Shkup, 11 dhjetor 2020
Parashikimet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore prezantohen përpara korit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare - presim që rritja e parashikuar ekonomike prej 3,9% për vitin e ardhshëm të mbështetet nga të gjitha burimet e rritjes.
Dje, në një takim përmes një video konference, u prezantuan parashikimet e fundit të Bankës Popullore përpara korit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Duke prezantuar parashikimet, guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska theksoi se skenari makroekonomik dhe rreziqet rreth tij, në masë të madhe janë të kushtëzuara nga zhvillimi i krizës shëndetësore në korniza globale, gjegjësisht nga trajtimi i pandemisë dhe pasojave të saj mbi sjelljen dhe pritjet e subjekteve ekonomike.
„Presim që rritja e parashikuar ekonomike për vitin e ardhshëm të mbështetet nga të gjithë burimet e rritjes, me ç’rast kërkesa vendore do të kishte një kontribut pozitiv. Presim ulje graduale të përmbajtjes dhe rritje të prirjes për konsum. Konsumi i amvisërive do të mbështetej edhe përmes rritjes së të hyrave të disponueshme dhe aktivitetit të qëndrueshëm të kredisë nga ana e bankave. Gjithashtu presim edhe aktivitet të rritur investues dhe prirje të rritur për marrjen e vendimeve të reja investuese, një vlerësim që është në pajtim me rritjen e mëtejshme të kreditimit të kompanive, intensifikimin e projekteve infrastrukturore të qeverisë, si dhe me stabilizimin e ekonomisë globale, rritjes së eksportit dhe rritjes së investimeve të huaja direkte.“ - theksoi guvernatorja.
Në plan afatmesëm, siç u theksua në takim, rritja ekonomike pritet të vazhdojë, por pasiguria dhe rreziqet mbeten.
Gjatë prezantimit, Angelovska-Bezhoska theksoi në veçanti se inflacioni vazhdon të jetë i ulët dhe stabil, dhe se pavarësisht goditjes së shkaktuar nga pandemia, pozicioni i jashtëm i ekonomisë maqedonase është i moderuar, me ç’rast parashikimet aktuale të bilancit të pagesave tregojnë një rritje të rezervave valutore në periudhën e parashikimeve.

Në takim, guvernatorja iu referua edhe aktivitet të kredisë, duke theksuar rritjen e deritanishme solide të tij, konsiderueshëm i mbështetur edhe nga politika më e relaksuar monetare dhe fleksibiliteti i mundësuar rregullator nga ana e Bankës Popullore. Në periudhën e ardhshme, pritet rritje e mëtejshme e mbështetjes së kredisë, që do të vazhdojë të jetë thelbësore për rimëkëmbjen e ekonomisë në kushte të rritjes së burimeve të financimit dhe pritjeve më të favorshme.
Siç është njoftuar tashmë, rreziku i vetëm në rënie për parashikimet lidhet me rivendosjen e mundshme të masave të rrepta kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit, si dhe trajtimin më të ngadaltë të virusit se sa pritjet aktuale. Mirëpo, nga ana tjetër, një rrezik pozitiv është përparimi më i shpejtë i trajtimit të korona virusit, si dhe zhvillimi i vaksinës. Kështu, gjatë takimit u theksua se nëse kërcënimi nga korona virusi tejkalohet më shpejt se sa pritet, besimi i shtuar mund të rrisë ndjeshëm aktivitetin ekonomik.

Prezantimi i parashikimeve makroekonomike përpara korit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare është një përvojë tradicionale, ndërsa këtë herë, duke pasur parasysh rrethanat me pandeminë, për herë të parë u zhvillua përmes një video konference.