Shkup, 11 nëntor 2021
Rezervat devizore, të cilat janë faktor kyç nga i cili varet stabiliteti i denarit në raport me euron, mbahen në nivel historik më të lartë, prej 3,6 miliardë euro. Ato janë më shumë se dy herë më të larta se gjatë krizës financiare globale në vitin 2008-2009, ndërsa Banka Popullore disponon edhe mekanizma shtesë për të mbështetur rezervat valutore dhe për të ruajtur stabilitetin e monedhës vendase. Denari ka qenë stabil me vite dhe do të jetë stabil edhe në të ardhmen.
Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në edicionin e mbrëmshëm të emisionit “Revista Ekonomike” në televizionin Alsat-M, i cili iu kushtua parashikimeve dhe vlerësimeve të fundit të Bankës Popullore për gjendjen dhe zhvillimet në ekonominë maqedonase.
Guvernatorja theksoi se gjatë çdo krizë, për shkak të spekulimeve, shtrohet çështja e stabilitetit të denarit, nga e cila preken të gjithë, sidomos qytetarët të cilët në mënyrë të panevojshme do t’u ekspozohen shpenzimeve për konvertim të denarëve në valutë të huaj. Spekulime të tilla pati edhe gjatë kësaj krize, por përkundrazi, të dhënat për periudhën aktuale dhe parashikimet për vitet në vijim flasin për nivel të lartë dhe të përshtatshëm të rezervave valutore, gjë që është garanci për stabilitetin e monedhës vendase.
“Në vitin 2008 dhe 2009, kur u përballëm me krizën financiare globale, niveli i rezervave valutore ishte pothuajse sa gjysma e asaj që kemi sot. Kjo dëshmon se shteti posedon kapacitet të lartë për t'u përballur me çdo goditje, përfshirë spekulimet me të cilat përballemi zakonisht në situata të caktuara krize. Rezervat valutore janë rreth 3.6 miliardë euro, që është më shumë se dy herë më e lartë në krahasim me vitin 2008 kur ishin rreth 1.5 miliardë euro. Krahasuar si përqindje e produktit të brendshëm bruto, atëherë ishin rreth 23% të PBB-së, ndërsa tani mbahen në nivel prej 30%.”- tha Angelovska-Bezhoska.
Ajo rikujtoi se Banka Popullore ka në dispozicion edhe mekanizma shtesë nga Banka Qendrore Evropiane – linja-repo ose e thënë thjesht, akses në likuiditetin valutor, nëse na nevojitet.
“Për herë të parë kjo linjë-repo është siguruar vitin e kaluar. Kjo ishte me iniciativë të bankës sonë qendrore, e cila u mbështet edhe nga shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe së bashku dolëm me një kërkesë ndaj Bankës Qendrore Evropiane, me çka u shënua një hap i madh në këtë drejtim, pikërisht për të mbështetur rezervat valutore dhe stabilitetin e monedhës vendase. “Deri më tani nuk kemi përdorur mjete nga kjo linjë-repo, e cila konfirmon nivelin e përshtatshëm dhe komod të rezervave valutore.”- tha guvernatorja.
Lidhur me parashikimet e fundit makroekonomike të Bankës Popullore, në emision u diskutua edhe për parashikimin e inflacionit, si dhe të rritjes ekonomike.
Guvernatorja theksoi se Banka Popullore pret që inflacioni të mbetet i moderuar, gjë që është në përputhje me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar - vitin e ardhshëm pritet që inflacioni të ngadalësohet, dhe më pas do të binte në mesataren historike prej rreth 2%.