Shkup, 9 tetor 2021
Nëse dy vjet më parë, një nga katër urdhërpagesat është kryer në mënyrë elektronike, dhe tre të tjerat në sportelet bankare në letër, tani më në vitin 2020 dhe në gjysmën e parë të vitit 2021, çdo urdhër i tretë kryhet në mënyrë elektronike. Kjo do të thotë që qytetarët po përdorin gjithnjë e më shumë përfitimet e bankingut elektronik dhe shërbimeve elektronike të ofruara nga bankat, tha zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Emilija Nacevska, në një program të paraditës në Televizionin Maqedonas, duke deklaruar se pagesat elektronike janë të sigurta dhe sjellin përfitime të shumta për qytetarët.
- Pandemia ndryshon mënyrën e jetesës së njerëzve, dhe kështu zakonet e tyre në mënyrën e pagesës. Për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe shëndetin publik, qytetarët gjithnjë e më shumë po shfrytëzojnë përfitimet e pagesave digjitale, aplikacioneve mobile dhe kartelave pagesore. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në muajt e parë të pandemisë, kur këto pagesa shënuan rritje prej 110% dhe rritja vazhdoi me të njejtin intensitet edhe në periudhën në vijim. Sipas të dhënave zyrtare të fundit të Bankës Popullore në fushën e statistikave të pagesave për tremujorin e parë të këtij viti, numri i pagesave me kartela pagesore është më i lartë për 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar - tha Nacevska.
Zëvendësguvernatorja theksoi se përdorimi i kartelave pagesore është plotësisht i sigurt, sepse bankat tona lëshojnë kartela që nuk mbeten prapa në zgjidhjet teknologjike që ofrohen në të gjithë botën.
- Sigurohen standarde sigurie për kryerjen e pagesave me kartela dhe përmes bankingut elektronik, të cilat nuk mbeten prapa kërkesave të standardeve ndërkombëtare. Ne të gjithë jemi përdorues të kartelave “Visa" ose "MasterCard", të cilat janë markë ndërkombëtare dhe pas të cilave ka standarde vërtet të larta sigurie. Këto janë faktorët kryesorë për kryerjen e sigurt të pagesave dhe prandaj, sa më shumë të përdoren, aq më i vogël do të jetë ekspozimi dhe pritja e panevojshme para sporteleve në banka - theksoi Nacevska.
Zëvendësguvernatorja gjithashtu njoftoi se ata janë duke punuar në ofrimin e mundësisë për të prezantuar zgjidhje të reja inovative teknologjike - FinTech, të cilat do të ofrojnë një gamë edhe më të gjerë shërbimesh për qytetarët dhe kompanitë.
- Kompanitë FinTech pritet të shfaqen së shpejti, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave. Për të mundësuar përdorimin e këtyre shërbimeve, është e nevojshme të vendoset koncepti i "bankës së hapur", pra komunikim të hapur dhe të sigurt të kompanive FinTech, bankave dhe qytetarëve dhe kompanive, si përdorues të shërbimeve të pagesave. Për ne si shtet, sektori FinTech duhet të jetë mundësi për qytetarët dhe kompanitë tona që të përdorin shërbimet e pagesave që përdoruren në vendet e zhvilluara. Ky është një hap i madh përpara, pritjet janë të mëdha, por sigurisht që do të duhet kohë që të realizohet - tha Nacevska.
Baza ligjore, siç tha zëvendësguvernatorja, do të vendoset së shpejti, por procesi i licencimit dhe vendosjes së standardeve të sigurisë do të pasojë, sepse siguria e mjeteve në banka është ajo që është themelore dhe ajo që së pari duhet të sigurohet.