Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare
Shkup, 12 gusht 2020
Më 11 gusht të vitit 2020 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit dhe treguesit e ekonomisë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbahet në 1,5%. Ulja e normës bazë të interesit në nivelin aktual, si dhe ulja e konsiderueshme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuoi për rritje të mëtejshme të likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetje të flukseve të kredive në ekonomi. Nisur nga lehtësimi tashmë i kryer, kur akoma ekzistojnë rreziqe, në këtë mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në nivelin aktual, sipas kushteve aktuale ekonomike dhe financiare. Në të njëjtën kohë, në mbledhje u vlerësua se likuiditeti i lëshuar i një totali prej 15 miliardë denarësh përmes instrumentit themelor të Bankës Popullore për prill dhe maj është i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që në ankandin që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore me një shumë të pandryshuar prej 10 miliardë denarësh.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe treguesit e fundit ekonomikë në ekonominë vendase. Pas ngadalësimit të rritjes në tremujorin e parë të vitit 2020, të dhënat aktuale me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë të vitit tregojnë efekte më të theksuara negative nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomik që gjithashtu janë në pajtim me pritjet. Ato janë të dukshme përmes rënies dyshifrore të prodhimtarisë industriale dhe qarkullimit në tregti dhe hotelieri, dhe pas rritjes në tremujorin e parë, rënie gjithashtu u shënua edhe në ndërtimtari. Megjithatë, shikuar sipas muajve, pjesa më e madhe e zhvendosjes për poshtë është e koncentruar në prill dhe maj, ndërsa në qershor vërehen shenja të rimëkëmbjes.
Sa u përket ndryshimeve të çmimeve, norma e inflacionit në korrik ishte 1,3% në bazë vjetore dhe 0,6% në total për shtatë muajt e parë të vitit, kryesisht nën ndikimin e çmimeve më të larta të ushqimit. Zhvendosjet e këtilla paraqesin devijim rritës sa i përket normës së pritur të inflacionit për vitin 2020. Në kushte të këtilla, si dhe me drejtime të ndryshme të rishikimit të çmimeve të importit dhe ndryshueshmërisë së madhe veçanërisht të shprehur në kushte të pandemisë globale, ekziston një pasiguri e caktuar rreth parashikimit të inflacionit për vitin 2020.
Niveli i rezervave valutore në fund të korrikut, sipas të gjithë parashikimeve për mjaftueshmërinë e tyre vazhdon të jetë në zonë të sigurt. Gjatë korrikut, faktorët kryesorë që ndihmuan për ndryshimin e rezervave valutore ishin pagesat e rregullta të detyrimeve të sektorit publik ndaj vendeve të jashtme, dhe kontribut më të vogël kishin edhe ndërhyrjet e kryera nga Banka Popullore në tregun e këmbimit valutor. Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, në tremujorin e dytë është pak më i favorshëm se i prituri, me një deficit më të ulët tregtar në raport me të parashikuarin. Kështu, eksportet janë më mirë se pritjet, në kushte të përmirësimit të konsiderueshëm të aktivitetit të një pjese të kompanive të orientuara kah eksporti gjatë qershorit. Të dhënat e disponueshme për sektorin e jashtëm në tremujorin e tretë të vitit janë të kufizuara.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për muajin korrik tregojnë rritjen e tyre të mëtejshme vjetore, pak më të lartë në raport me parashikimin për tremujorin e dytë të vitit.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, pozicioni i likuiditetit të sistemit bankar në monedhë vendase ishte në një nivel relativisht të lartë, gjë që ndihmoi për një nevojë shumë të ulët dhe të përkohshme të bankave për huamarrje në tregjet e parasë. Treguesit për tregjet financiare vendore për korrikun e vitit 2020 tregojnë një rritje sezonale të ofertës së monedhave të huaja, kryesisht e shkaktuar nga personat fizikë në tregun e këmbimit valutor. Kjo përmirësoi lëvizjet në tregun e këmbimit valutor të bankave me klientët e tyre dhe rritje të mëtejshme të likuiditetit në valutë në sistemin bankar, që zvogëloi nevojën për ndërhyrje për shitje të valutave të huaja nga Banka Popullore. Tendencat relativisht të favorshme në tregun e këmbimit valutor vazhdojnë edhe në fillimin e gushtit.
Në korrik, shenjat e rimëkëmbjes së rritjes ekonomike në eurozonë dhe Kinë, informacionet për zhvillimin e një vaksinë kundër virusit Kovid-19 dhe mbështetja e mëtejshme monetare dhe fiskale e ekonomive më të mëdha krijuan optimizëm tek investitorët e tregjeve financiare ndërkombëtare, që janë pasqyrim i dinamikës rritëse të indekseve të burës në korniza globale. Këto ngjarje ishin të shprehura deri në gjysmën e dytë të muajit, kur për shkak të shqetësimit të investitorëve lidhur me paraqitjen e valës së dytë të infektimeve nga kriza e koronës në nivel global dhe tensioneve të rritura politike ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, disponimi i investitorëve ndryshoi dhe shkaktoi rënie të kthimeve të obligacioneve qeveritare në eurozonë dhe SHBA.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se flukset janë aktualisht stabile dhe treguesit e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, me ç’rast pikëpamjet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Pasiguria dhe rreziqet nga efektet e ardhshme makroekonomike nga pandemia e shkaktuar nga Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishme si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendore. Banka Popullore edhe në periudhën që pason me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur përmes përshtatjes së politikës monetare nëse është e nevojshme.