Njoftim për zhvillimet e pagesave në tremujorin e tretë të vitit 2020
Shkup, 9 dhjetor 2020
Për të vëzhguar lëvizjet e pagesave, në kushte kur shprehitë për mënyrën e realizimit të pagesave ndryshojnë për shkak të pandemisë së Kovid 19, Banka Popullore përpunoi të dhënat nga statistikat e pagesave për tremujorin e tretë të këtij viti dhe i botoi ato përpara afatit të zakonshëm, të vendosur në kalendarin për botimin e të dhënave të statistikës së pagesave.
Pagesat me karta të pagesave në tregti në vendin tonë në tremujorin e tretë të vitit 2020 shënuan një rritje të konsiderueshme vjetore në numrin dhe vlerën e transaksioneve të realizuara prej 41% dhe 42%, respektivisht. Në këtë mënyrë, është e qartë rritja e lartë vjetore e numrit të pagesave të qytetarëve me karta të pagesave në vendet e shitjes në internet, e cila, në tremujorin e tretë të këtij viti arriti 175% dhe është pothuajse pesëfish më e lartë nga rritja vjetore e tremujorit të njëjtë të vitit të kaluar (37,7%). Sa i përket përdorimit të kartave të pagesave në pikat fizik të shitjes, në tremujorin e tretë të këtij viti u shënua një rritje vjetore prej 36,8%, që është konsiderueshëm më e lartë se rritja vjetore në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (22,3%).
Nga ana tjetër, ndikimi negativ i pandemisë është i shprehur në pagesat me përdorim të instrumentit të transferimeve të kredisë, që shënoi një rënie vjetore prej 4,4% në numrin dhe 4,9% në vlerën e transaksioneve.
Megjithatë, nga fillimi i Kovid krizës, personat fizikë gjithnjë e më shpesh kanë përdorur përfitimet nga bankingu elektronik. Numri transferimeve elektronike të kredisë të nisura nga qytetarët në tremujorin e tretë është rritur për një shumë domethënëse prej 35,4% në bazë vjetore, që është pothuajse trefish më shumë krahasuar me rritjen vjetore të tremujorit të tretë në vitin 2019 (12,8%). Për pagesa, qytetarët në veçanti kanë përdorur aplikacionet e telefonave celularë, gjë që tregon ndryshimin e mëtejshëm të shprehive për pagesa në favor të përdorimit të kanaleve dixhitale për pagesa. Numri i pagesave të realizuara me telefon celular është rritur në mënyrë mbresëlënëse për 84,2% në bazë vjetore. Rritja e pagesave të realizuara në këtë mënyrë është gjithashtu shumë më e lartë se sa rritja vjetore në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, e cila ishte 49,3%. Në tremujorin e tretë të këtij viti gjithashtu vazhdon tendenca për përdorim të madh të kompjuterëve për kryerjen e pagesave në vend nga ana e qytetarëve. Më konkretisht, në këto pagesa, në tremujorin e tretë të këtij viti është shënuar një rritje e lartë vjetore prej 20,1%, e cila është katërfish më e lartë nga rritja vjetore në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, që ishte 4,7%. Nga ana tjetër, kushtet që i imponoi pandemia e Kovid 19 ndihmuan për ndryshim të përshpejtuar të shprehive të qytetarëve sa i përket transferimeve të kredisë të nisura në letër, me ç’rast numri i transferimeve të kredisë të nisura në këtë mënyrë shënoi një rënie të lartë vjetore prej 34,4% në tremujorin e tretë të këtij viti, përkundër rritjes vjetore në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar prej 8,5%.
Ndryshimi i shprehive të qytetarëve në kushte të lëvizjes së kufizuar për shkak të pandemisë, ndihmoi në regjistrimin e një rritjeje mbresëlënëse vjetore të pagesave me karta të pagesave përmes internetit në vend prej 141%, si dhe transferime të kredisë të nisura në mënyrë elektronike prej 28%, gjatë të tre tremujorëve të vitit 2020.

Statistika e pagesave - zhvillimet e pagesave në tremujorin e tretë të vitit 20202