Përfundoi me sukses konferenca e 13-të për pagesa dhe infrastrukturë të tregut
Shkup, 11 dhjetor 2021
Zgjidhjet teknologjike digjitale në të cilat bazohen bankingu i hapur dhe pagesat e shpejta ose të menjëhershme janë vetëm një numër risish që premtojnë revolucion të shërbimeve financiare dhe paralajmërojnë komoditete të reja për pagesat. Por ato janë gjithashtu edhe sfidë për rregullatorët - për të lehtësuar aksesin e pjesëmarrësve të ri në tregun e shërbimeve të pagesave. Banka Popullore tashmë po bën përpjekje të mëdha dhe ka synim strategjik sipas të cilit në periudhën e ardhëshme parashihen një sërë aktivitetesh për nxitjen e modernizimit të peizazhit të pagesave, veçanërisht pas miratimit të zgjidhjes së re ligjore të harmonizuar me rregulloren evropiane. Me përpjekjet e Bankës Popullore dyert për këtë modernizim në ekonominë tonë po hapen gjithnjë e më shumë dhe nevojiten përpjekje nga të gjithë rregullatorët financiarë.
Kjo, ndër të tjera, u theksua në përmbylljen e Konferencës së 13-të për pagesa dhe infrastrukturë të tregut “Pagesat në epokën digjitale: nga brenda jashtë”, të organizuar nga Banka Popullore në bashkëpunim me Bankën e Holandës, e cila u mbajt gjatë dy ditëve të fundit, në format virtual.
“Mbajtja e një konference virtuale ishte sfidë për të gjithë ne, ndërsa suksesi i saj është një konfirmim që të gjithë ne që jemi dëshmitarë të mjedisit digjital të sotëm, përveç vëzhguesve, jemi të gatshëm të marrim edhe rolin e iniciatorëve, mbështetësve dhe bartësve të ndryshimeve digjitale”, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Emilija Nacevska, në fjalimin e saj në të cilin prezantoi konkluzionet e Konferencës.
Në fjalimin e saj, ajo iu referua edhe sfidave për rregullatorët në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, përfshirë edhe vendin tonë, të cilat u diskutuan në pjesën më të madhe të Konferencës. Ajo theksoi nevojën për të lehtësuar aksesin për pjesëmarrësit e rinj të tregut nëpërmjet krijimit të portave të inovacionit, apo laboratorëve rregullatorë, qëllimi i të cilëve është këshillimi, por edhe mbështetja e hyrjes së tyre. Banka jonë qendrore krijoi portë inovacioni më shumë se dy vjet më parë.
“Për të përfituar nga kjo, na duhet qasje kombëtare dhe ndërkombëtare, duke pasur parasysh se digjitalizimi dhe siguria nga sulmi nga hapësira digjitale janë “të dyja anët të të njëjtës monedhë”, tha zëvendësguvernatorja Nacevska.
Duke i prezantuar konkluzionet nga Konferenca, Nacevska iu referua edhe diskutimeve të ekspertëve eminentë të cilët morën pjesë në panel diskutime. Ajo u fokusua në tendencat dhe sfidat më të fundit që dalin nga ndikimi i teknologjive të reja në tregun e shërbimeve të pagesave, ndryshimi i shprehive të pagesave në epokën digjitale, mundësitë dhe sfidat e bankingut të hapur, transformimet e udhëhequra nga kompanitë fintek, siguria nga sulmet nga hapësira digjitale, si dhe valutat digjitale të emetuara nga bankat qendrore.
“Në nivel kombëtar jemi duke finalizuar aktivitetet në lidhje me miratimin e kornizës së re rregullatore me të cilën do të transponohen një sërë direktivash të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave, të cilat besojmë se do të jenë nxitje dhe inkurajim për inovacionet dhe konkurrencën, duke ngritur në një nivel më të lartë shërbimet e pagesave digjitale”, përkujtoi Nacevska.
Në Konferencë morën pjesë më shumë se 200 pjesëmarrës, përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore kombëtare të Bashkimit Evropian, bankave qendrore të vendeve të rajonit, rregullatorëve vendas, sektorit bankar vendas, si dhe institucionet jobankare vendase. Me pjesëmarrjen e tyre aktive në Konferencë, duke shtruar pyetje përkatëse dhe duke hapur perspektiva të reja për zhvillimin e shërbimeve të pagesave në vend dhe më gjerë, kontribuan në suksesin e saj.
Banka Popullore do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë aktive risitë dhe tendencat në fushën e pagesave në epokën digjitale dhe do të përpiqet të inkurajojë aktivitetet për përmirësimin e shërbimeve të pagesave në vendin tonë, duke marrë parasysh përvojat e ndara në Konferencë.