Më 9 korrik të vitit 2019, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Komiteti vlerësoi se pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare, me ç’rast u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në 2,25%. Njëkohësisht u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore, për ankandin i cili do të mbahet më 10 korrik 2019 të mbahet në nivelin e 25.000 milionë denarë.
Në mbledhje u shqyrtuan arritjet e fundit në ekonominë vendase në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomike. Sipas Komitetit, themelet ekonomike vazhdojnë të jenë të shëndosha, pa prezencën e çekuilibrimeve në ekonomi. Mungesa e çekuilibrimeve vërehet përmes inflacionit të qëndrueshëm dhe të ulët dhe pozicionit të jashtëm të favorshëm, kontekst i cili kontribuon për zhvillime të favorshme në tregun e këmbimit valutor dhe intervenime me blerje të valutave të huaja nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritshmëri stabile dhe perceptime të favorshme.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë, të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë për periudhën prill-maj kryesisht tregojnë zhvillime të favorshme në ekonomi, të dukshme përmes rritjes së përshpejtuar të tregtisë dhe rritjes së mëtejshme të industrisë. Këto të dhëna, si dhe norma e rritjes së aktivitetit ekonomik prej 4,1% në tremujorin e parë të këtij viti, që është afër parashikimeve, korrespondojnë me pritjet për rritje solide ekonomike në këtë vit.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në gjysmën e parë të vitit ishte 1,2%, me pritje për një normë të inflacionit prej 1,5% për tërë vitin 2019. Rreziqet lidhur me parashikimin e inflacionit për këtë vit aktualisht vlerësohen si të ekuilibruara.
Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm, arritjet në këmbimin e jashtëm tregtar për muajt prill-maj 2019 tregojnë mundësi për realizimin e një deficiti tregtar diçka më të lartë nga pritjet për tremujorin e dytë. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor nga dekada e dytë e muajit qershor tregojnë neto hyrje nga transferimet private të cilët janë në nivelin pritshmërive për tremujorin e dytë. Rezervat valutore në fund të korrikut janë më të larta krahasuar me fundin e vitit 2018, me ç’rast të gjithë treguesit e mjaftueshmërisë së tyre vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket zhvillimeve monetare, pas rënies së vogël në maj, të dhënat fillestare për qershorin tregojnë rritje mujore të totalit të depozitave, i cili pothuajse është bashkërisht si rezultat i rritjes së depozitave në të gjithë sektorët (amvisëri, sipërmarrje dhe sektorët tjerë). Në tregun e kredisë, në qershor, vazhdoi rritja mujore e kredive, kryesisht e drejtuar kah sektori „amvisëri“, me një rritje të kreditimit të sektorit të korporatave. Zhvendosjet në depozitat dhe kreditë nuk tregojnë devijime më të mëdha në raport me pritjet sipas parashikimeve të fundit makroekonomike.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i lartë i bankave vazhdoi me prirjen rritëse, si pasojë e së cilës bankat kishin një nevojë të moderuar për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave. Ato edhe më tej vazhdojnë të drejtojnë tepricën e parave të lira drejt depozitave të disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësuan fleksibilitet dhe qasje të lartë në mjetet për mbështetje të pandërprerë kreditore të subjekteve të vendit.
Në qershor, në tregun e këmbimit valutor, neto shitja e devizave u intensifikua nën ndikimin e faktorëve sezonal, të cilët kontribuuan për kërkesë më të lartë për deviza nga ana e kompanive vendase, lidhur me operacionet e rregullta, por edhe si pasojë e pagesës së dividendëve ndaj investitorëve të huaj. Bankat në tërësi e kënaqën kërkesën më të lartë nga mjetet vetjake, me ç’rast teprica e likuiditetit valutor e cila rridhte nga kreditimi më i lartë me klauzolë valutore dhe menaxhimi fleksibil me mjetet dhe detyrimet valutore i drejtuan drejt tregut ndërbankar të këmbimit valutor. Në rrethana të këtilla, në qershor, Banka Popullore bleu 19 milion euro nga bankat mbështetëse, me ç’rast edhe këtë muaj banka qendrore ishte e pranishme në tregun e këmbimit valutor vetëm me blerje të devizave. Intervenimet në tregun e këmbimit valutor vazhduan edhe në fillim të muajit korrik, ku në total që nga fillimi i vitit deri më 9 korrik, Banka Popullore bleu 102 milion euro.
Në nivel ndërkombëtar ka shenja pozitive për uljen e pasigurisë lidhur me marrëdhëniet globale tregtare, pasi që në mbledhjen e G-20 kah fundi i qershorit, SHBA dhe Kina arritën marrëveshje për vazhdimin e bisedimeve për marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, gjendja globale makroekonomike vazhdon të tregojnë shenja dobësie, ku të dhënat me frekuencë të lartë tregojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në eurozonë në tremujorin e dytë të këtij viti. Në kushte të pikëpamjeve të keqësuara të aktivitetit ekonomik, bankat qendrore të eurozonës dhe SHBA-ve sinjalizojnë përgatitje për marrjen e masave për nxitje të ekonomive. Rrjedhimisht, në pajtim me pritshëmëritë e tregut për lehtësim të mëtejshëm monetar nga ana e BQE-së, si dhe për ulje të normave të interesit nga ana e FED-it, në tregjet financiare ndërkombëtare u vërejte interes më i lartë i plasmanëve të sigurta, para së gjithash në letra shtetërore me vlerë, gjë që çoi në zvogëlimin e kthimit të tyre, si dhe në ar, që shkaktoi rritjen e çmimit të tij.
Në përgjithësi, në mbledhje u konstatua se treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë tregojnë devijime të caktuara në raport me dinamikën e parashikuar, ndërsa qëndrimet për ambientin e implementimin të politikës monetare kryesisht janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Me ç’rast, përsëri u theksuan rreziqet e pafavorshme nga ambienti i jashtëm. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.