Shkup, 12 korrik 2023
Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut i publikoi të dhënat në fushën e statistikës pagesore për tremujorin e parë të vitit 2023.
Të dhënat tregojnë tendencën e përdorimit të mëtejshëm të përforcuar të kanaleve digjitale për kryerjen e pagesave në vend, sidomos nga qytetarët, si gjatë përdorimit të kartelave pagesore, ashtu edhe gjatë përdorimit të aplikacioneve celulare për inicimin elektronik të transfertave të kredive, apo të ashtuquajturat urdhërpagesa.
Në tremujorin e parë të vitit 2023, rritja vjetore e përdorimit të kartelave pagesore të lëshuara në vend për transaksione me para të gatshme dhe për pagesa të produkteve dhe shërbimeve në vend nga qytetarët arrin 14,7% tek numri dhe solide 12% tek vlera e këtyre transaksioneve. Njëkohësisht, rritje e dukshme vjetore prej 16,8% është vërejtur tek përdorimi i kartelave për pagesa të produkteve dhe shërbimeve në vend, gjatë rritjes së përforcuar të pagesave në pikat fizike të shitjes prej 17,4%, por edhe rritje solide prej 11,1% të pagesave në pikat virtuale (internet) të shitjes.
Rritje vjetore është vërejtur edhe tek pagesat e qytetarëve me urdhërpagesa, si tek numri i transaksioneve pagesore (6,1%), ashtu edhe tek vlera e transaksioneve të realizuara (3,1%), gjatë rritjes së mëtejshme të përdorimit të bankingut elektronik për inicimin e këtyre pagesave. Numri i urdhërpagesave të iniciuara në mënyrë elektronike në tremujorin e parë të vitit 2023 shënoi rritje prej 14,5% në bazë vjetore, që është dyfish më shumë nga rritja vjetore në tremujorin e parë të vitit 2022 (7,1%). Në të njejtën kohë, qytetarët veçanërisht kanë përdorur aplikacionet mobile për pagesa nga celulari, me të cilat kanë kryer më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të urdhërpagesave të inicuara në mënyrë elektronike. Vlen të theksohet se numri i transaksioneve të pagesave të kryera përmes telefonit celular është vazhdimisht në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti është për 23,8% më i lartë se numri i këtyre transaksioneve në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Njëkohësisht, rritje vjetore, por jo aq të fortë, prej 3,5% është shënuar edhe në përdorimin e kompjuterëve për kryerjen e pagesave.
Të dhënat nga fusha e statistikës pagesore për tremujorin e parë të vitit 2023, të cilat përveç të dhënave të paraqitura për transaksionet e pagesave të qytetarëve në vend përmbajnë edhe të dhëna për transaksionet e pagesave të personave juridikë në vend, mund t'i gjeni në lidhjen në vijim.