Më 10 mars të vitit 2020, Komiteti për Politikë Operative Monetare i Bankës Popullore shqyrtoi treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit në janar të vitit 2020, në këtë mbledhje, Komiteti vlerësoi se pozicionimi aktual monetar është i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në 2%. Gjithashtu, u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore për ankandin që do të mbahet më 11 mars 2020 të mbahet në nivelin e 25.000 milionë denarë. Vendimi për mosndryshimin e pozicionimit monetare bazohet në zhvillimet e favorshme në ekonominë vendase, të cilat janë brenda pritjeve, por në të njëjtën kohë me një rritje të konsiderueshme të rreziqeve dhe pasigurive për ekonominë globale, të shkaktuara nga infektimi i ri i virusit Kovid - 19.
Sa i përket aktivitetit ekonomik, të dhënat e botuara për PBB-në për tremujorin e katërt të viti 2019 tregojnë rritje më të shpejtë të ekonomisë se sa pritej, mirëpo arritjet për tërë vitin 2019 janë në vijë me normën e parashikuar në kuadër të parashikimeve të tetorit. Në fakt, të dhënat zyrtare në përqindje për PBB-në për tremujorin e katërt të vitit 2019 tregojnë rritje ekonomike të qëndrueshme prej 3,4% në bazë vjetore. Kështu, rritja reale e ekonomisë në vitin 2019 arriti 3,6% (rritja e pritur 3,5%). Rritja në vitin 2019 është nxitur nga kërkesa e brendshme, nxitësi i së cilës janë investimet bruto, ndërsa kontribut të konsiderueshëm është vërejtur edhe nga konsumi privat. Rritja e komponentëve të kërkesës dhe eksportit kontribuon për rritje edhe të importit, me ç’rast eksporti neto ka kontribut negativ në totalin e rritjes ekonomike. Për tremujorin e parë të vitit 2020, në kushte të një sasie të kufizuar të të dhënave të disponueshme, është vështirë të jepet një vlerësim më preciz për gjendjen e ekonomisë.
Sa u përket zhvillimeve të inflacionit, në dy muajt e parë të vitit 2020, norma mesatare vjetore e rritjes së çmimeve të konsumatorëve ishte 0,7% që është një realizim më i lartë në krahasim me parashikimet e tetorit. Me korrigjime më të shprehura për poshtë lidhur me lëvizjen e pritur të çmimeve të importit, rreziqet në lidhje me parashikimin e inflacionit për vitin 2020 prej 1,5% aktualisht vlerësohen si për poshtë. Pasiguria lidhur me lëvizjen e pritshme të çmimeve botërore të produkteve parësore në periudhën e ardhshme vazhdon të ekzistojë dhe është më e shprehur.
Rezervat valutore në vitin 2019 dhe në dy muajt e parë të vitit 2020 janë diçka më të mira se pritjet, me ç’rast niveli i rezervave valutore vazhdon të mbahet në zonë të sigurt. Sipas të dhënave në dispozicion për sektorin e jashtëm, të dhënat për tregtinë e jashtme për janarin e vitit 2020 tregojnë një deficit tregtar i cili është diçka më i ulët në raport me të parashikuarin për tremujorin e parë të vitit. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor sa i përket shkurtit, tregojnë neto hyrje nga transferimet private të cilët janë në vijë me pritjet për tremujorin e parë të vitit 2020. Bilanci i pagesave për vitin 2019 tregon një deficit më të lartë në llogarinë korrente në raport me parashikimet e tetorit (2,8% të PBB-së, përkundër të parashikuarit 1,3% të PBB-së), dhe një pozitë konsiderueshëm më të mirë të llogarisë financiare (neto hyrje prej 5,4% të PBB-së krahasuar me të parashikuarin 3,6% të PBB-së).
Sa u përket lëvizjeve në totalin e depozitave dhe kredive, të dhënat fillestare për shkurtin tregojnë rritje të mëtejshme vjetore të depozitave dhe kredive, me ç’rast arritjet nuk tregojnë devijime më të mëdha nga parashikimet.
Në periudhën midis dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i sistemit bankar me monedhë vendase u mbajt në nivel relativisht të lartë dhe të qëndrueshëm, gjë që ka ndikuar në nevojën e ulët të bankave për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave të pakolateralizuara. Në rrethana të këtilla, tepricën e mjeteve në denarë bankat vazhdojnë ta drejtojnë në depozita të disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësojnë fleksibilitet dhe qasje të lartë në mjetet për mbështetje të pandërprerë kreditore të subjekteve të vendit dhe llojet e tjera të investimeve.
Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, bankat, për nevojat e klientëve të tyre realizuan neto shitje më të moderuar të valutave të huaja krahasuar me muajin e parë të vitit. Kontributin kryesor në këtë zhvillim të tregut të këmbimit valutor e kishte kërkesa më ulët sezonale për valuta të huaja nga sektori i korporatave. Bankat kënaqën neto kërkesën për valuta të huaja nga ana e klientëve me anë të mjeteve valutore me të cilat disponojnë ato, dhe me qëllim neutralizimin e ndryshimeve afatshkurtra në likuiditetin në valuta të huaja të sistemin bankar, Banka Popullore në dy raste shiti një total prej 5 mil. eur.
Në shkurt, përhapja e koronavirusit jashtë Kinës rriti shqetësimin e investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare për implikimet negative mbi rritjen ekonomike globale. Në kushte të këtilla, investitorët kishin një interes më të shprehur për të investuar në mjete më të sigurta financiare (flori dhe bono qeveritare) çmimet e të cilave shënonin rritje, në të njëjtën kohë me një rënie të konsiderueshme të çmimeve të aksioneve në bursat botërore. Pasiguria globale dhe zhvillimet në tregjet financiare në fillim të marsit imponuan nevojën për koordinim të politikave të vendeve anëtare të G-7-ës, të cilat përmes një telekonference shprehën gatishmërinë për të përdorur instrumentet në dispozicion për të arritur një rritje të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Banka Qendrore e SHBA-së - FED-i në një mbledhje të jashtëzakonshme reagoi me një ulje të konsiderueshme të nivelit të normës bazë të interesit, ndërsa në disa ditët e fundit, gjithnjë e më të shprehura janë pritjet e pjesëmarrësve të tregut për ndryshime shtesë në të njëjtin drejtim nga ana e kësaj banke qendrore. Pasiguria rreth masave të ardhshme në ekonomitë e zhvilluara, si dhe ndryshueshmëria e madhe në tregjet financiare ndërkombëtare, e cila në disa ditët e kaluara u manifestua me ulje të konsiderueshme të: çmimit të naftës, indekseve të bursës dhe vlerës së dollarit amerikan në raport me euron, në periudhën e ardhshme në mënyrë aktive do të monitorohen nga Banka Popullore me qëllim vlerësimin e duhur të efekteve të tyre mbi ekonominë vendase dhe nevojat për ndërmarrjen e masave të mundshme.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se treguesit e fundit makroekonomikë në ekonominë e brendshme kryesisht lëvizin në vijë me pritjet, mirëpo rreziqet na mjedisi bëhen gjithnjë më të shprehura. Infeksioni i ri i virusit, Kovid - 19 pasqyrohet mbi ekonominë globale, ndërsa efektet e tij ekonomike në tërësi janë akoma të pasigurta dhe varen nga kohëzgjatja dhe fuqia e kësaj goditjeje të papritur që është me karakter joekonomik. Banka Popullore do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme nga ambienti, me qëllim përshtatjen e duhur të politikës monetare.