Shkup, 9 dhjetor 2021
Rreth 90% e kompanive dhe institucioneve tona janë të vetëdijshme për përfitimet që sjell digjitalizimi për shërbimet financiare. Mbi 70% investojnë në transformimin digjital. Sektori fintek po zgjerohet me shpejtësi në industrinë e pagesave, i cili kërkon mënyra të reja për të ulur kostot, për të rritur sigurinë dhe për të përmirësuar përvojën e klientit. Detyra e rregullatorëve është të krijojnë një mjedis të përshtatshëm, të rregulluar, në të cilin do të mundësohet zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve të reja fintek, dhe në të njëjtën kohë do të mbrohen konsumatorët dhe do të ruhet stabiliteti i sistemit financiar. Kjo u tha në fillim të Konferencës së 13-të për pagesa dhe infrastrukturë të tregut, të organizuar tradicionalisht nga Banka Popullore.
Konferenca e këtij viti titullohet “Pagesat në epokën digjitale: nga brenda jashtë” dhe organizohet me mbështetjen e Bankës Qendrore të Holandës. Në hapje fjalën morrën guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, guvernatori i Bankës së Holandës, Klaus Knot dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska tha se përparimet në teknologji hapin derën për shërbimet inovative digjitale në financa, por për të zhbllokuar vlerën e saj të vërtetë për bizneset dhe konsumatorët, rregullatorët duhet të luajnë rolin e tyre.
“Banka Popullore është duke krijuar një Qendër inovacioni me qëllim të lehtësimit, inkurajimit dhe mbështetjes së inovacioneve në shërbimet financiare, përfshirë edhe shërbimet e pagesave. Në këtë mënyrë i ndihmojmë pjesëmarrësit e rinj të kuptojnë më mirë rregullativën ekzistuese dhe nga ana tjetër, ata na ndihmojnë të identifikojmë pengesat e mundshme rregullatore. Vitin e kaluar ne kryem një anketë për të pasqyruar zhvillimin e sektorit fintek, i cili tregoi se rreth 90% e të gjithë të anketuarve janë të vetëdijshëm për përfitimet e digjitalizimit të shërbimeve financiare dhe rreth 70% investojnë në transformimin digjital, veçanërisht në shërbimet e pagesave, megjithëse rregullativa dhe madhësia e tregut duket se janë dy pengesat kryesore për zhvillimin e sektorit fintek. Mangësitë në rregullativë kanë të bëjnë kryesisht me fushat që kanë të bëjnë me larjen e parave, mbrojtjen e të dhënave dhe sistemin e pagesave. Kjo e fundit do të mbulohet nga Ligji i ri për shërbimet e pagesave dhe sitemet e pagesave, i cili përfshinë direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në fushën e pagesave. Presim që korniza e re rregullative dhe më gjerë, zbatimi i Strategjisë së sektorit Fintek, do të kontribuojë në të renë” nga brenda jashtë” për industrinë maqedonase të pagesave” – tha guvernatorja.
Në fjalën e tij, guvernatori Knot foli për disa tendenca në pagesa: përdorimin e parave të gatshme, zhvillimin e kriptovalutave dhe monedhave të qëndrueshme dhe përdorimin e bazave të dhënave të mëdha dhe inteligjencës artificiale. Ai vuri në dukje mundësitë dhe rreziqet për secilin prej tyre.
"Si bankierë qendrorë dhe mbikëqyrës, mbështesim çdo risi teknologjike që do t'i bëjë pagesat më të lehta dhe me qasje për të gjithë, gjë që do të kontribuojë në mirëqenien e shoqërive tona, për një sistem financiar të sigurt dhe të qëndrueshëm." Por ka një kusht të detyrueshëm. Për ne, si mbikëqyrës dhe bankierë qendrorë, besimi shkon paralelisht me rregullat, rregulloret dhe mbikëqyrjen. Nga njëra anë, duhet t'u lëmë hapësirë inovacioneve teknologjike që premtojnë përparim, por nga ana tjetër, duhet të kontrollojmë rreziqet. Nëse ka shumë liri të rrezikut, njerëzit mund të humbasin besimin në sistemin financiar. Inovacionet për të cilat sapo fola nuk kufizohen në kufijtë tradicionalë. “Për të përfituar prej tyre dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar me efikasitet rreziqet që ato mbartin, nevoitet qasje kombëtare dhe ndërkombëtare, e cila është edhe baza për organizimin e konferencave të këtilla ku shkëmbehen mendime dhe përvoja”, tha ai.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se zhvillimi i tregut të shërbimeve financiare do të rrisë konkurrencën, gjë që do të inkurajojë bankat dhe institucionet tjera financiare që të jenë më aktive në aplikimin e inovacioneve teknologjike në sektorin financiar. Me rritjen e teknologjive të reja të pagesave digjitale, konsumatorët dhe tregtarët do të kenë një gamë të gjerë produkteve për pagesa dhe pritet që kompanitë fintek të prezantojnë metoda të reja, inovative pagese që do të kenë qasje të lehtë.
Nga kjo rrjedh edhe Ligji i ri për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, i cili do të mundësojë zhvillimin e tregut të shërbimeve të pagesave dhe hyrjen e institucioneve jobankare, siç janë institucionet e pagesave dhe institucionet e parave elektronike. “Këta ofrues të rinj të shërbimeve të pagesave janë kryesisht nga sektori fintek dhe pritet të stimulojnë transformimin digjital të pjesëmarrësve aktualë të tregut”, tha ministri Besimi.
Konferenca për pagesa dhe infrastrukturën e tregut do të zhvillohet sot dhe nesër dhe gjatë kësaj kohe politikëbërësit dhe ekspertët do të ndajnë mendime dhe do të diskutojnë tendencat dhe sfidat më të fundit që dalin nga ndikimi i teknologjive të reja në tregun e shërbimeve të pagesave, duke ndryshuar shprehitë për pagesa në epokën digjitale, mundësitë dhe sfidat e bankingut të hapur, transformimet e udhëhequra nga kompanitë fintek, siguria në hapësirën digjitale, si dhe valutat digjitale të emetuara nga bankat qendrore.
Konferenca ka karakter ndërkombëtar, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore kombëtare të Bashkimit Evropian, Rezervave Federale të SHBA-së, bankave qendrore të rajonit, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, bankave të huaja tregtare, rregullatorëve vendas, sektorit bankar vendas, si dhe institucionet jobankare vendase dhe të huaja që janë palë të interesuara në fushën e shërbimeve të pagesave.
VIDEO