm me parashikimet e inflacionit në vendin tonë. Megjithatë, rreziqet rreth projeksioneve janë në rritje dhe varen nga tre supozime kryesore: çmimet e produkteve primare të stabilizohen, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit të vazhdojnë të zvogëlohen dhe pritshmëritë e inflacionit të stabilizohen. Anketa më e fundit e BQE-së mbi pritshmëritë e inflacionit tregon se në pritshmëritë afatshkurtra të inflacionit ka ende disa zhvendosje rritëse në pothuajse të gjitha ekonomitë, por është pozitive që pritjet afatgjata inflacioniste janë kryesisht të qëndrueshme. Ruajtja e pritshmërive të qëndrueshme inflacioniste është çelësi për rrugën e mëtejshme të inflacionit, dhe parakusht për këtë është zbatimi i politikave prudente makroekonomike. Është e nevojshme që inflacioni të kthehet në rrugë të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë të ruhet fuqia blerëse e popullsisë dhe të mbështeten investimet përmes reduktimit të pasigurisë, thеksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska në panelin e diskutimit të Forumit të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL), organizuar nga “Euromani” në Vjenë të Austrisë.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska mori fjalën në panelin e diskutimit me titull “Politika monetare: përshpejtuese fiskale, frenimi monetar - përballja me krizën”. Në panel diskutimin morën pjesë edhe guvernatori i bankës qendrore të Gjeorgjisë, Koba Gvenetaçe, guvernatori i bankës qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko dhe zëvendësguvernatori i bankës qendrore të Hungarisë, Mihali Patai. Paneli i diskutimit ishte i fokusuar në sfidat aktuale të bankave qendrore të shkaktuara nga inflacioni i lartë në nivel global, koordinimi i politikës fiskale dhe monetare dhe drejtimet e tyre gjatë krizës aktuale.
Në kuadër të Forumit, guvernatorja realizoi dhe disa takime me përfaqësues të lartë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve, si dhe takime me disa investitorë institucionalë ndërkombëtarë.
Forumi i EQL-së, në të cilin mori pjesë guvernatorja, në 28 vitet e fundit është vendosur si ngjarje ku pjesëmarrësit e tregjet financiare të interesuara në rajon mund të shkëmbejnë idetë dhe pritshmëritë për drejtimet e ekonomisë në EQL-në. Në këtë forum tradicionalisht marrin pjesë politikëbërësit, respektivisht guvernatorët e bankave qendrore, ministrat e financave, udhëheqësit e institucioneve financiare, por edhe investitorë.
Këtë vit, mbledhja zhvillohet mes presioneve inflacioniste globale, turbulencave gjeopolitike në Europë dhe krizës energjetike, të cilat kanë ndikim në rajonin e EQL-së. Prej aty, pjesëmarrësit debatojnë në tema që kanë të bëjnë me sigurinë energjetike, zhvillimet në Ukrainë, sektorin bankar rajonal në kontekstin aktual dhe politikën monetare.