Shkup, 11 dhjetor 2024
Edukimi financiar dhe përfshirja financiare janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe zhvillimin social, por edhe për qytetarët, sepse vetëm një person i edukuar financiarisht mund të marrë vendime të sakta për kursimin, kreditimin dhe investimin. Edukimi financiar është gjithashtu i rëndësishëm për të gjithë sistemin financiar, sepse zvogëlon rrezikun e mbi-borxhit dhe në këtë mënyrë kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm financiar. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar dhe Përfshirjen Financiare në vendin tonë, që për herë të parë u sjell nga rregullatorët financiarë të udhëhequr nga Banka Popullore, është një përpjekje gjithëpërfshirëse që synon adresimin e sfidave të ndryshme të edukimit financiar në vend. Është vendosur një kornizë e fortë bashkëpunimi, që bashkon pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm, duke përfshirë institucionet rregullatore dhe arsimore, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat. Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në ngjarjen për shkëmbimin e përvojave me disa shtete në fushën e edukimit financiar, organizuar në kuadër të Projektit rajonal për mbështetjen e edukimit financiar, të realizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me mbështetjen e Ministrisë së Financave të Holandës dhe platformës “Monejvajs”.
Udhëheqësi i OECD-së për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare, edukimin financiar dhe përfshirjen, Miles Larbi, nëpërmjet video-fjalimit të tij, përgëzoi Bankën Popullore dhe Trupin koordinues për të arriturat në edukimin financiar në vitet e kaluara. Z. Larbi theksoi se zbatimi i Strategjisë Kombëtare në Maqedoninë e Veriut është në përputhje me rekomandimin e OECD-së për edukim financiar dhe praktikat e mira ndërkombëtare të OECD/INFE. Vuri në dukje se “përmirësimi i edukimit financiar i ndihmon njerëzit të marrin vendime financiare më të sigurta bazuar në informacione, të cilat në fund të fundit kontribuojnë në mirëqenien e tyre financiare”. “OECD, përmes projektit rajonal për edukim financiar të mbështetur nga Ministria e Financave e Holandës, shpreh kënaqësinë që mund të mbështesë zhvillimin e edukimit financiar në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera ndër vite”, theksoi Larbi.
Duke iu referuar edukimit financiar, guvernatorja Angellovska-Bezhoska në fjalimin e saj theksoi të dhënat nga Anketa Ndërkombëtare e OECD/INFE për edukimin financiar të popullsisë së rritur nga viti 2023 [i], sipas të cilave nivelet e edukimit financiar në të gjithë Europën janë ende në nivele alarmante të ulëta, me vetëm 52% e popullsisë së rritur në Europë ka njohuri bazë financiare, ndërsa tek ne kjo përqindje është edhe më e ulët në 42%. Kjo tregon se edhe pse më shumë aktivitete janë ndërmarrë për të promovuar edukimin financiar, ka ende sfida në mbarë botën.
Lidhur me përfshirjen financiare, guvernatorja iu referua boshllëqeve gjinore në edukimin financiar dhe përfshirjen, si një nga çështjet më të rëndësishme që është domethënëse jo vetëm nga aspekti i barazisë gjinore, por edhe nga aspekti i zhvillimit ekonomik. Guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se në vendin tonë ekziston një hendek i theksuar gjinor në posedimin e llogarisë bankare, kështu që 80% e femrave dhe 91% e meshkujve në vend kanë llogari bankare. “Për të kapërcyer këtë hendek, ne duhet të zbatojmë masa që synojnë emancipimin financiar të gruas, si disponueshmëria e burimeve arsimore të përshtatura me nevojat dhe rrethanat e grave, duke marrë parasysh faktorë të tillë si rrethanat familjare apo statusi i punës”, theksoi guvernatorja. Sipas saj, ka një hendek të madh edhe në përfshirjen financiare të të rinjve në rajon në krahasim me BE-në. Në vendin tonë, megjithëse numri i të rinjve që zotërojnë një llogari është rritur gjatë dekadës së fundit (74%), ka ende një hendek të konsiderueshëm në krahasim me Eurozonën (95%).
Zvogëlimi i këtyre boshllëqeve është e një rëndësie të veçantë, veçanërisht në rajonin tonë, i cili ka mbetur prapa për sa i përket konvergjencës financiare dhe qasjes në financim. Guvernatorja Angellovska-Bezhoska vuri në dukje hendekun e madh që ekziston në fushën e ndërmjetësimit financiar ndërmjet rajonit dhe BE-së, me pjesëmarrjen e kredive në PBB prej përkatësisht 45% dhe 80%, si dhe tregues të tjerë që e vërtetojnë këtë.
Në prag të vitit të fundit të periudhës që mbulon Strategjia Kombëtare për Edukim Financiar, është gjithmonë e nevojshme të vlerësohet efektiviteti i programeve aktuale nëpërmjet analizave dhe reagimeve nga palët e interesuara, matjes së njohurive dhe vlerësimit të ndryshimeve që dalin nga iniciativat edukuese. Shkëmbimi i përvojave me kolegë nga Gjeorgjia, Armenia, Italia, Polonia dhe Kroacia është gjithashtu e rëndësishëm për përcaktimin e udhëzimeve për strategjinë e re afatmesme.
[i] https://www.oecd.org/en/publications/oecd-infe-2023-international-survey-of-adult-financial-literacy_56003a32-en.html