Më 10 dhjetor të vitit 2019, Komiteti për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore shqyrtoi treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Komiteti shqyrtoi arritjet e fundit në ekonominë vendase në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomike të muajit tetor. Me ç’rast u vlerësua se pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare dhe se themelet ekonomike vazhdojnë të jenë të shëndosha, pa prani të çekulibrimeve në ekonomi. Inflacioni i ulët dhe stabil dhe pozicioni i favorshëm në bilancin e pagesave, që nga fillimi i vitit në vazhdimësi kontribuojnë për ndërhyrjen e Bankës Qendrore për blerje të valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritje stabile. Në kushte të këtilla, ishte vendosur që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet në nivelin e 2,25% dhe në ankandin e bonove të bankës qendrore më 11 dhjetor 2019 të ofrohen bono të bankës qendrore në shumë prej 25.000 milion denarë.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë për ekonominë vendase, sipas të dhënave të publikuara në përqindje për PBB-në, aktiviteti ekonomik vazhdoi rritjen edhe në tremujorin e tretë të vitit. Norma reale e rritjes vjetore është 3,6%, ndërsa arritjet aktualisht janë brenda pritjeve. Sa u përket faktorëve për rritje të ekonomisë, kërkesa vendase shënon kontribut pozitiv, gjatë një rritjeje të vazhdueshme të konsumit privat dhe publik dhe investimeve bruto, ndërsa eksporti neto ka kontribut negativ. Rrija e ekonomisë në tre tremujorët e parë të vitit është 3,6% dhe është në pajtim me parashikimet për këtë periudhë të vitit. Të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë për tetorin janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të bërë konstatime më precize për tremujorin e katërt, por sinjalet aktualisht tregojnë rritje të mëtejshme të aktivitetit në ekonomi.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në periudhën janar-nëntor është 0,8%, dhe është diçka nën inflacionin e pritur prej 1% për tërë vitin 2019. Pasiguria rreth lëvizjes së çmimeve të produkteve parësore në bursat botërore vazhdon të jetë faktori kryesor i rrezikut për parashikimin e inflacionit vendas për periudhën e ardhshme.
Sa u përket treguesve për sektorin e jashtëm, arritjet në bilancin e pagesave në tremujorin e tretë të vitit 2019 janë brenda parashikimeve. Të dhënat për tregtinë e jashtme nga muaji tetor tregojnë në një deficit diçka më të lartë se sa i parashikuari, edhe pse periudha është shumë e shkurtër për arritjen e konstatimeve më konkrete. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor lidhur me dhjetë ditët e para të nëntorit tregojnë mundësi për hyrje neto nga transferimet private në pajtim me parashikimet për tremujorin e tretë. Rezervat valutore në fund të nëntorit shënojnë rritje, dhe në raport me arritjet për tremujorin e tretë dhe në raport fundin e vitit 2018, me ç’rast të gjithë treguesit e mjaftueshmërisë së tyre vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket lëvizjeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për muajin nëntor tregojnë rritje të mëtejshme në bazë vjetore, me ç’rast lëvizjet e deritanishme nuk tregojnë devijime më të mëdha nga parashikimet.
Në periudhën midis dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i bankave të vendit u mbajt në nivel relativisht të lartë, dhe si pasojë bankat edhe më tej kishin nevojë të dobët për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave. Tepricën e parave të lira bankat vazhdojnë ta drejtojnë në depozitat e disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësuan fleksibilitet dhe qasje të lartë në mjetet për mbështetje të pandërprerë kreditore të subjekteve të vendit dhe llojet e tjera të investimeve.
Në tregun e këmbimit valutor në muajin nëntor, bankat realizuan shitje neto relativisht të lartë të valutës së huaj për nevojat e klientëve të tyre. Lëvizjet e tilla, përveç faktorëve sezonalë, kryesisht reflektuan kërkesën e rritur për valuta të huaja nga jo-rezidentët. Kërkesën më të lartë për valuta të huaja nga klientët, bankat e kënaqën plotësisht nga likuiditeti i tepërt valutor në dispozicion. Në rrethana të tilla, ndryshe nga muajt e kaluar kur ishte e pranishme me blerjen e likuiditetit të tepërt valutor të bankave, në nëntor Banka Kombëtare nuk ndërhyri në këtë segment të tregut.
Në nëntor, pritjet e investitorëve për një rezultat pozitiv nga negociatat midis SHBA-ve dhe Kinës për "fazën e parë" të marrëveshjes tregtare përsëri mbizotëruan në tregjet ndërkombëtare, duke çuar në rritjen e kërkesës për instrumente financiare më të rrezikshme. Në kushte të tilla, rendimentet e instrumenteve të borxhit vazhduan të rriten në tregjet financiare ndërkombëtare, ndërsa çmimi i arit ishte në rënie. Gjatë periudhës së analizuar, bankat qendrore vazhduan të zbatojnë politika monetare lehtësuese në plan global, me riaktivizimin e programit lehtësues sasior nga BQE-ja.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se treguesit e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në vijë me pritjet, ndërsa qëndrimet për ambientin e implementimit të politikës monetare janë kryesisht të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Megjithatë, pasiguria dhe rreziqet nga mjedisit të jashtëm, si dhe konteksti i brendshëm, u theksuan përsëri. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.