Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore
Shkup, 11 nëntor 2020
Më 10 nëntor të vitit 2020 u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të brendshme dhe treguesit për ekonominë vendase në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste që nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbetet në nivelin e 1,5%. Ulja e normës bazë të interesit në nivelin aktual, si dhe ulja e konsiderueshme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore deri më tani, kontribuuan për rritjen e likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetjen e flukseve të kredisë në ekonomi. Duke pasur parasysh lehtësimin bërë dhe rreziqet e pranishme, në këtë mbledhje u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në nivelin aktual, në përputhje me kushtet aktuale ekonomike dhe financiare. Në të njëjtën kohë, në mbledhje u vlerësua se likuiditeti i liruar prej një totali prej 15 miliardë denarësh përmes instrumentit themelor të Bankës Popullore në prill dhe maj është i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që në ankandin që do të mbahet sot të ofrohen bono të bankës qendrore me një shumë të pandryshuar prej 10 miliardë denarësh.
Treguesit e fundit për aktivitetin ekonomik për tremujorin e tretë tregojnë përshpejtim të rënies, në kushte të zvogëlimit të masave kufizuese dhe përshtatjen e sjelljes së subjekteve ndaj rrethanave të reja. Një ngadalësim i dukshëm u vërejt edhe në normat vjetore të rënies së industrisë, që gjithashtu është në përputhje me rimëkëmbjen e aktivitetit eksportues. Arritjet në ndërtim, hoteleri dhe tregti janë pak më të mira. Treguesit e konsumit privat dhe investimeve gjithashtu tregojnë një rimëkëmbje të caktuar në këtë periudhë. Sa u përket parashikimeve të Bankës Popullore, arritjet më të dobëta në tremujorin e parë, si dhe vlerësimit për efektin e zgjatur të krizës shëndetësore tregojnë rreziqe në rënie për perspektivat ekonomike.
Inflacioni mbetet i moderuar dhe i qëndrueshëm edhe në dhjetë muajt e parë të vitit 2020 dhe mesatarisht në bazë vjetore është 1%. Nga pikëpamja strukturore, çmimet e ushqimit kanë kontribut dominues në inflacionin total, dhe kontributi i inflacionit bazë është gjithashtu pozitiv. Komponenti i energjisë vazhdon të bjerë në përputhje me zhvendosjet e çmimeve botërore të energjentëve. Inflacioni është mbi parashikimin prej 0% për vitin 2020. Në kushte të zvogëlimit të aktivitetit ekonomik dhe rënies së çmimeve të importit, devijimet e këtilla tregojnë ndikimin e faktorëve specifikë në lidhje me pandeminë në ofertën dhe kërkesën e çmimeve të produkteve të caktuara. Në periudhën e ardhshme, vazhdon rreziku i ndryshueshmërisë së çmimeve të importit, veçanërisht në kushte të pandemisë.
Të dhënat e fundit për rezervat valutore tregojnë se ata vazhdojnë të jenë në nivel të përshtatshëm dhe mbahen në zonë të sigurt. Nga fillimi i vitit, rezervat valutore shënojnë rritje, të mbështetura nga fondet e siguruara përmes burimeve të jashtme të financimit. Sa u përket të dhënave për sektorin e jashtëm, të njëjtat tregojnë rënie të deficitit tregtar, në përputhje me pritjet. Gjithashtu, vërehet edhe një stabilizim gradual i ofertës në tregun e këmbimit valutor. Në përgjithësi, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është i qëndrueshëm, gjë që është e dukshme përmes mungesës së nevojës më të madhe për ndërhyrje nga Banka Popullore.
Sa u përket lëvizjeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për tetorin tregojnë vazhdimin e rritjes së tyre të qëndrueshme vjetore, që është në përputhje me pritjet.
Në periudhën nga mbledhja e fundit e Komitetit në tetor dhe këndej, likuiditeti i sistemit bankar në monedhë vendase vazhdon të rritet, gjë që kontribuon për nevojë të përkohshme dhe të ulët të bankave për tregtim me fonde afatshkurtra likuide në denarë në tregjet e parasë. Arritjet në tregjet financiare në vend në tetor tregojnë vazhdim të mëtejshëm të zhvillimeve të favorshme në tregun e këmbimit valutor. Kjo tendencë kryesisht drejtohet nga rritja e mëtejshme e ofertës së valutave të huaja nga personat fizikë në tregun e këmbimit valutor, e cila në tetor arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i krizës shëndetësore. Këto zhvillime, si dhe ruajtja e likuiditetit të bankave në valutë të huaj në nivel relativisht stabil, kontribuuan që Banka Popullore edhe gjatë muajit tetor të ketë prani të rrallë në tregun e këmbimit valutor, përmes ndërhyrjeve të ulëta për shitje të valutave të huaja për bankat afariste të vendit.
Në tetor, bankat qendrore në korniza globale vazhduan të zbatojnë politika ekspansive, ndërsa zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare u drejtuan kryesisht nga shqetësimi i rritur i investitorëve për shkak tl valës së dytë të përhapjes së virusit Kovid dhe marrjes së masave kufizuese (kryesisht në Evropë) për parandalimin e efekteve negative dhe përhapjen e virusit. Ndikim shtesë mbi zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare kishin edhe: mundësia e lehtësimit të mëtejshëm të politikës monetare nga BQE-ja, informacionet rreth mbështetjes fiskale në SHBA, si dhe zgjatja e bisedimeve për Bregzit ndërmjet BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në rrethana të këtilla, vlera e Dollarit amerikan në raport me euron u rrit, ndërsa çmimet e obligacioneve më të sigurta qeveritare në eurozonë u rritën mesatarisht. Në fillim të nëntorit, vlera e Dollarit amerikan lëvizi në drejtim të kundërt, kryesisht në kushte të pasigurisë rreth rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe përmbajtjes së ardhshme të Kongresit, dhe më pas pas fitores së deklaruar nga Partia Demokratike.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se aktualisht flukset janë të qëndrueshme, ndërsa perceptimet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Pasiguria dhe rreziqet nga efektet e ardhshme makroekonomike nga pandemia të shkaktuara nga Kovid-19 vazhdojnë të ekzistojnë, si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendase. Banka Popullore, me kujdes do të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme në periudhën e ardhshme, me qëllim reagimin e duhur nëse është e nevojshme.